NATO përsërit mbështetjen për Afganistanin

27 korrik 2021 | 17:31

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se ka biseduar në telefon me presidentin e Afganistanit, Ashraf Ghani, për t’i përsëritur mbështetjen e aleancës për vendin e tij.

“Situata e sigurisë në Afganistan mbetet thellësisht sfiduese dhe kërkon zgjidhje të negociueshme”, ka shkruar Stoltenbergu në llogarinë e vet në “Twitter”.

Militantët talibanë kanë intensifikuar luftimet kundër forcave qeveritare të Afganistanit, prejse trupat ndërkombëtare kanë nisur tërheqjen zyrtare nga ky vend, në fillim të majit.

Javëve të fundit, militantët kanë marrë nën kontroll pjesë të mëdha të territoreve, përfshirë pika kyçe të kufijve.

Në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve “RIA Novosti”, zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, ka thënë se grupi i tij kontrollon 90 për qind të kufijve, por këto pretendime janë hedhur poshtë nga Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit.

Përfaqësues të talibanëve dhe zyrtarë të Qeverisë afgane janë takuar për bisedime më 17 korrik, në Doha të Katarit, por përveç premtimeve për bisedime të tjera, nuk është raportuar për ndonjë përparim.

Stoltenbergu ka thënë se NATO-ja do të vazhdojë ta mbështesë Afganistanin “me fonde, prani civile dhe trajnime jashtë vendit”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës nesër (e mërkurë) do ta shqyrtojnë në…