Ndërhyrjet politike në Këshillin e Cilësisë mund të sjellin pasoja ndërkombëtare

17 korrik 12:42

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, e ka ftuar qeverinë të tërhiqet nga tentimet për të ndikuar në vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC). Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka bërë me dije se ndërhyrjet e tilla politike mund të sjellin pasoja në rrafshin ndërkombëtar për Kosovën. Sipas Pupovcit, kjo mund çojë në përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit nga Rrjeti Evropian i Agjencive për Sigurimin e Cilësisë (ENQA). Profesori universitar ka vlerësuar se kryeministri dhe ministrat duhet të tërhiqen nga këto veprime sepse, sipas tij, Kosovës nuk i duhet izolimi i arsimit të lartë nga Evropa. Pupovci ka treguar se vendimin e KShC-së mund ta ankimojnë universitetet dhe jo qeveria. Ai ka theksuar se të rinjtë humbin shumë më tepër nëse studiojnë në një institucion i cili nuk i përmbush standardet e cilësisë sesa nëse orientohen për të studiuar në një institucion tjetër

“Epoka e re”: Z. Pupovci, Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) ka marrë vendim që tri universiteteve publike, “Ukshin Hotit”, “Haxhi Zekës” dhe “Isa Boletinit”, dhe katër kolegjeve private t’ua heqë akreditimin, duke pamundësuar kështu regjistrimin e studentëve të rinj këtë vit. Si e keni parë këtë veprim të këtij institucioni?
Pupovci: Tanimë është publikuar vendimi i plotë i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) dhe po shihet se pikërisht këtyre institucioneve të cilat nuk janë akredituar, u janë akredituar disa programe. Pra, bëhet fjalë për heqjen e akreditimit institucional, jo për akreditimin e programeve. Si do që të jetë, kjo nënkupton se këto institucione nuk mund të regjistrojnë studentë brenda një viti. Unë konsideroj se kjo është një periudhë brenda së cilës ato institucione duhet të bëjnë përpjekje që t’i adresojnë vërejtjet nga raporti i ekspertëve dhe të shohin se si mund të përmirësohen në mënyrë që vitin tjetër të mos i lejojnë veeës të dështojnë edhe një herë në akreditim, sepse pastaj vjen edhe te mbyllja e institucionit. Prandaj, është një sinjal për këto institucione, besoj edhe për të tjerat, se duhet të përmirësohen në standardet e cilësisë. Besoj se ato do ta shfrytëzojnë këtë rast në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Epoka e re”: Pas publikimit të vendimit të KShC-së, kemi pasur një reagim të kryeministrit i cili ka paralajmëruar se do të ndërhyjë. Çfarë pasoja mund të sjellë kjo?
Pupovci: Këtu bëhet fjalë për një institucion të pavarur i cili është emëruar nga Kuvendi i Kosovës dhe çdo ndërhyrje e qeverisë në punën e këtij institucioni quhet ndërhyrje politike. Ndërhyrja e tillë mund të sjellë pasoja në rrafshin ndërkombëtar, në rastin konkret do të ishte përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit nga Rrjeti Evropian i Agjencive për Sigurimin e Cilësisë (ENQA), ashtu siç u përjashtua para një viti e gjysmë nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR), që ishte, po ashtu, pasojë e një ndërhyrje tjetër politike të qeverisë. Prandaj, konsideroj se Kosovës nuk i nevojitet që arsimi i lartë i saj të izolohet nga Evropa. Në këtë mënyrë, mendoj se kryeministri dhe ministrat që janë prononcuar në këtë drejtim duhet të tërhiqen nga veprimet e tyre dhe të mos bëjnë hapa të cilat do t’i kushtojnë arsimit të lartë të gjeneratave të reja.

“Epoka e re”: Më pas kemi pasur një lloj sqarimi nga ministri i Arsimit, i cili ka deklaruar se KShC-ja ka shkelur vendimin e MAShT-it pasi që nuk është dashur të dalë me vendim para se Agjencia Kundër Korrupsionit të marrë vendim nëse ka pasur konflikt interesi në këtë vendim?
Pupovci: Sa e kam kuptuar unë vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i cili është publikuar në uebfaqen e universitetit, ajo konsideron se fakti që pesë anëtarët vendorë të KShC-së janë nga Universiteti i Prishtinës paraqet një shkelje ligjore, sepse udhëzimi administrativ thotë se maksimumi tre anëtarë mund të jenë nga një universitet, ndërkohë ka ndodhur që dy prej anëtarëve që kanë punuar në institucione të tjera janë punësuar në Universitetin e Prishtinës. Kjo nuk është një situatë që mund ta zgjidhë vetë agjencia, respektivisht Këshilli Shtetëror i Cilësisë, sepse këshilli nuk i emëron ata anëtarë. Kjo është një situatë të cilën duhet ta zgjidhë ministri i Arsimit me Kuvendin. Pra, nëse konsiderojnë se ata anëtarë duhet të shkarkohen, atëherë thjesht duhet t’i shkarkojnë me këtë arsyetim, jo me ndonjë arsyetim tjetër, sepse ata meqenëse e kanë ndërruar institucionin ku punojnë, e kanë krijuar situatën që pesë veta në KShC janë nga i njëjti institucion. Në rastin konkret, KShC-ja nuk ka marrë vendime që kanë të bëjnë me Universitetin e Prishtinës ku punojnë këta njerëz, por ka marrë vendime që kanë të bëjnë me institucionet e tjera. Prandaj, mendoj se këtu nuk kemi konflikt interesi. Nga ky këndvështrim nuk mund të quhen të paligjshme vendimet e KShC-së. Sigurisht se mund të kontestohen nga aspekti i përmbajtjes së tyre. Mund të thuhet se nuk kanë qenë të drejta, por nuk mund të thuhet se nuk janë të ligjshme.

