Narkoza e vizave – mit apo realitet (6)

27 dhjetor 11:26

Shkruan: Agron Hoti

Pse të paguajmë çmim?!

Në qoftë se kriza e refugjatëve sirianë ka dridhur BE-në në tërësinë e saj, ka rritur dhe thelluar ndasitë mes shteteve anëtare të BE-së, ka rritur populizmin nacionalist gjithandej BE-së, ka pjell Brexitin dhe me një fjalë ka shkundur tërë BE-në, pse duhet që Kosova të izolohet duke paguar çmimin e këtyre problemeve gërryese brenda BE-së?! Në qoftë se korrupsioni, krimi i organizuar, ekonomia joformale janë evidente edhe në shtetet më të fuqishme të botës, përfshirë edhe vende të BE-së, atëherë s’mund të pritet as nga Kosova që të jetë imune duke pasur parasysh dallimin në zhvillim të kapaciteteve me shtete mbi 300-vjeçare.

BE asnjëherë se mori parasysh këtë fakt, dhe ndonëse ishim një vend me të kaluar shumë të dhimbshme, ajo e zvarriti këtë proces deri në pafundësi. Pra, edhe pse Kosova doli nga një luftë gjenocidale që sistematikisht ushtronte Serbia mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare, të cilën tërë NATO u desh të zgjohej në këmbë për ta ndaluar, BE na dyfishoi kriteret nga 42 sa kishin vendet e rajonit në 95.

Nuk duhet harruar se pikërisht në kohën kur BE është duke vluar nga problemet e brendshme si p.sh. i) borxhi publik në rritje në pothuaj tërë vendet e BE-së, ii) humbjet elektorale të partive tradicionale që historikisht mbështetën projektin Evropian dhe fuqizimi i atyre që synojnë shkatërrimin e këtij projekti, iii) rënien e nivelit të demokracisë nëpër shtete të ndryshme të BE-së sidomos në pjesën lindore dhe jugore të saj; iv) rritja e disparitetit në zhvillim ekonomik mes jugut dhe veriut të BE-së, iv) rënien e lirë demografike nëpër tërë BE-në dhe nevojën për fuqi të re punëtore dhe jogatishmërinë e politikanëve dhe Shteteve Anëtare të BE-së për të përgatitur vendet e tyre për këtë trend në ardhje, Kosova në anën tjetër në vitin 2016 e 2017 shënoi progres në Raportin e Transparency International duke u ngritur në 10 vende më lartë dhe natyrisht plotësoi edhe kriteret për liberalizim të vizave. Sigurisht që kjo nuk është perfekte, por jep indikacion pozitiv.

Kush e zbuloi korrupsionin?!

Askush nuk e mohon korrupsionin endemik dhe krimin e organizuar në Kosovë dhe rajon, ashtu siç nuk mund ta mohojë korrupsionin brenda BE-së dhe Shteteve Anëtare të saj, ku investitorë evropianë të mbështetur fort nga qeveritë e tyre investojnë sa të munden nëpër shtete me popullsi të mëdha (si Kina, India, Brazili, Indonezia, Pakistani, Bangladeshi, Vietnami, etj.), të cilat vlojnë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Mjafton të lexojmë sot gazetat e njohura botërore dhe të kuptojmë se ç’po ndodh nëpër botë, përfshirë BE-në.

Gazetat si “Economist”, të cilat qytetarët e Kosovës sot për fat të mirë kanë mundësi t’i lexojnë, të mekin për nivelet korruptive brenda BE-së dhe nga nivelet korruptive që kompanitë e BE-së demonstrojnë nëpër vendet ku investojnë, sidomos nëpër vendet me popullsi të mëdha, ku syri i medias nuk arrin të kap detajet dhe ta kuptojë kompleksitetin dhe allazhvereshet e korporatave të ndryshme.

Pastaj, është sekret publik se qindra miliarda euro keqpërdoren nga vet institucionet e BE-së dhe Shtetet Anëtare të saj, këto të fundit keqpërdorin fonde të zhvillimit rajonal. Mjafton të lexosh raportet e Gjykatës së Auditorëve të BE-së si e Raporte të ndryshme ndërkombëtare dhe të shohësh nivelin korruptiv gjatë implementimit të fondeve të BE-së gjithandej globit.

Pra, nëse Kosova ka korrupsion, kjo nuk është më ndryshe as në hapësirat e BE-së. Sigurisht që kjo nuk është arsyetim për vizionin e Kosovës, sepse ne duhet të vazhdojmë të merremi me këtë problematikë të rëndë, por të njëjtën sfidë e ka pothuaj çdo shtet në botë.

