Murati për rritjen e faturave të tatimit në pronë fajëson ish-qeveritë e kaluara

27 janar 2023 | 11:50

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se vendimi për rritjen e faturave të Tatimit në Pronë, padrejtësisht po tentohet t’i mëveshët qeverisë Kurti.

Ai gjatë një konference për medie ka thënë se ky vendim është marrë në qeverinë Mustafa, por që ky hyrë në fuqi në kohën kur me ekzekutivin udhëhiqte Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se ligji në fjalë i miratuar në vitin 2018 ka paraparë sipas nenit 7 që në vitin e pestë të zbatimit të tij të hyjë në fuqi tatimi 100 për qind i tokave.

“Këtu duhet të kthehemi tek ligji që ka qenë i miratuar në vitin 2018 për tatimin në pronë. Ky ligj fillimisht ishte miratuar nga qeveria Mustafa më 4 maj të vitit 2017, kur ministër i Financave Avdullah Hoti. Por, ky ligj nuk kishte arritur të miratohet në Kuvend dhe të hyjë në fuqi sepse qeveria kishte rënë një javë më vonë. Pastaj, i njëjti ligj është proceduar në Qeverinë Haradinaj, disa muaj më vonë, diku në nëntor ose dhjetor dhe më 26 janar të vitit 2018 është publikuar në gazetën zyrtare. Pra, më herët s’ka qenë tatimi i tokave dhe prej hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë hyrë edhe tokat, pasi më herët s’kanë qenë tokat por vetëm ndërtesat. Pjesa më e madhe e rritjes së faturave shkon nga ky tatim”, është shprehur Murati.

Tutje, ai tha se arsyeja e dytë për rritjen e disa faturave të tatimit në pronë ka të bëjë me vlerësimin e pronave rezidenciale por edhe me shkallën tatimore.

“Për vlerësim, obligohet Ministria e Financave, që të bëhet vlerësimi me automatizëm e që me udhëzimin administrativ të nënshkruar në vitin 2018 është përcaktuar që rivlerësimi i pronave rezidenciale të bëhet çdo tri vjet. Edhe kjo ka qenë e paracaktuar më herët që duhet të ndodh dhe është obligim ligjor që vlerësimi të bëhet me çmimet e tregut. Kurse, kushti i dytë ka të bëjë me shkallët tatimore që i obligon komunat që të përcaktojnë shkallët tatimore sipas nenit 9, i cili thotë se shkallet tatimore përcaktohen për llojet e pronave dhe ka një interval prej 0.15% deri në 1% që komunat mund ta caktojnë për të rritur apo për të ulur tatimin në pronë”, ka theksuar Murati.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se është e padrejtë nga disa komuna që kanë bërë politikë me çështjen e tatimit në pronë, pasi siç tha ai tatimi në pronë mblidhet nga komuna dhe janë të hyra komunale.

Ai në këtë konferencën për medie ka theksuar se tatimi në pronë është e hyrë komunale dhe u takon komunave të tregojnë se çfarë duan të bëjnë tash, pasi sipas tij, Ministria Financave është e gatshme të mbështesë çfarëdo kërkese që kanë komunat për ulje të tatimit të vitit aktual.

“Duhet të sqarohet se tatimi mblidhet nga komuna dhe janë të hyra komunale”, ka thënë Murati, duke shtuar se ka pasur pretendime se qeveria ka rritur tatimet për të rritur të hyrat. “Mirëpo meqenëse janë të hyra të komunave, u takon komunave të na tregojnë se çfarë duan të bëjnë. Ne si ministri, qeveri, jemi të gatshëm të mbështesim çfarëdo kërkese që kanë komunat për ulje të tatimit të vitit aktual, qoftë duke shkuar për të gjithë njësoj, ose duke marr një prag ose përqindje të rritjes për ta falur si tatim në mënyrë që të mos ngarkohen qytetarët. Synimi i qeverisë është të ndihmohen qytetarët në këto kohë të vështira, por është e padrejtë që nga disa komuna është bërë politikë me këtë çështje”, ka thënë ministri Murati.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar një muaj paraburgim për…