Ndal projekteve kundërshqiptare!

26 janar 2022 | 12:54

Autorë: Ing. Abdullah Begolli
              Ing. Xhafer Murseli

Bashkëkombës, motra dhe vëllezër,

Ka mbi 30 vjet, që kombi ynë ka marrë tatëpjetën!

Shifrat, që janë treguesit më të saktë, janë alarmante!

Lidhur me këto zhvillime prapakthehu, disa nga të cilat do i cekim në vazhdim, ftojmë udhëheqjet e Shqipërisë dhe të Kosovës, që të heqin nga programet e tyre qeverisëse të gjitha projektet kundërkombëtare të projektuara në Akademinë serbe të Shkencave në Beograd, dhe t’u kthehen projekteve të përbashkëta gjithëkombëtare, për të cilat kanë mandatin e popullit dhe do të kenë, pa mëdyshje, mbështetjen e tij të gjerë.

Që të ndalet kjo rrjedhë negative, kërkojmë nga kuvendet e dy shteteve shqiptare, që të shfuqizojnë urgjentisht bisedimet e deritanishme rreth projekteve:

• Ballkani i Hapur

• Gazi rus apo cilido gaz i huaj

• Zajednica dhe të gjitha projektet kundërkombëtare

• Të ndalohet me kushtetutë çfarëdolloj marrëveshjeje e nënshkruar shtetërore me Serbinë.

Për marrëveshje me Serbinë mund të diskutohet vetëm atëherë, kur ajo ta njohë botërisht Republikën e Kosovës si shtet sovran

Parlamentet e dy shteteve shqiptare duhet ta ndalojnë me Kushtetutë shitjen apo tjetërsimin e pasurive natyrore dhe të të gjitha pasurive me peshë kombëtare dhe këto pasuri të mbeten në pronësi të përhershme shtetërore.

Nga qeveritë shqiptare duhet të organizohet urgjentisht:

• Konferencë shkencore gjithëkombëtare mbi pasuritë natyrore të gjeografisë sonë.

• Të rifillojë menjëherë projekti “800 MW”, i mbetur përgjysmë, për rindërtimin e TEC “Kosova A” nga firma gjermane “Bilfinger.

• Të rishqyrtohen të gjitha marrëveshjet për shitjen dhe tjetërsimin e pasurive kombëtare dhe ato t’u kthehen në pronësi shteteve tona.

• Mos HARRONI, ju zonja dhe zotërinj të politikës, që për projekte madhore, nuk mund të vendosni vetë apo në emër të një numri votash të subjektit që i përkisni, por duhet të pyesni POPULLIN, i cili është mbi partitë dhe interesat e kujtdo qofshin, të huaja apo grupe interesash të brendshëm.

• Nëse politika ka frikë, për një “arsye” apo për një tjetër, që të marrë vendime të duhura e në interes të popullit dhe të vendit, ta thërrasë POPULLIN në REFERENDUM, që të thotë fjalën e vet, si e drejta më bazë demokratike.

Si dëshmi, po përmendim disa nga projektet shkatërruese, që u realizuan në dëm të popullit dhe vendit tonë. Ato janë:

• U shkatërrua mbrojtja e vendit, arsimi, kultura kombëtare, shëndetësia…

• Popullsia: Në vitet ’90 shqiptaria numëronte rreth 6 -7 milionë banorë dhe në vend që të dyfishohej, numri i popullsisë u përgjysmua, duke i bërë kështu vendet tona kampione në botë për rënien e popullsisë për vetëm rreth 30 vjet.

• Ekonomia, me të gjitha degët e saj, u shkatërrua dhe ra në gjendje të rëndë. U krijua varfëri e skamje, por edhe vështirësi në sigurimin e bukës së përditshme për qytetarët, që paraprakisht e kishim me bollëk.

• U falën dhe u tjetërsuan shumë territore dhe pasuri natyrore kombëtare, nisur nga ato minerare dhe energjetike, si p.sh.:

– kromi, me prodhimin e të cilit Shqipëria radhitej në vendin e tretë në botë, ndërsa për banorë zinte vendin e parë në botë;

– bakri, mbi bazën e përpunimit të të cilit ishin ngritur në vend fabrika përpunimi, sikurse ajo për prodhimin e kabllove elektrikë etj.;

– hekur-nikeli, për përpunimin e të cilit ishte ngritur një kombinat i tërë metalurgjik;

– burimet e shfrytëzueshme të naftës dhe gazit, që Shqipëria llogaritet t’i ketë rreth 400 milionë tonë rezerva nafte dhe miliarda m³ gaz- burimi: “Albania Oil, Gas & Energy Summit 2015”.  

