Mos u izoloni me të dashurin. Do të ndaheni

05 prill 2020 | 10:55

“Babai i të dashurit tim nuk donte që ne të izoloheshim bashkë dhe kishte të drejtë. Sipas tij, nuk donte që ne të “luanim shtëpiash.” Në fjalë të tjera, nuk donte të qëndronim 24 orë në 24 me njëri-tjetrin dhe të bënim ndonjë gjë të papërgjegjshme, si puna e një shtatzënie aksidentale. Për fatin e tij të mirë, i dashuri im rezistoi shumë pak, paketoi rrobat dhe shkoi në shtëpinë e familjes.

Jemi të dy studentë universiteti dhe jemi bashkë prej dy vitesh. Unë diplomohem këtë vit, ndërsa ai jo (është më i vogël se unë në moshë) dhe patjetër që donim ta përdornim momentin për të kaluar dy javë vetëm. Para pandemisë, kishim vendosur të qëndronim bashkë edhe pasi të diplomohesha sepse mendonim se dashuria jonë do t’i mbijetonte distancës dhe ndryshimeve jetësore. Kur na u desh të hiqnim dorë nga normaliteti, ndjenjat për njëri-tjetrin ndryshuan me shpejtësi.

Në fillim, jetesa bashkë m’u duk emocionuese. Luanim lojëra bashkë, kujdeseshim për kotelen time, shihnim seriale. Kjo zgjati një ditë.

Nisa t’i urrej netët me të dhe gërrhitjet e tij të palodhura. E urreja mimikën e qeshur të fytyrës kur fliste me shokët në PlayStation dhe e urreja kur i zbehej buzëqeshja momentin që më shihte mua. Vinte vërdallë turivarur, insistonte se ishte mirë, kur s’mund ta bënte më të qartë që diçka nuk shkonte. Më dukej sikur kisha në shtëpi një adoleshent anksioz. Për më tepër, asnjëri nga ne nuk tregoi asnjë fije intimitet apo përkëdheli.

Gjithçka u përkeqësua kur shkuam në market bashkë. U zumë për diçka të parëndësishme, por ai e ekzagjeroi dhe më la në makinë. Nga inati, e lashë aty dhe u ktheva me makinë në shtëpi. Kur erdha në vete, ai ishte nisur me taksi.

Nuk tha gjë kur u kthye. Paketoi gjërat të nesërmen.

Incidente si puna e këtyre janë të rëndomta në marrëdhënien tonë. Problemi më i madh janë personalitetet tona të kundërta. Ai është pasiv, ndërsa unë jo. Ai s’do të zihet, por kjo do të thotë që problemet që kemi thjesht ziejnë nën sipërfaqe dhe nuk zgjidhen. Edhe unë s’jam engjëll. E marr për të mirëqenë sjelljen e tij xhentile dhe shpeshherë tejkaloj kufijtë.

Nuk jemi ndarë akoma, por kam përshtypjen se do të ndahemi. Si do të qëndrojmë bashkë pasi të diplomohem, kur ne s’durojmë dot as një javë me njëri-tjetrin? Ndoshta kjo situatë do na ndihmojë të piqemi ose do të vërtetojë që s’duhet të jemi bashkë.”

Shkruar nga një grua anonime për PopSugar/anabelmagazin

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy anëtarë të një prej familjeve më të famshme amerikane,…