“Epoka e re”: Nuk kanë munguar as ofendimet e kryeministrit ndaj anëtarëve të KShC-së, duke thënë se ata janë mafi. Cili është qëndrimi juaj ndaj këtyre klasifikimeve?
Pupovci: Për fat të keq gjuha e cila po përdoret nga strukturat tona qeverisëse shpeshherë është e papranueshme. E tillë ishte edhe gjuha e kryeministrit sot. Nuk mundet një kryeministër i vendit t’i quajë njerëzit me emra mafi e hajna të pulave, qysh ka ndodhur më herët. Këto janë kualifikime ofenduese dhe unë për asnjërin nga anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë nuk di diçka inkriminuese. Nëse dikush di diçka inkriminuese për ta, ekzistojnë organet e drejtësisë të cilat mund t’i ndjekin ata njerëz nëse kanë bërë diçka me prapavijë. Konsideroj se këtu prapavijë nuk ka pasur. Ndoshta kësaj radhe nuk i janë bindur politikës siç ka qenë rasti i herëve të kaluara kur anëtarët e KShC-së janë vendosur në pozitë që t’i binden politikës. T’i quash ata mafi është me të vërtetë diçka e papranueshme. Një gjë e tillë duhet të dënohet nga opinioni publik.

“Epoka e re”: Pra, ju besoni se vendimi i KShC-së ka qenë i drejtë dhe, si i tillë, duhet të mbështetet e jo të ndryshohet?
Pupovci: Mendoj se opinioni publik duhet ta mbështesë pavarësinë e agjencisë për marrjen e vendimeve sepse ky është kusht që Kosova të jetë pjesë e hapësirës evropiane të arsimit të lartë. Ndërkaq vendimin nuk mund ta mbrojë askush, sepse vendimi edhe mund të jetë i padrejtë. Së pari ende nuk është publikuar raporti i grupit të ekspertëve ku tregohet pse po u refuzohet akreditimi këtyre institucioneve. Pastaj, sigurisht se këto institucione e kanë të drejtën e ankesës, fillimisht në komisionin e ankesave, që herën e kaluar i ka rrëzuar disa vendime të KShC-së përkundër paragjykimeve të njerëzve. Hapi i dytë është gjykata ku mund të ankohen. Mirëpo këtu qeveria nuk ka punë. Pra, është një linjë tjetër brenda së cilës zgjidhen këto mospajtime. Por, të kontestohet autoriteti i agjencisë që të marrë vendime është e papranueshme, sepse po del se jo vetëm kjo agjenci, por edhe agjencitë e tjera kur duan të marrin vendime më të ndjeshme duhet ta konsultojnë qeverinë apo partitë politike. Kjo, faktikisht, e dëmton sistemin.

“Epoka e re”: Pse mendoni se po reagon politika kaq fuqishëm ndaj një vendimi të tillë. Arsyet e tyre janë se të rinjtë e Kosovës po mbesim pa u regjistruar në fakultete?
Pupovci: Si duket zgjedhjet nuk janë larg. Sa herë që ka zgjedhje në Kosovë e pëson zakonisht arsimi i lartë. Më herët e ka pësuar me themelimin e universiteteve pa përgatitje paraprake, kurse tash, si duket, duan për ta pësuar me kualifikime demagogjike, se gjoja po humbin të rinjtë. Të rinjtë humbin shumë më tepër nëse studiojnë në një institucion i cili nuk i përmbush standardet e cilësisë sesa nëse orientohen për të studiuar në një institucion tjetër. Pra, këtu nuk është esenca që të rinjtë të studiojnë me çdo kusht në Universitetin e Mitrovicës, të Prizrenit ose të Pejës. Me rëndësi është që shteti t’u garantojë atyre që në institucionin që studiojnë të ketë cilësi. Në këtë rast, shteti nuk po jep garanci të tilla, sepse Agjencia Shtetërore nuk i ka akredituar. Ndërkaq qeveria nuk është ajo që mund ta di më mirë se Agjencia e Akreditimit nëse këto institucione i plotësojnë kushtet e cilësisë apo jo. Prandaj, kjo po më duket si lojë elektorale e cila është krejtësisht e panevojshme. Regjistrimet e tanishme në UP kanë treguar se kanë mbetur plot vende të lira, po ashtu janë edhe tri universitete të tjera publike për ata që duan të studiojnë pa pagesë. Në këtë mënyrë, mendoj se të rinjtë kanë zgjidhje për të studiuar. Ndërkohë, deri në vitin tjetër sigurisht se duhet të rregullohen punët që edhe këto tri universitete të mund pranojnë studentë. Ky do të jetë një mesazh edhe për të tjerët që të kenë kujdes për cilësinë që ofrojnë.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrat e Financave të vendeve me ekonomitë më të fuqishme…