– industria e hekur-nikelit në Kosovë;

– mineralet e Trepçës, të cilat shiten me çmime simbolike.

• Falja e detit Greqisë, nën ujërat e të cilit, sipas të dhënave të ndryshme, gjenden rezervat më të mëdha në Mesdhe dhe Jon me naftë dhe gaz, si dhe shumë pasuri të tjera natyrore dhe kombëtare.

• Falja e territoreve kombëtare shteteve fqinje, Maqedonisë dhe Malit të Zi.

• Privatizimi qesharak i rrjetit shpërndarës të energjisë në dobi të Turqisë.

• Privatizimi qesharak i aeroportit “Adem Jashari”.

Theksojmë këtu, se të gjitha këto pasuri, që veçse ishin shtylla kryesore zhvillimi të kombit, ishin edhe shtylla të sigurisë kombëtare, të cilat kaluan në duart e pronarëve të huaj, për interesa grupesh dhe individësh ndër ne, por për të keqën e popullit dhe të vendit.

Të gjitha këto u bënë me arsyetime të pabaza, se kështu kërkojnë miqtë tanë, si kusht i integrimit në BE etj.

Të gjithë jemi dëshmitarë, se me ndërhyrjen e NATO-s, ende pa u shuar flakët e luftës që kishin mbuluar gjithë Kosovën, më vonë Kosovën Lindore dhe Iliridën, qindra-mijëra shqiptarë të larguar dhunshëm, u kthyen në atdhe, sepse e donin dhe mendonin ta ringrinin vendin e vet. Ata u kthyen, sepse mendonin që liria, për të cilën populli dha aq shumë, si pak popuj në botë, këtë radhë erdhi e forcuar bashkë me NATO-n dhe shumë dhanë jetën nga minat dhe nga zjarri i luftës ende të pashuar.

Paslufta dhe zhvillimet pasuese, pikërisht nga politika puthadorë gjithëkombëtare, e cila e vazhdoi të keqen duke pranuar çdo projekt të pushtuesve, bëri që populli i zhgënjyer të largohej përsëri nga tokat e veta.

Prandaj shtrohet pyetja:

– Nëse ne e kemi humbur sovranitetin dhe pasuritë natyrore, që janë shtyllat e sigurisë kombëtare për çdo popull dhe vend, dhe nëse ne e kemi humbur edhe vetë popullin si rezultat i projekteve të pushtuesve, kujt i duhen pastaj vizat dhe përse?!

– A nuk jemi ne populli më i vjetër i kontinentit e më gjerë? A nuk kemi kaluar ne vështirësi mbi vështirësi, pa u gjunjëzuar, dhe pse tani duhet të gjunjëzohemi para pushtuesve?!

Çdo politikë që erdhi në pushtet, me premtimet se do t’ia rikthente popullit pasuritë dhe dinjitetin, vetëm sa e thelluan të keqen: mashtruan!

Është tepër e pakuptimtë (dhe si duket ndodh vetëm te ne), që me kaq zell, jo pak politika udhëheqëse ndër shqiptarë i përkrahin dhe i shtyjnë përpara projektet e huaja, duke mashtruar një pjesë jo të vogël të popullit, se gjoja këto projekte janë në dobi të vetë popullit shqiptar, sikurse gënjente politika për ndryshimet kushtetuese që bënte Serbia pushtuese në Kosovë në vitet ‘90, e që pastaj imponuan luftën.

A e dinë këto politika kuislinge, se s’do të mundej të gjendej as për “ilaç”, qoftë edhe një qytetar serb apo i huaj, që do të përkrahte një projekt shqiptar, e të mos flasim më për politika apo politikanë të huaj.

· Çfarë paraqesin këto projekte, që ne i kundërshtojmë me vendosmëri:

1. Lufta dhe “Ballkani i Hapur”!

Tanimë edhe fëmijët e kuptojnë, se i ashtuquajturi “Ballkani i Hapur”, “Mini-Shengeni”, “Ballkani Perëndimor” etj., nuk janë asgjë tjetër, por thjesht ridefinim i ri i Jugosllavisë së vjetër, si kompensim për ndarjen e Kroacisë dhe Sllovenisë nga Serbia. Për këtë, miqtë e Serbisë do ta shpërblejnë atë me ato pak copa shqiptarie ende të mbetura, por që po fundosen.

