Mossad-i dhe precedenti i famshëm me ish-liderin e Hamas-it

14 qershor 2022 | 21:49

Izraeli është akuzuar si përgjegjësi për vrasjen e dy shkencëtarëve iranianë duke helmuar ushqimin e tyre.

Kjo, sipas një zyrtari iranian dhe dy personave të tjerë afër qeverisë, të cilët folën për të përditshmen amerikane “New York Times” në kushte anonimiteti.

Helmimi dhe akuzat ndaj Izraelit na kthejnë pas në kohë, pikërisht në vitin 1997.

Data shënonte 25 shtator dhe trupat izraelite nga agjencia e inteligjencës kombëtare Mossad tentuan të vrisnin liderin politik të Hamas-it, Khaled Meshaal në Aman të Jordanisë.

Përpjekja për vrasjen e kreut të atëhershëm – 41-vjeçar të Byrosë Politike të Hamas-it – ndezi një incident diplomatik.

Kjo e fundit kërcënoi të shkatërronte marrëveshjen e paqes të nënshkruar rishtazi asokohe midis Jordanisë dhe Izraelit.

Kriza përfundoi me disa lëshime të bëra nga ish-kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nën presionin e qeverisë amerikane.

Në një përpjekje për të gjymtuar lëvizjen e rezistencës palestineze Hamas, Netanyahu, në mandatin e tij të parë si kryeministër, autorizoi vrasjen e Meshaal-it.

Udhëheqësi pak i njohur palestinez lindi në vitin 1956 në Silwad, i cili atëherë ndodhej në Bregun Perëndimor të administruar nga Jordania.

Në vitin 1967, familja e Meshaal-it dhe 300 mijë palestinezë të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga forcat pushtuese izraelite në një valë të dytë të pastrimit etnik që u bë i njohur si Naksa (Pranimi).

Netanyahu thuhet se ka zgjedhur personalisht Meshaal-in nga një numër operativësh të Hamas-it që agjentët e Mossad-it ta vrasin.

Përpjekja për të vrarë Meshaal-in erdhi pas një serie sulmesh vetëvrasëse në Jerusalem dhe Tel Aviv.

Një ekip prej gjashtë anëtarësh i Mossad-it mbërriti në Aman një javë para atentatit duke përdorur pasaporta false kanadeze.

Plani ishte i qartë: lideri i Hamas-it do të vritej duke përdorur një toksinë vdekjeprurëse pa lënë asnjë gjurmë.

Dy nga gjashtë agjentët u zhvendosën në pozicionin për të dhënë një dozë vdekjeprurëse toksine – e identifikuar më vonë si fentanil – ndërsa Meshaal hyri në zyrën e tij.

Katër agjentët e tjerë izraelitë thuhet se u vendosën rreth bllokut ose si vëzhgues.

Agjentët e Mossad-it përhapën toksinën duke përdorur një pajisje aerosol dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.

Një nga truprojat e Meshaal-it arriti të kapte atentatorët pas disa beteje trup më trup. Kapja e tyre do të kishte pasoja të mëdha.

Netanyahu u përpoq të fshihte atentatin e dështuar nga pjesa tjetër e botës.

Ai dërgoi kreun e Mossad-it, Danni Yatom, që t’i kërkonte Mbretit të Jordanisë Hussein – lirimin e agjentëve.

Toksina kishte dhënë efekte dhe brenda 48 orëve ai do të kishte vdekur.

Mbreti Hussein paralajmëroi Izraelin se nëse lideri i Hamas-it vdiste, agjentët e Mossad-it do të vareshin si vrasës.

Mbreti jordanez thirri presidentin asokohe të SHBA-ve, Bill Clinton për të marrë mbështetjen e tij.

Mbreti Hussein përcolli mesazhin e tij përmes Clinton-it, duke këmbëngulur se izraelitët duhet të dorëzonin një shishe me kundërhelm, e cila ishte mënyra e vetme për të shpëtuar jetën e Meshaal-it.

“Nëse Meshaali vdes, traktati i paqes vdes me të”, këmbënguli ai.

Me presionin e SHBA-ve, Izraeli nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të pajtohej për të sjellë kundërhelmin.

Sipas marrëveshjes, autoritetet izraelite liruan Sheikh-un Ahmed Yassin.

Ky i fundit ishte themeluesi dhe udhëheqësi shpirtëror i Hamas-it, një nga palestinezët më të shquar në burgjet e Izrael-it, së bashku me 70 të burgosur të tjerë palestinezë.

Meshaal-i u shpëtua me vetëm disa orë jetë në dispozicion.

Reputacioni i tij u rrit brenda lëvizjes së rezistencës palestineze si “njeriu që nuk do të vdiste”.

Ai u bë udhëheqësi i Hamas-it kur Izrael-i vrau Yassin-in në vitin 2004.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një investim i madh nga Gjermania i është shtuar sot…