Mustafa: Do të jem i përkushtuar për vendosjen e rendit dhe zbatimin e ligjit

25 tetor 2018 | 14:20

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Ekrem Mustafa, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Interpol, mirëmbajtja e aspekteve me ndikim në liberalizimin e vizave për qytetarët tanë si dhe përgjegjësitë e kësaj ministrie në raport me MSA-në janë prioritete e punës së tij.

Po ashtu, ai është zotur se prioritet kryesor do ta ketë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Ndër prioritetet e punës së dikasterit qeveritar i cili më është besuar do të jetë lufta kundër krimit të organizuar, me theks të veçantë luftimi i korrupsionit, lufta kundër narkotikëve dhe luftimi kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Këto do të jenë prioritetet në rrafshin e sundimit të ligjit por, natyrisht, nuk do të ndalemi vetëm këtu. Do t’i luftojmë të gjitha format e terrorizmit dhe të ekstremizmave radikalë”, ka deklaruar Mustafa, duke shtuar se MPB-ja dhe të gjitha agjencitë nën menaxhimin e saj janë të përkushtuara për vendosjen e rendit dhe zbatimin e ligjit.

Ai ka theksuar se një ambient i sigurt për qytetarët, pavarësisht prej përkatësisë së tyre etnike apo fetare, mbetet përkushtim permanent i punës së tij dhe dikasterit që drejton.

“Si ministër ju siguroj se angazhimi dhe rezultatet nuk do të mungojnë asnjëherë. Sikurse ju thashë në fillim, luftimi i krimit dhe korrupsionit janë prioritete të MPB-së. Pa ndërhyrë në fushën operacionale të policisë dhe agjencive të tjera, MPB-ja do të zhvillojë politika adekuate që do të mundësojnë sukses. Rezultatet mund të mos jenë të dukshme menjëherë, po ju siguroj se po punohet në drejtimin e duhur dhe shtimi i dinamikës së angazhimeve do të vërehet gradualisht nga qytetarët në shërbim të të cilëve jemi”, është shprehur Mustafa.

Ai ka bërë me dije se ka një angazhim të jashtëzakonshëm dhe të koordinuar mirë ndërmjet institucioneve për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Sipas Mustafës, për këtë çështje janë angazhuar ekspertë të cilët me lobimin e tyre dhe argumentet që ofrojnë po përmbysin pretendimet se mund të ketë rezerva për pranimin e Kosovës.

“Që nga ardhja ime në detyrë jam informuar lidhur me angazhimet e të gjithë aktorëve relevantë të inkuadruar në lobimin për Interpol, e më pas edhe jam inkuadruar në këto aktivitete së bashku me kabinetin tim. Anëtarësimi në Interpol nuk është thjesht një hap tutje rreth rrumbullakimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, por ai prek aspekte të sigurisë dhe të bashkëpunimit ndërshtetëror në këtë drejtim”, ka thënë Mustafa.

“Epoka e re”: Z. Mustafa, para një jave keni ardhur në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB). Cilat do të jenë prioritetet tuaja?
Mustafa: Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka mision kujdesin për sundimin e ligjit dhe sigurinë publike. Më lejoni t’ju informoj se ndër prioritetet e punës së dikasterit qeveritar i cili më është besuar, do të jetë lufta kundër krimit të organizuar, me theks të veçantë luftimi i korrupsionit, lufta kundër narkotikëve dhe luftimi kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Këto do të jenë prioritetet në rrafshin e sundimit të ligjit, por natyrisht nuk do të ndalemi vetëm këtu. Do t’i luftojmë të gjitha format e terrorizmit dhe të ekstremizmave radikalë. Një segment tjetër i prioriteteve ka të bëjë me detyrat që kemi para nesh në rrafshin ndërkombëtar apo me implikime ndërkombëtare e ku MPB-ja luan rol vendimtar. Anëtarësimi i Kosovës në Interpol, mirëmbajtja e aspekteve me ndikim në liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, apo edhe përgjegjësitë tona në raport me MSA-në, janë prioritetet në këtë rrafsh. Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të jetë e përkushtuar për realizimin e detyrave në rrugën tonë të trasuar drejt përafrimit me Bashkimin Evropian dhe përgjithësisht në rrugëtimin e Kosovës për subjektivitet të plotë në kuadër të sistemit politik ndërkombëtar. Sot bota është shumë dinamike. Relacionet ndërkombëtare nuk varen thjesht nga dikasteret të cilët kanë përgjegjësi primare relacionet me shtetet e tjera. Absolutisht i takon çdo dikasteri veç e veç që në kuadër të fushëveprimit të vet ta lehtësojë rrugëtimin ndërkombëtar të shtetit tonë.

