NATO: Rusia t’i përmbahet Traktatit për reduktimin e armëve bërthamore

03 shkurt 2023 | 16:02

NATO i bëri thirrje Rusisë që të përmbushë detyrimet e saj në baze të Traktatit për reduktime të programeve bërthamore të quajtur START.

“Ne shohim me shqetësim se Rusia ka dështuar të përmbushë detyrimet ligjore, përfshirë inspektimin (për programet bërthamore) dhe i bëj thirrje Rusisë të përmbushë detyrimet e saj sipas traktatit”, ka shkuar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në “Twitter”.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se Rusia po shkel Traktatin e ri START, i cili kufizon numrin e mbushjeve bërthamore që mund të dislokojnë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia përmes raketave tokësore, detare dhe bombarduesve.

ShBA-ja ka thënë se Rusia nuk po lejon inspektimin e objekteve të saj, siç e kërkon Traktati.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Vedant Patel, ka thënë se Rusia mund të “rikthehet lehtësisht” te zbatimi i marrëveshjes.

“Ekziston një rrugë e qartë për kthimin (te marrëveshja). Ajo që Rusia duhet të bëjë është që të lejojë inspektimet në territorin e saj, ashtu siç veproi për vite me radhë sipas traktatit të START dhe të marrë pjesë në takimin e komisionit konsultativ dypalësh. Asgjë nuk i pengon inspektorët rusë që të vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe të zhvillojnë inspektimet”, ka thënë Patel.

Zyrtarët rusë i kanë fajësuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen që Uashingtoni i ka dhënë Kievit, teksa Ukraina përballet me agresionin rus.

Richard Weitz, drejtor i Qendrës për Analiza Politiko-Ushtarake në Institutin Hudson i ka thënë “Zërit të Amerikës” se ka disa arsye se pse Moska mund të jetë duke shkelur Traktatin. “Në rastin më të mirë, Rusia po përpiqet të kërkojë lëshime të tjera nga Shtetet e Bashkuara, ndoshta të inspektojë më shumë sisteme amerikane. Në rastin më të keq, Rusia po mban peng procesin e kontrollit të armëve strategjike karshi agresionit të saj në Ukrainë”, ka thënë Weitz.

Rusia nuk ka përjashtuar përdorimin e armëve taktike bërthamore në Ukrainë, çka ka ushqyer frikën globale për një katastrofë bërthamore. /Rel/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Karatesë së Kosovës (FKK) tash e dy ditë…