Të gjitha këto projekte janë në funksion të zhbërjes së Kombit Shqiptar, dhe janë shumë herë më të rënda e më fatale, sesa të gjitha konferencat e mëhershme ndërkombëtare, që bënë copëtimin e dhimbshëm të kombit shqiptar.

Kjo për faktin, se ato konferenca bënë copëtimin e territoreve shqiptare, ndërsa

“Ballkani i Hapur” – Serbosllavia, do të bëjë zhbërjen edhe të atyre copëzave të dala nga ato konferenca.

Shtrohen pyetjet:

– Pse u bë lufta në Kosovë, Maqedoni dhe Preshevë?!

– U bë për t’u çliruar nga okupimi sllav, apo për ta bashkëngjitur edhe atë copë Shqipërie me pjesët e tjera të saj, si vagoneta të lokomotivës serbe?!

– Pse tani kjo miqësi me Serbinë okupuese shekullore?

Kroatët dhe sllovenët, që i takojnë së njëjtës familje popujsh sllavë me serbët, me kurrfarë çmimi, nuk pranojnë kurrfarë integrimi me një shtet që tentoi të shfaroste popuj të pafajshëm, që me kushtetutë i takonin së njëjtës krijesë artificiale- Jugosllavisë së titos pa dhënë kurrfarë llogarie!

Ja çfarë thotë neni 142 i kushtetutës kroate:

“Çdo procedurë për përfshirjen e Republikës së Kroacisë në aleancë me shtetet e tjera, nëse kjo aleancë çon ose mund të çojë në ringjalljen e unionit të shteteve të sllavëve të jugut, është e ndaluar”.

Vlen për të theksuar, se populli shqiptar derdhi shumë gjak për t’u çliruar nga kthetrat e Serbosllavisë.

Lufta e UÇK-së, me të gjitha ato bija dhe ata bij të popullit, nga të gjitha moshat dhe të gjitha trevat, që nga fëmijë djepi, që ranë në altarin e lirisë, nuk u bë për të krijuar miqësi me armikun shekullor e as për planifikim projektesh të tilla, që synojnë ripushtimin me pajtim dypalësh të politikanëve miopë apo të shitur.

Kujtojmë këtu martirët:

Adem Jasharin me familje, Fazli Greiçevci, Jusuf Gërvalla, Ukshin Hoti, Zahir Pajaziti, Fehmi dhe Gjevë Lladrovci, Adem Shehu, Astrit Suli, Tahir Sinani, Merita Cahani, Qemal Shaqiri, Ramiz Demiri, Mevludin Mehmeti, Ibrahim Fejzullahu, Ridvan Qazimi e mijëra heroina dhe heronj, dëshmore dhe dëshmorë, nga e gjithë gjeografia jonë kombëtare, që dhanë jetën për këtë kauzë të shenjtë: çlirimin nga robëria!

Po të pranohej me kohë ky projekt i hershëm serb, nuk do të kishim pasur:

– qindra-mijëra të ndjekur, të persekutuar e të burgosur shqiptarë burgjeve sllave, të dënuar me miliona vite burg;

– varreza masive;

– djegie kufomash nëpër furrat industriale;

– dhjetëra e mijëra dhunime;

– dëbime masive të popullsisë;

– djegie të Kosovës anekënd saj;

– s’do të kishim pasur nevojë për përkrahje nga NATO-ja, që ta fusnim në konflikt me Rusinë etj.

Shkurt dhe shqip, “Ballkani i Hapur” është projekt serb dhe për interesa 100% serbe, projekt të cilit, ndër të tjera, i paraprin edhe autostrada Durrës – Merdar, me financim 100% nga shqiptarët, për t’i mundësuar Serbisë që të pushtojë tregjet shqiptare pa paguar qoftë edhe një cent, në një kohë kur shqiptarët prodhojnë shumë pak ose gati hiç për të eksportuar.

Duhet të kemi parasysh autostradën moderne Zagreb – Dubrovnik, me vazhdim për Malin e Zi, ku kroatët kanë paguar 0 euro për të, por i tërë projekti është i mbuluar nga BE-ja dhe mekanizma tjerë financiar ndërkombëtar?

