Mustafa i PDK-së: Qeveria Kurti futi Kosovën në terr dhe po thellon krizën ekonomike

01 shtator 2022 | 14:12

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin e PDK-së për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, ka thënë se Kosova është duke kaluar nëpër një krizë të rëndë ekonomike, për shkak të paaftësisë së qeverisë Kurti, e cila është dorëzuar para këtyre vështirësive.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe, rritje domethënëse të të hyrave ka shënuar vetëm qeveria, kryesisht si rrjedhojë e rritjes së çmimeve, të cilat po zhvlerësohen çdo ditë nga inflacioni.

“Refuzimi i Qeverisë së Kosovës për të ndërmarrë masat e duhura për zbutjen e rritjes së çmimeve, duke i shpërfillur në tërësi kostot e pritura për ekonominë dhe qytetarët, krijoi kushtet për një eskalim të normës së inflacionit, e cila në muajin korrik 2022 ka arritur në 14.2 për qind. Për produktet ushqimore, norma e inflacionit qëndron edhe më keq duke treguar për një rritje të çmimeve të ushqimeve për 22.1 për qind, përderisa për produkte të ndryshme esenciale siç janë buka dhe vaji, norma vjetore e inflacionit ka arritur në rreth 40 përkatësisht 80 për qind”, ka thënë Mustafa në një konferencë për media.

Më tutje, ai ka thënë se krizën po e thellojnë edhe reduktimet e energjisë elektrike, të cilat më së shumti po i dëmtojnë bizneset prodhuese, e me këtë rrjedhimisht edhe qytetarët.

“Në veçanti, po dëmtohen bizneset prodhuese, të cilat krahas vonesave në prodhim po regjistrojnë edhe humbje financiare si pasojë e dëmtimit të materialeve të ndryshme të përdorura në procesin e prodhimit. Si pasojë e reduktimeve, një pjesë e madhe e bizneseve po detyrohen të sigurojnë rrugë alternative të sigurimit të energjisë elektrike përmes blerjes së gjeneratorëve. Mirëpo, mes tjerash, kjo mund të përkeqësojë edhe më shumë situatën me inflacionin pasi që një pjesë e kostos shtesë sigurisht se do të transmetohet në çmimet e mallrave dhe shërbimeve që ato prodhojnë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se në këtë kohë kur pritej një aktivizim i qeverisë në ndihmë të ekonomisë, ministri i Financave, Hekuran Murati  është paraqitur në rolin e shtypësit të grevave përmes ndalesës së pagës për shumë punonjës të sektorit publik, duke ndikuar kështu në rëndimin edhe më të madh të gjendjes.

“Në vend të ndëshkimit të grevistëve, qeveria duhet t’i japë mundësi dialogut dhe në këtë mënyrë të gjejë zgjidhje për kërkesat e punonjësve të sektorit publik, sepse qytetarët tanë kanë mjaftueshëm brenga dhe nuk u nevojiten kriza të reja! Me këtë rast, ne i bëjmë thirrje qeverisë që ta kthejë vëmendjen në problemet ekonomike që po e rëndojnë jetën e qytetarëve, sepse ata kanë nevojë ta ndjejnë praninë e qeverisë përmes përpjekjeve për t’ua përmirësuar kushtet e jetës dhe jo në rolin e shtypësit të të drejtave dhe lirive të tyre”, është shprehur Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Ferizajt e ka transferuar mbrojtësin Borel Moukoko, i…