‘Ndalëm haraçin ndaj qytetarëve nga ZRrE-ja, kryeministria dhe presidenca’

23 maj 2022 | 13:33

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ka thënë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) duhet ta pezullojë vendimin për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Ai ka thënë se me iniciativë të PDK-së është pezulluar siç e ka quajtur ai “haraçi i padrejtë”, i vendosur për qytetarët e Kosovës nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) së bashku me zyrën e kryeministrit dhe presidencën.

“Ju e dini që grupi parlamentar i PDK-së ka pasur një angazhim jashtëzakonisht të madh deri tek momenti ku do të pezullohet tarifimi me tarifa të shtrenjta të energjisë elektrike në Kosovë. Këtë e kemi arritur në javën e kaluar, ku Gjykata e Apelit ka marrë një vendim që është në favor të grupit tonë parlamentar. Këto tarifa të shtrenjta janë pezulluar dhe haraçi i padrejtë që kishte vendosur ZRrE-ja me zyrën e kryeministrit dhe presidencën kemi arritur ta pezullojmë me mjete ligjore”, ka thënë Tahiri.

Më tutje, ai ka thënë se fakti që KESCO ka paqartësi në aplikimin e tarifave pas vendimit të Apelit, nënkupton se ZRrE-ja është duke tentuar  të krijojë konfuzion.

“Ajo që është shqetësuese është se KESCO ka paqartësi nga ZRrE-ja për tarifimin e energjisë elektrike pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Mendoj që këtu ZRrE-ja duhet ta ndalë çfarëdo tendence që duhet që ka qëllim të mos respektohet ky vendim. Ata kanë deklaruar vet se do ta respektojnë vendimin e Gjykatës së Apelit, por duket se nuk ka dhënë qartësi te KESCO për tarifimin e rrymës për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se Kosova ka prodhuar mjaftueshëm energji edhe gjatë kohës kur konsumi ishte i lartë.

“I bëj thirrje edhe njëherë ZRrE-së të mos krijojë kurrfarë paqartësie, kurrfarë konfuzioni dhe të respektohet vendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës që të bëhet tarifimi me tarifa të ulëta”, është shprehur Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) nga ky vit ka nis…