Të mos harrojmë se Bashkësia ndërkombëtare përkundrejt pranisë së madhe në Kosovë, nuk ka bërë qoftë edhe një investim sado të vogël, ku do të punësoheshin dhjetëra punëtorë, kur në të njëjtën kohë, shtetet për rreth i ka mbuluar me investime punësimi.

Vetëm shqiptarët, për shkak të politikave kuislinge, ngarkohen me shuma marramendëse për projekte që vetë, vetëm për qëllime terciare, mund t’i përdorin; ndonjë pushim, vizitë restoranteve që e kanë mbuluar si askund tjetër gjeografinë tonë kombëtare, por jo fabrika dhe objekte të tjera prodhimi dhe punësimi.

Dhe ne, që i kemi të gjitha burimet natyrore dhe njerëzore në tokën tonë, s’kemi nevojë për ndihma humanitare, që nuk sjellin zhvillim, por varësi, por kemi nevojë për projekte të përbashkëta zhvillimi.

2. Po projekti i gazit, çfarë do të thotë dhe pse duhet kundërshtuar me vendosmëri?!

“Kriza energjetike do të vijë dhe do të jetë e tmerrshme.”

Kur errësohet, ne ndezim dritën. Kur bën ftohtë, ne ngrohemi me mënyra të ndryshme.

Sa herë që kemi nevojë për energji, për industrinë dhe teknologjinë globale, ne i shërbejmë vetes në çdo kohë.

Por shpejt karburantet e tokës, si: qymyri, gazi, nafta dhe uraniumi, do të harxhohen përfundimisht. I fundit fik dritën!

Dhe pastaj?

Kështu thotë fizikani nobelist, Robert B. Laughlin, për të ardhmen e furnizimit tonë me energji.

A thua se nuk di fizikani nobelist për burimet diellore të energjisë, që rrezikun për energjinë e sheh nga shterimi i burimeve konvencionale?!

Burimet parësore energjetike kanë qenë, janë dhe mbeten problemet kryesore të njerëzimit, saqë edhe luftërat në botë bëhen kryesisht për përvetësimin e tyre.

Treguesit e freskët mbi ecurinë e rritjes së çmimeve të qymyrit, gazit, naftës etj., e kanë alarmuar politikën kryesore botërore, saqë nuk dinë se cila do të jetë zgjidhja.

Vetëm politika shqiptare fle mbi dafina, edhe pse gjeografia jonë kombëtare fle mbi rezerva dhe resurse gjigante burimesh energjetike dhe pasuri të tjera natyrore, ndërsa kombi ynë vuan për energji, vuan për punë dhe bukë, ndaj “ka zgjedhur” rrugën më dëshpëruese: largimin nga atdheu, ASIMILIMIN!

Tashmë gjysma e kombit nuk mundet kurrsesi t’i ikte kësaj fatkeqësie, kurse gjysma e dytë po ndjek të njëjtën rrugë!

• Çka tregojnë për ne çmimet e ngritura rishtas të qymyrit, gazit dhe naftës?

• Qymyri

Sipas çmimit aktual të qymyrit në tregun ndërkombëtar, e vërteta është se vlera e rezervave të qymyrit të Kosovës (resurse me siguri që ka shumë më tepër), është rreth 2800 (dymijë e tetëqind miliardë euro, që do të thotë rreth 1,5 milionë euro për banor.

Kjo është vlera e qymyrit sipas peshës, ndërsa vlera energjetike e tij është disa herë më e lartë, kur kemi parasysh faktin që vlera energjetike për një ton qymyr shkon deri në mbi 8 MW/h, në varësi nga cilësia.

Projekti i gazit na vjen si rrjedhojë e projektit “Ballkani i Hapur” – Jugosllavia e tretë, me qëllim që shqiptarëve, njëherë e përgjithmonë, t’u hiqet mundësia e pavarësimit dhe e zhvillimit politik e ekonomik. Pra, të ketë stanjim, jo përparim, dhe që shqiptarët t’i bëjnë të varur nga burimet e huaja që janë shumë të kushtueshme. Në anën tjetër, t’ua marrin falas burimet kolosale vendore të qymyrit, sikurse i kanë marrë tashmë burimet kolosale të naftës dhe gazit në shtetin amë, Shqipëri.

Edhe budallenjtë e dinë, se sot ka përparuar teknologjia e djegies së lëndëve djegëse fosile (qymyri, nafta, gazi). Dihet se CCS-Carbon-Capture-Storage TC e varrosin të gjallë CO2.

