Ndërkombëtarët evidentuan shkelje të shumta në procesin ndaj çlirimtarëve, Qeveria hesht: Kurti e Gërvalla nuk e thonë asnjë fjalë
Pushteti i VV-së ka heshtur ndaj raportit të organizatës “Bar Human Rights Committee of England & Wales”, i cili tregon për shkeljet e shumta që po iu bëhen ish-krerëve të UÇK-së në procesin gjyqësor në Hagë. Kanë kaluar dy ditë që janë publikuar gjetjet shqetësuese të këtij raporti dhe askush prej Qeverisë së Kosovës nuk e ka thënë asnjë fjalë.
Ani pse në raporti thuhet së gjatë procesit gjyqësor janë bërë shumë shkelje, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, kanë injoruar këto fakte duke mos e parë të arsyeshme të reagojnë.
Kryeministri Albin Kurti edhe kur është pyetur në Kuvendin e Kosovës lidhur me shqetësimet për shkelje të të drejtave të njeriut në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nuk ka dhënë detaje.
Para një jave, kur një pyetje e tillë iu bë nga deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, Kurti nuk ka treguar nëse i ka informuar partnerët e Kosovës, shtete financuese të Gjykatës Speciale, në lidhje me shqetësimet për shkeljen e të drejtave të çlirimtareve në Hagë në procesin gjyqësor kundër tyre.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e trajton me seriozitet çdo shqetësim që lidhet me respektimin e të drejtave të njërit përfshirë edhe Dhomat e Specializuar, në këtë drejtim komunikimi institucional me partnerët ndërkombëtar është i vazhdueshëm dhe i strukturuar duke i zhvilluar në mënyrë të përgjegjshme dhe në përputhje me natyrën e ndjeshme të proceseve”, ka thënë ai, duke përmendur edhe veprimet tjera.
“Po ashtu, nuk kemi hezituar të ngrejm zërin kundër vendimeve të padrejta ndaja krerëve të UCK-së siç ishte përshembull moslejimi i ish presidentit Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij si dhe pranimi i dokumeteve zyrtare të shtetit gjenocidal të Serbisë si prove në procesin gjyqësor atje”, ka thënë Kurti.
Ndryshe nga Qeveria që nuk ka folur, gjetjet e raporti në fjalë kanë nxitur reagime të shumta në vend.
Organizatat e dala nga lufta, partitë politike, gazetarë dhe njerëz të shoqërisë civile janë shprehur të shqetësues me gjetjen e kësaj organizate në procesin gjyqësor ndaj çlirimtarëve. Pas prezantimit të raportit në Prishtinë, është kërkuar reagim nga shtetet financuese.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UCK-së ka bërë me dije se raporti ka konfirmuar të gjitha shqetësimet e tyre.
Kurse, PDK u bën thirrje shteteve financuese të Dhomave të Specializuara, ekspertëve të drejtësisë, organizatave të shoqërisë civile dhe të gjithë njohësve të të drejtave të njeriut, brenda dhe jashtë vendit, që të mos heshtin.



