Mustafa: Dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri legjitime

06 mars 2019 | 22:14

Kryetari i Lidhjes Demrokatike të Kosovës (LDK), ka shprehur bindjen se ekipi për dialog është degradim i shtetësisë së Kosovës.

“Ky grup është kthim prapa, para vitit të shpalljes së pavarësisë, në kohën e UNMIK-ut, kur Kosova nuk kishte institucionet e veta me legjitimitet të plotë, pra mu atje ku e dëshiron Serbia dhe ata që e kontestojnë shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, Ligji për dialogun është dokument i turpit dhe shantazhimit të këtij koalicioni nga një parti e vogël në Kuvend që po ua siguron mbijetesën në kapje dhe zhvatje të shtetit. “As Ligji e as Platforma nuk e sanksionojnë përgjegjësinë e zyrtarëve shtetërorë që lobojnë dhe pajtohen me shkeljen e Deklaratës së Pavarësisë, përkatësisht shtetësisë së shpallur më 17 shkurt 2008. Absurdi qëndron në faktin se Patforma e hartuar nga një grup që nuk përfaqëson shumicën në Kuvend, synohet të aprovohet me shumicë të thjeshtë, kurse Marrëveshja kërkon të ratifikohet me 2/3 e votave të deputetëve në Kuvend. Askush nuk guxon ta bjerë Kuvendin para aktit të kryer! As Presidenti, as Kryeministri e as askush”, ka shkruar Mustafa në profilin e vet në “Facebook”.
Mustafa tutje ka thënë se dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri legjitime dhe me një Platformë e cila duhet të jetë produkt i një pajtimi të gjerë dhe të aprovohet me 2/3 në Kuvend ashtu si edhe Marrëveshja.

“LDK do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal, me të cilin duhet të sanksionohet vepra penale për çdo zyrtar i cili e vë në pyetje Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën dhe shtetësinë e Kosovës. Kjo nuk bëhet me Platformë dhe Ligj që nuk e mbrojnë Kosovën por i mbrojnë ata që dialogojnë”, ka thënë Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur masën ekstreme ndaj skuadrës…