Pikërisht kjo bën të kuptohet pse bash tani iu shpallet luftë edhe atyre pak burimeve të mbetura fosile të energjisë, kur teknologjia e djegies së tyre është e sofistikuar.

Nëse s’ka mbetur gjë për t’u djegur, do të duhej të ndiheshim të lehtësuar përballë klimës.

Cilido që të jetë qëllimi i fundit për projektin e gazit, i cili sa vjen e aktualizohet, shqiptarët nuk duhet assesi ta pranojnë këtë projekt gazi si bazë për TEC-et.

• Pse s’duhet ta pranojnë?!

1. Sepse edhe gazi, sikurse qymyri dhe nafta, është burim fosil energjie, i rrezikshëm për klimën, edhe pse me shkallë pak më të ulët të çlirimit të CO2 në natyrë.

2. Sipas çmimit aktual të gazit, nëse Kosova furnizohet me gaz rus, p.sh., për një TEC prej 2000 MW/h, sipas parashikimeve të rritjes vjetore të çmimit të gazit, do t’i duhej të paguante për të mbi 200%, pa llogaritur këtu çmimin përfundimtar të rrymës elektrike, që ende e rrit çmimin:

· rreth 100 mi € në orë

· rreth 3 milionë € në ditë

· rreth 1 miliard € në vit

· rreth 30 miliardë € në 30 vjet

· apo të paktën mbi 150 € në muaj dhe për banor.

Mendojeni vetë, se a mundet ta mbajë populli ynë këtë barrë?!

3. Nëse Kosova do ta blinte të gatshme këtë sasi energjie, do t’i kushtonte mbi 2 herë më pak.

3.1. Ndërsa po ta përfitonte nga qymyri i vet, do t’i kushtojë rreth 5 herë më pak.

4. Në anën tjetër dhe kryesorja, siguria nga burimet e veta është 100%.

Çfarë na duhet më tepër?!

Vetëm MEND, se të gjitha të tjerat i kemi!

Dhe jo vetëm kaq!

• Qëllimi i furnizimit të shqiptarëve me gazin rus është pikërisht qymyri i Kosovës, gazi dhe nafta e Shqipërisë!

Pse këto?!

5. Sepse duke u ofruar shqiptarëve burime të huaja energjetike, i bëjnë ata të varur përjetësisht, duke i futur në kredi për ta paguar gazin rus gjithnjë e më shtrenjtë, duke u thënë se qymyri nuk bën të digjet, sepse liron shumë CO2. Me siguri që do të gjendet ndonjë “BAMIRËS”, që të na e heqë qafe këtë qymyr të keq, dhe politikat tona, me mirëkuptimin që kanë treguar ndaj “miqve”, shumë lehtë do të bëjnë dikë nga miqtë pronarë edhe të qymyrit të Kosovës, kuptohet pa harruar ca interesa klanesh dhe individësh.

Dhe pastaj, ne, shqiptarët, do të asimilohemi rrugëve të botës duke kërkuar jetë më të mirë!

6. Ai që do të bëhet pronar i qymyrit të Kosovës, nesër, pasi ne ta kemi ngritur TEC-in me bazë gazin dhe pasi të jemi futur në borxh deri në fyt, do të ndërtojë TEC-in në tokën tonë, me qymyrin tonë, me “argat” shqiptarë. Pastaj do të shesë energji ku të dojë, do të na furnizojë edhe ne me çmime më të ulëta, sesa ne që përfitojmë nga gazi; do të na ndotë ambientin pa i tërhequr vërejtje askush dhe neve TEC-i me gaz do të na mbetet ngrehinë – dhuratë nga miqtë, që kurrë miq s’na quajtën.

7. Një shembull të tillë konkret e kemi te klasat politike në shtetin amë, Shqipëri. Rezervat dhe resurset e gazit natyror, naftës dhe burimet minerare u zhdukën, u gllabëruan nga bandat vendore dhe ndërkombëtare e, së fundmi, po asgjësohen edhe uzinat e përpunimit në Elbasan, për të mos lënë gjurmë gjallërie.

8. Kështu Shqipëria ka kohë që shumicën e nevojave për energji i plotëson nga burime të ripërtërishme uji. Ajo njëkohësisht kishte në shfrytëzim burime të mjaftueshme të gazit dhe naftës nga trualli i vet, që i tejkalonin nevojat vendore, por politika atje, në vend që të pranojë gaz të huaj me çmime të larta dhe të zbatojë projekte të huaja, duke gënjyer popullin se janë në të mirën tonë, duhet t’i tregojë popullit se ku u tretën burimet kolosale të gazit, naftës dhe ato minerale në Shqipëri?!

