Ndalohet për 48 orë polici që rrahu 21-vjeçarin, i cili pësoi sulm në tru

08 prill 2020 | 20:20

Prokuroria Themelore në Prishtinë sot ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin R.A. zyrtar policor, nën dyshimet se ka kryer veprën penale keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.

Siç njofton Prokuroria, R.A. dyshohet se më 5 prill 2020, ka keqpërdorë detyrën zyrtare dhe pasi që e ka ndaluar në një pikë kontrolli një person në kryeqytet, ndaj tij ka ushtruar dhunë fizike duke e goditur në kokë dhe pjesë tjera të trupit.

“Si pasojë e kësaj, personi i sulmuar ka marrë dëmtime serioze në kokë, lëndime këto nga të cilat një ditë më vonë ka pësuar sulm në tru, duke humbur vetëdijen, ku i është nënshtruar intervenimit kirurgjik në Klinikën e Neurologjisë në QKUK. Prokurori i Shtetit është duke e përcjellë me vëmendje gjendjen shëndetësore të të dëmtuarit, si dhe është në pritje të raportit të detajuar nga ana e stafit mjekësor. Prokurori i Shtetit gjatë afatit prej 24 orëve do të parashtrojë në Gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit”, thuhet në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi po studion një mënyrë për të zvogëluar pagat…