Mustafa: Osmani notere e Kurtit, për një vjet u fokusua vetëm në gjetjen e armiqve

06 prill 2022 | 15:42

Vjosa Osmani ia noterizon çdo vendim kryeministri Albin Kurti prej se është bërë presidente para një viti, madje edhe lule vendosin bashkë nëpër ngjarje sikur të ishin pjesë e një kabineti.

Kështu ka thënë ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Ish-shefi partiak i Osmanit është shprehur se për 365 ditë në krye të vendit, presidentja Osmani nuk është preokupuar për probleme të brendshme, por së bashku me kryeministrin Kurti janë marrë me Ukrainën për të cilën çështje s’i pyet kush. Për Isa Mustafën, roli unifikues dhe Vjosa presidente janë dy botëra të ndryshme.

Mustafa ka thënë se gjatë  një viti Vjosa Osmani është marrë me stigmatizimin e kundërshtarëve dhe gjetjen e armiqve sesa me problemet e brendshme të Kosovës.

“Nuk kam vërejtur se është preokupuar për probleme të brendshme. Më tepër është marrë me stigmatizimin e kundërshtarëve, me gjetjen e armiqve të Kosovës, sesa me hapjen e prosperitetit të Kosovës dhe me trajtimin e shumë problemeve të brendshme. Është ikja e njerëzve nga vendi, rritja e çmimeve, inflacioni, papunësia, gjendja sociale, problemi i veriut të vendit dhe me serbët atje, qëndrimi sundues i pozitës ndaj opozitës në Kuvend, çështje që nuk i kanë interesuar presidentes. Pas agresionit rus në Ukrainë, presidentja dhe kryeministri merren çdo ditë me Ukrainën, por të dytë e dinë se askush nuk i pyet për këtë punë”, ka thënë Mustafa për “Express”.

Ish-shefi i LDK-së ka thënë se Osmani s’i ka kundërshtuar deklaratat skandaloze të kabinetit të saj për mediat.

“Presidentja është marrë shumë me të kaluarën, ka kritikuar marrëveshjet e arritura në dialog, marrëveshjen e Uashingtonit por nuk e ka bërë asnjë hap për ndryshimin e tyre apo s’ka dhënë asnjë ide të re për dialogun e ardhshëm. Nuk ka kundërshtuar as deklaratat skandaloze të kabinetit të saj për mediat”, është shprehur ai.

Më tutje, Mustafa ka konsideruar se Osmani s’ka asnjë rol unifikues ashtu siç duhet ta ketë një president.

Sipas Mustafës, Osmani është unifikuese vetëm me kryeministrin Kurti sepse ia noterizon çdo vendim.

“Çdo gjë mund të pritet nga Vjosa, por kurrsesi një rol unifikues. Ajo nuk mund të bëjë punë pa u grind me dikë, pa e kritikuar dhe pa sulmuar. Me këtë rol është bërë presidente e jo me rolin unifikues. Roli unifikues dhe Vjosa si Presidente janë dy botëra të ndryshme. Unifikuese është vetëm me Kryeministrin, sepse ia noterizon çdo vendim dhe çdo qëndrim, bile edhe lule vënë bashkë, si me qenë një kabinet”, ka thënë Mustafa.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti udhëheqë edhe me politikën e jashtme të vendit, për të cilën Mustafa ka thënë se i vjen keq për gjendjen në të cilën ka ardhur.

Ish-kryetari i LDK-së la thënë se Osmani si udhëheqëse e politikës së jashtme ka pasur shëtitje e tubime ndërkombëtare pa asnjë efekt për vendin dhe tentim për t’ju “dhënë mend” BE-së dhe ShBA-së.

“Më vjen shumë keq për gjendjen në të cilën kemi ardhur me politikën e jashtme. Është shëtitje në tubime ndërkombëtare pa nxjerrë asnjë efekt për vendin, trishtim i vazhdueshëm i qytetarëve se po na sulmon Serbia, tentim për tu ‘dhënë mend’ BE-së dhe ShBA-së, ngecje totale të dialogut dhe qortime të hapura nga vendet e Quint-it. S’ka asnjë njohje të re, asnjë aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Tjerat janë foto, pa rezultate konkrete”, ka thënë Mustafa.

Gjithashtu, Mustafa ka thënë se Osmani është nën hijen e Kurtit ditën që i është bashkangjitur Vetëvendosjes dhe ka braktisur LDK-në.

“Sa i përket hijes, ajo ka pranuar hijen ditën që iu ka bashkangjitur Vetëvendosjes dhe e ka braktisur partinë që e ka rritë”, ka thënë Mustafa.

Më 4 prill të vitit të kaluar, 71 deputetë patën zgjedhur Vjosa Osmanin në postin e presidentes në raundin e tretë të votimit.

E kuorumin për zgjedhjen e saj si shefe e shtetit ia mundësuan deputetët e LDK-së të cilët morën pjesë në votim për dallim nga PDK, AAK e Lista Serbe të cilët nuk morën pjesë në seancë.

Mandati i Osmanit është pesë vjeçar dhe skadon në vitin 2026.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është refuzuar kërkesa për…