Mustafa: Sa isha kryeministër, Vuçiqi u pajtua që asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive

19 mars 2023 | 14:15

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka folur rreth marrëveshjes së mbrëmshme në Ohër.

Ai ka shpjeguar se kryeministri Albin Kurti e dinte se asociacioni nuk do të bëhej me kompetenca ekzekutive, duke u thirrur në letrën e ish-kryediplomates së BE-së, Federica Mogerini, e cila e garantonte një gjë të tillë. Madje për këtë, Mustafa ka thënë se edhe Aleksandër Vuçiqi ishte pajtua.

Sipas Mustafës Kurti e dinte këtë gjë, por përsëri e sulmonte Kuvendin, madje edhe shtëpinë e tij në Prapashticë.

“Z. Kurti i ka ditë këta gjëra edhe në kohën kur njerëzit e tij ma sulmonin shtëpinë me bomba molotovi, kur e sulmonte ndërtesën e qeverisë dhe të Kuvendit. Unë atëherë kisha marrë garancione kredibile që Asociacioni të jetë në harmoni me Kushtetutën. Ishte çelësi që dekreti që përfshinte edhe statutit ti dorëzohet Gjykatës Kushtetuese në shqyrtim dhe kur ajo e vlerëson se është në rregull, atëherë themelohet asociacioni”, ka thënë Mustafa për “Insajderin”.

Në këtë kontekst, Mustafa ka thënë se tani Kurti nuk mund të thotë nëse kjo është e mundshme.

“Sikurse edhe letra e znj. Mogerini se asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë pushtet i tretë. Për këtë ishte pajtuar edhe z. Vuçiq. Sepse donim të arrinim diçka që funksionon, që është me ligj dhe Kushtetutë dhe që nuk i mashtrojmë as shqiptarët e as serbet. Që na mundëson të ecim drejt marrëveshjes finale dhe njohjes. Tani nuk e di se a do të funksionoj kjo në këto rrethana”, ka thënë Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq është deklaruar sot për takimin…