Këtë kërkesë populli e ka vazhdimisht, derisa të dijë të vërtetën e pasurive që i takojnë atij e jo udhëheqjes, dhe ato duhet t’i kthehen.

9. Kosova ka rezerva dhe resurse qymyri për dhjetëra shekuj.

Pse u dashka të heqë dorë prej tyre, kur teknologjia e përsosur e djegies së qymyrit i plotëson të gjitha standardet e kohës rreth klimës dhe mjedisit?!

10. Aktualisht në botë janë në ngritje e sipër rreth 1400 TEC-e me qymyr, pa llogaritur qindra e mijëra të tjera ekzistuese, që as u shkon ndër mend t’i ndalojnë së punuari.

11. Në Ballkan janë rreth 20 të tilla me fuqi të mëdha

Këto kohë Maqedonia i kërkoi Kosovës ndihmë për furnizim me qymyr për TEC-et e veta, në mënyrë që të plotësojë nevojat vendore.

12. Asnjë shtet në botë apo në BE nuk i plotëson nevojat me energji, pa burimet kryesore konvenciale, si: qymyri, nafta, gazi dhe urani.

13. Djegia e qymyrit nuk paraqet rrezik më të madh se e uranit. Të kujtojmë këtu Cernobilin në Ukrainë, apo Fokushimën në Japoni.

Vetëm Franca ka rreth 60 TEC-e atomike.

Dhe për t’u kuptuar e tërë kjo lojë fjalësh duhet të lexohet vendimi i BE-së, mu që në fillimin e vitit të ri 2022, që energjinë e uranit e shpalli si energji të gjelbër, por që u kundërshtua menjëherë fuqishëm nga Partia gjermane e të Gjelbërve, me zëvendëskancelarin Robert Habeck.

Pra, deri dje urani ishte rreziku kryesor, por nga sot nuk është!!!

Dhe kjo u bë, ngaqë tashmë BE-ja futi në funksion gazsjellësin mijëra km nën det nga Rusia, apo rreth 60 TEC-et atomike në Francë e shumë të tjera jo vetëm në BE, së bashku me ato të reja që po ngritën në Sllovaki etj.

Kjo na bën të kuptojmë në këtë fillimviti, se diskutimet dhe cilësimet rreth energjisë janë 100% politikë strategjike, ndaj ne duhet me çdo kusht t’i ruajmë burimet tona dhe t’i shfrytëzojmë vetë, pa lejuar duar të huaja mbi to.

Politika shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë e saj, t’i kuptojë qëllimet afatgjata të vendimeve dhe veprimeve të të tjerëve karshi nesh!

Qymyri nuk cilësohet kot ARI I ZI.

Gjermania po premton se për dhjetëra vjet do të heqë dorë nga djegia e qymyrit, megjithatë e ruan si vlerë kombëtare! Nuk e shet atë, edhe po t’i vlerësohet me ar.

Provojeni dhe pyesni!

Mbi bazën e këtyre zhvillimeve, shqiptarët duhet të jenë të fundit, që të heqin dorë nga djegia e qymyrit  të vet, pasi nuk kanë rrugëdalje. Pra të fundit pas të të gjithave TC me qymyr në Ballkan dhe të fundit, pas Kinës, Indisë, Rusisë etj., superfuqi botërore këto, që deklaruan para pak kohësh dhe botërishtë në Konferencën Ndërkombëtare mbi Klimën në Glasgou,  apo me veton në KB pak kohë më parë, se do të largohen nga djegia e qymyrit diku rreth viteve 2060-70!

Por cilado që të jetë baza e “shqetësimit”, edhe nëse vërtet do të ishte klimatike, Shqipërinë dhe Kosovën i përjashton nga përgjegjësia, për faktin se energjia e përfituar nga këto lëndë djegëse te ne, krahasuar me atë në shkallë botërore, ka ndikim në klimën globale sa një litër uji në oqean.

Madje në këtë pikë, shqiptarët gjithsesi gjenden në krye të listës së shteteve në të gjithë botën, që shfrytëzojnë burimet diellore për përfitimin e energjisë.

