Mustafa: Në shkurt përfundojnë të gjitha pagesat e dyta të subvencioneve për bujqit

13 janar 12:42

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa ka thënë se deri në muajin shkurt përfundojnë të gjitha pagesat e dyta të subvencioneve për bujqit dhe fermerët kosovarë.

Mustafa të mërkurën gjatë një takimi me fermerët në Rekë të Keqe të Gjakovës ka theksuar se MBPZHR ka ndarë mbi 100 milionë euro grante dhe subvencione për zhvillimin e bujqësisë.

“Diskutuam për përkrahjen e bujqve dhe blegtorëve me grante dhe subvencione për vitin 2020, pa përkushtuar edhe subvencionet e dyfishta, të cilat do i vazhdojmë nga java e parë e muajit shkurt dhe për të përfunduar gjatë këtij muaji. Natyrisht edhe 29 milionë euro grante për zhvillimin e aseteve në punim dhe përpunim në bujqësi. Pra, një buxhet për mbi 100 milionë euro për zhvillimin e bujqësisë në formë të granteve dhe subvencioneve”, u shpreh ai.

Drejtori i qumështores Golaj, Brahim Golaj theksoi se në pandeminë COVID-19 ka rënë fuqia blerëse e produkteve të qumështit, për këtë kërkoi nga ministri Mustafa që ndarja e mjeteve për grante dhe subvencione të ndahen sa më parë për fermerët. “Po mundohemi të mos ngecim në pagesat e qumështit dhe fermerët të vazhdojnë furnizimin me qumësht siç kanë vazhduar deri tash. Ende nuk është duke u grumbulluar krejt sasia e qumështit për shkak të pandemisë dhe rënies së fuqisë blerëse. Ministria Mustafa na premtoi se pagesat për grante dhe subvencione do të kryhen në fillim të këtij viti. Shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt”, tha ai.

Ministri në detyrë, Besian Mustafa gjatë ditës ka takuar edhe fermerët e Junikut. /KP/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot është dita e tretë e vaksinimit kundër virusit Covid-19…