Dhe në qoftë se shtete që ekzistojnë që mbi 300 vjet, nuk kanë arritur ta zhdukin tërësisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe ekonominë joformale, e as që pritet ta zhdukin ndonjëherë, pasi vetë struktura e shtetit është aq komplekse sa zbrazëtirat në qeverisje gjithmonë do të jenë aktuale, atëherë si paska mundësi që Kosova ta bëjë një gjë të tillë? Sigurisht që kjo nuk e arsyeton dhe s’duhet të kuptohet si arsyetim i gjendjes jo të mirë në Kosovë, por një shtet që ka vetëm 10 vjet s’mund të arrijë qeverisje ideale.

A ka korrupsion në BE?

A nuk ishte korrupsion nga evropianët transferimet e miliardave euro në Panama Papers, a nuk janë korrupsion miliardat që transferohen nga një shtet në tjetrin brenda vendeve të BE-së për t’iu ikur tatimeve, a nuk janë korrupsion lobingjet e ndryshme brenda BE-së që shtyjnë përpara agjenda të ndryshme në interes të grupeve të ndryshme të interesit, a nuk janë korrupsion shpëlarjet e mbi 100 miliardë euro në vit (sipas “Economist”) vetëm në Londër! Thuhet që institucionet përgjegjëse në Angli nuk po kanë kapacitete e resurse të mjaftueshme për të luftuar shpëlarjen enorme të parave në këtë shtet.

A nuk janë korrupsion afera të panumërta brenda për brenda vendeve të BE-së, a nuk janë korrupsion deponimi i miliarda eurove të kriminelëve më të mëdhenj që ka njohur bota prej pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot nëpër vende të hapësirës së Schengenit, a nuk janë korrupsion aferat multimiliardëshe të fabrikave të veturave që po manipulojnë shifrat e emetimit të dyoksidit të karbonit, industri kjo e mbështetur fuqishëm nga politika e vendeve të ndryshme?!

A nuk është korrupsion tregtia me këlyshë të qenve anë e përtej BE-së (me qindra miliona euro), tregtia me drogë e armë në vlerë miliarda eurosh, a nuk janë korrupsion lidhjet e shefave të shteteve/kryeministrave të vendeve të BE-së, të cilët menjëherë pas përfundimit të mandateve politike, kalojnë në projekte euro-multimiliardëshe, kontratat e të cilave i kishin negociuar sa ishin në pushtet, a nuk janë korrupsion lidhjet e dyshimta të politikanëve të kalibrit të lartë të Shteteve të BE-së me firma të ndryshme kineze, ruse, etj., duke dëmtuar kështu seriozisht ekonominë e BE-së?!

E tash kur afera korruptive ka për çdo ditë nëpër vende të ndryshme të BE-së, cilët janë ata politikanë që po dënohen dhe po futen në burg?! As kjo nuk duhet të arsyetojë kontekstin e Kosovës, por patjetër që tregon se as edhe vendet më të fuqishme në Evropë nuk janë imune ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Madje ka vende të BE-së, të cilat të sfiduara seriozisht nga korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë themeluar Prokurori Speciale (struktura të reja) për të luftuar korrupsionin, Ndonëse rezultatet kanë qenë të kufizuara si çdokund tjetër në botë.

Pra, qëllimi i këtij artikulli nuk është relativizimi i një të keqeje siç padyshim është korrupsioni dhe krimi i organizuar, por vetëm krahasimi i gjendjes, e cila na tregon se keqpërdorimi i parasë publike fatkeqësisht është duke ndodhur në çdo cep të botës. Kjo është tejet e dhimbshme, por fatkeqësisht realitet, ndërkohë që institucioneve të Kosovës, do t’u duhen vite për të reduktuar këto dukuri të këqija, ashtu siç u kanë marrë dhe u marrin vite edhe vendeve më të fuqishme në glob, përfshirë BE-në.

Duhet të jemi të vetëdijshëm që luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është një proces, me të cilin institucionet e Kosovës do të merren një kohë të gjatë. Sa më shumë që do të zhvillohet vendi në aspektin ekonomik aq më i vogël do të jetë korrupsioni, këtë e ka treguar praktika, siç është shembulli me Korenë Jugore dhe pse zhdukja e plotë e tij ka rezultuar të jetë e pamundshme edhe në demokracitë më të zhvilluara në glob. (Vijon)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara