Mungesa e oksigjenit dhe barnave nëpër spitale po u kushton me jetë qytetarëve

09 dhjetor 2020 | 13:21

Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherit anëtari i kryesisë së PDK-së, Donjet Bislimi ka mbajtur një konferencë për media, ku ka shprehur shqetësimin për gjendjen e rënduar, të krijuar nga pandemia Covid-19 dhe ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë sigurimin e vaksinës anti-Covid, për shkak se në Kosovë është rritur numri i vdekjeve, duke tejkaluar shumë vende në botë, raporton “Epoka e re”.

Ai shprehu zemërimin ndaj Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë së Kosovës, për keqmenaxhimin e spitaleve dhe gjithë sistemit shëndetësor, gjë që është demonstruar tashmë nga raportimet e mediave.

“Mediat kanë dëshmuar tashmë për mungesën e kushteve bazike, të kontrolleve dhe izolimit të nevojshëm të spitaleve ku trajtohen pacientët e infektuar prej koronavirusit. Ndërkohë që gjasat janë të mëdha që kjo qeveri të dalë me suficit të madh për sa i përket shpenzimeve buxhetore, qytetarët nuk kanë oksigjen, i cili është vital për mbijetesën e të sëmururve, dhe detyrohen ta kërkojnë në treg privat. E njëjta situatë e rëndë shihet edhe me barna, ku Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë masa për të përmbushur nevojat e pacientëve, të cilët po detyrohen t’i blejnë barnat në treg të zi me çmime të larta. Ne si PDK jemi të shokuar nga mungesa e oksigjenit në spitalet tona dhe dikush duhet të jap përgjegjësi për këtë”, ka thënë Bislimi.

Ai ka kërkuar llogari nga institucionet kompetente për krizën e krijuar si shkak i mungesës së oksigjenit për pacientët me Covid-19 dhe bëri thirrje për mobilizim të përgjithshëm për menaxhimin e kësaj krize.

Bislimi ka thënë se një tjetër problem madhor që po manifestohet sa i përket ballafaqimit me pandeminë është çështja e sigurimit të vaksinave anti-Covid.

“Ndërkohë që zbulimi i vaksinave dhe fillimi i përdorimit të tyre në vendet perëndimore ka dominuar mediat ndërkombëtare dhe mobilizuar të gjitha qeveritë e rajonit, qeveria Hoti nuk ka shpalosur ende ndonjë plan se si dhe kur do t’i sigurojë vaksinat për qytetarët e Kosovës”, ka thënë kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherit anëtari i kryesisë së PDK-së, Donjet Bislimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” bën me dije se si…