Nëse dikush do ta ruajë klimën globale duke i gjobitur shqiptarët që të mos përdorin burimet e veta energjetike, ai apo ata dikush le të marrin vetë obligimin, që të financojnë projekte të tilla pa qymyr, ngaqë shqiptarët janë në fund, janë sjellë në mënyrë të tillë, që edhe bukën e përditshme s’mund ta sigurojnë në njërën anë, ndërsa në anën tjetër nuk janë as në BE dhe s’kanë as edhe një obligim, kur vetë të tjerët brenda BE-së nuk kanë hequr dorë (vetëm fjalë), dhe as do të heqin dorë ndonjëherë nga djegia e qymyrit për arsye klime!

Shqiptarëve iu vihen kufizime, pikërisht se kanë fuqi energjetike.

Dikush ia ka vënë syrin qymyrit tonë.

Para ca kohësh, qymyri i Kosovës nuk shqetësonte njeri dhe as institucion ndërkombëtar.

Projekti i “TEC Kosova e Re” ishte interes i huaj dhe fatbardhësisht u spostua, apo rindërtimi i “TEC Kosova A” nga firma Gjermane “Bilfinger” para pak vitesh 800 milionë euro për fuqi 800 MW/h, projekt i përkrahur edhe nga vetë ish-kancelarja gjermane Merkel, por që përshkak të papërgjegjësisë së politikës sonë, fatkeqësisht dështoi. Ky projekt duhet të fillojë të realizohet sa më shpejt.

3. “Zajednica” dhe “Ex-territorialiteti” i objekteve fetare

Me “Ballkanin e Hapur” – Jugosllavinë e Tretë, Serbia ka arritur që ta hedhë rrethin gjithë shqiptarisë. “Zajednica” dhe “Ex-territorialiteti” i duhen Serbisë, që ta copëtojë dhe minojë nga brenda Kosovën, në mënyrë që shqiptarët të shpërngulen sa më parë, duke migruar nëpër botë.

• Kush duhet ta japë fjalën e fundit për projekte me peshë kombëtare?!

Në kushte normale, për projekte me interes shtetëror, fjalën e fundit do të duhej ta kishin institucionet përkatëse kërkimore shkencore.

Fatkeqësisht dhe jo rastësisht, shqiptarët i kanë shuar këto institucione si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë.

Në mungesë të tyre, duhet angazhimi i njëmendtë i inteligjencës, duke filluar nga Akademitë e Shkencave, universitetet, shkollat, rinia studentore etj.

Është më se e nevojshme ngritja e nivelit të vetëdijes popullore.

Të ndëshkohet politika, e cila punon për interesa të huaj.

Fjalën e fundit për të gjitha projektet madhore kombëtare duhet ta japë populli me REFERENDUM.

Në situatën aktuale dhe vazhdimisht, populli shqiptar ka dëshirë që t’i shohë kryeministrat aktualë shqiptarë, Edi Rama dhe Albin Kurti, së bashku me udhëheqësit shqiptarë nga Tetova, Ulqini dhe Presheva, në Tiranë, duke promovuar institute dhe projekte zhvillimore gjithëkombëtare, e assesi promovime projektesh, siç është “Ballkani i Hapur”!

Individë, grupe interesi etj., që me apo pa vetëdije i kanë përkrahur apo i përkrahin këto projekte, i kanë bërë shërbimin më të keq popullit dhe vendit, rrjedhimisht edhe pasardhësve të tyre familjarë.

Populli shqiptar duhet të vetëdijesohet dhe të kuptojë sa vijon:

Është e vërtetë, që një vend që ka burimet kolosale energjetike dhe minerare në truallin e vet, të paktën për dhjetëra shekuj, quhet shqiptari.

Pra, te ne nuk paraqet shqetësim mungesa e resurseve natyrore dhe njerëzore, por shqetësim në rritje paraqet mbrojtja e tyre për interesa të popullit dhe vendit.

Ata që kundrejt këtyre potencialeve kombëtare e problematizojnë ngritjen dhe zhvillimin e vendit tonë në përgjithësi, kushdo qofshin: politikanë, analistë, shkencëtarë, vendas apo ndërkombëtarë, janë po ata vetë problemi i stabilizimit, i ngritjes dhe i zhvillimit të vendit tonë.

Ata janë, të paktën, fatkeqësia e këtij vendi dhe e popullit shqiptar.

Janar, 2022

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kim Kardashian nuk është duke komunikuar me ish-bashkëshortn e saj…