“Epoka e re”: Kjo ministri për një vit ka ndërruar dy ministra. Duke pasur parasysh se Kosova vuan nga mungesa e rendit dhe ligjit, çfarë do të bëni ju si ministër në këtë drejtim?
Mustafa: Nuk më takon ta komentoj ndërrimin e mëparshëm të ministrave. Kosova po konsolidon me sukses institucionet dhe agjencitë, puna e të cilave ka ndikim të drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e rendit dhe sundimit e ligjit. Sigurisht, ne nuk duhet të harrojmë se vendi ynë ka kaluar nëpër një periudhë mjaft të ndjeshme duke u nisur nga lufta, pastaj periudha e pasluftës e deri tani kur u bënë dhjetë vjet që nga shpallja e pavarësisë. Pavarësisht prej kësaj, me përgjegjësi them se Policia e Kosovës apo edhe agjencitë e tjera të cilat funksionojnë nën autoritetin e MPB-së, spikaten nga një profesionalizëm i duhur. Me shkallën e profesionalizimit dallohemi në regjion. Në gjithë këtë duhet t’u jemi përherë mirënjohës miqve tanë ndërkombëtarë. Gjithmonë mund të ketë vend për përmirësime, kurse përmirësimet mund të realizohen vetëm nëse kemi qasje të saktë analitike në proceset të cilat janë në zhvillim. Unë si ministër jam zotuar para kryeministrit si dhe zotohem para qytetarëve të vendit, se do ta kem në fokus përmirësimin e aspekteve ku mund të ketë pasur ngecje në të kaluarën. Lidhur me këtë që tani kam dhënë udhëzime të qarta se si të veprohet ashtu që edhe rezultatet të mos vonojnë. Kabineti im është në fazën e grumbullimit të informacionit lidhur me procese mjaft të rëndësishme në të cilat ndodhemi dhe ku shumëçka varet nga performanca e Ministrisë së Punëve Brendshme. Stafit të cilin e drejtoj i janë dhënë instruksione të qarta që të jenë në shkallën më të lartë të përgjegjësisë.

“Epoka e re”: Si e komenton skandalin e fundit ku djali i shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, është arrestuar meqë i është gjetur armë dhe narkotikë. Çfarë veprimesh keni marrë ju?
Mustafa: Policia realizon detyrat dhe përgjegjësitë që ka. U takon organeve kompetente të drejtësisë të merren me rastet e proceduara nga policia. Natyrisht kam përcjellë edhe reagimin medial lidhur me rastin apo edhe komentet e ndryshme që prodhon diskursi ndërmjet partive politike në vend. Rikujtoj se Kosova udhëhiqet nga ligje demokratike dhe janë organet e drejtësisë ato që vërtetojnë fajësinë apo jo.

“Epoka e re”: Ndonëse në vazhdimësi drejtuesit e institucioneve dhe ata të sistemit të drejtësisë thonë se prioritet kryesor i vendit është luftimi i krimit dhe korrupsionit, megjithatë nuk po ka rezultate të prekshme. Gjatë mandatit tuaj mund të presim më shumë angazhim në këtë aspekt?
Mustafa: Ministria e Punëve të Brendshme dhe të gjitha agjencitë nën menaxhimin e saj janë të përkushtuar për vendosjen e rendit dhe zbatimin e ligjit. Një ambient i sigurt për qytetarët tanë, pavarësisht prej përkatësisë së tyre etnike apo fetare, mbetet përkushtim permanent i punës së institucionit, drejtimi i të cilit më është besuar. Si ministër ju siguroj që angazhimi dhe rezultatet nuk do të mungojnë asnjëherë. Sikurse ju thashë në fillim, luftimi i krimit dhe korrupsionit janë prioritete të MPB-së. Pa ndërhyrë në fushën operacionale të policisë dhe agjencive të tjera, MPB-ja do të zhvillojë politika adekuate që do të mundësojnë sukses. Rezultatet mund të mos jenë të dukshme menjëherë, po ju siguroj se po punohet në drejtimin e duhur dhe shtimi i dinamikës së angazhimeve do të vërehet gradualisht nga qytetarët në shërbim të të cilëve jemi.

“Epoka e re”: Muajin tjetër Kosova do të përballet me betejën për anëtarësim në Interpol. Keni siguruar mbështetjen e nevojshme që shteti ynë të bëhet pjesë e kësaj organizate të rëndësishme?
Mustafa: Ka një angazhim të jashtëzakonshëm dhe mirë të koordinuar ndërmjet ministrive, Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera. Janë angazhuar ekspertë të cilët me lobimin e tyre dhe argumentet që ofrojnë, po përmbysin pretendimet e ndryshme nga zëra të caktuar të cilët mund të kenë rezerva lidhur me pranimin e Kosovës në Interpol. Që nga ardhja ime në detyrë fillimisht jam informuar lidhur me angazhimet e të gjithë aktorëve relevantë të inkuadruar në lobimin për Interpol, më pas edhe jam inkuadruar në këto aktivitete së bashku me kabinetin tim. Anëtarësimi në Interpol nuk është thjesht një hap tutje rreth rrumbullakimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës por ai, para së gjithash, prek aspekte të sigurisë dhe të bashkëpunimit ndërshtetëror në këtë drejtim. Pjesë e menjëhershme e agjendës sime janë kontaktet me përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe atashetë policorë në kuadër të misioneve diplomatike në Kosovë. Janë dhënë garanci të forta nga shtete të ndryshme, se jo vetëm që do ta japin votën e tyre pro anëtarësimit në Interpol, por do të shohin tutje edhe mundësitë e lobimit ndër anëtarë të tjerë. Bashkëpunimi ndërmjet policive është garanci që në botë nuk do të lejohen ‘vrima të zeza’ në të cilat pamundësohet qasja e Interpolit. Secili shtet anëtar në Interpol nuk duhet ta shikojë anëtarësimin vetëm si obligim karshi sigurisë ndërkombëtare, por edhe të trajtojë qartë përfitimet dhe përparësitë që krijohen për sigurinë kombëtare dhe për sundimin e rendit dhe ligjit brenda shtetit.

 Shqipe HETEMI 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesuesi i Bordi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Petrit…