Ndërron jetë Alush Gashi
Ish-ministri i Shëndetësisë dhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alush Gashi ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare
Lajmin e bërë me dije djali i tij, Anil Gashi. Ai ka thënë se për detajet rreth ceremonisë së varrimit do të njoftoheni me kohë.
“Të dashur miq, me dhimbje të thellë ju njoftojmë se ka ndërruar jetë më i dashuri ynë, Alush Gashi. Familja, të afërmit dhe miqtë do ta kujtojnë gjithmonë me dashuri, respekt dhe mirënjohje për jetën, veprën dhe kujtimet që la pas. Për detajet rreth ceremonisë do të njoftoheni me kohë”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Biografia e Gashit
Alush Gashi ka lindur më 4 tetor 1950 në fshatin Prigodë të Komunës së Istogut.
Gashi ka studiuar mjekësinë në Universitetin e Prishtinës më 1974 dhe kishte përfunduar doktoraturën në Zagreb më 1979. Alush Gashi mban rekordin si doktori më i ri i shkencave në fushën e anatomisë në Evropë duke doktoruar në moshën 28-vjeçare. Gashi ishte shkencëtar vizitues në University of California San Francisco (UCSF) prej vitit 1981. Më vonë u bë drejtues në institutin e anatomisë dhe dekan në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës në kohërat më të vështira për popullin kosovar.
Gashi ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje. Në vitin 1989, si dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ai ishte bërë pjesë e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai ishte anëtar i LDK-së dhe mori pjesë në negociatat për të shmangur luftën. Ai gjithashtu shërbeu si këshilltar i lartë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës dhe po ashtu ishte sekretar për marrëdhëniet me jashtë i LDK-së. Edhe pas luftës në Kosovë ai ka qenë politikisht aktiv. Në zgjedhjet e vitit 2007, Gashi ishte ndër përfaqësuesit më të votuar në Kuvendin e Kosovës. Gashi është nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe ndërmjet nëntorit 2007 dhe prillit 2010 ai mbajti postin si ministër i Shëndetësisë. Gashi ushtroi profesionin e profesorit të anatomisë dhe në vitin 2019 ishte zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Pas një pauze disavjeçare nga postet publike, në qershor të vitit 2020, Gashi ishte zgjedhur këshilltar politik i kryeministrit Avdullah Hoti. Përvoja e gjatë e Gashit në politikë të jashtme e bën të konsiderohet si person me lidhje të forta ndërkombëtare e posaçërisht me ShBA-të.
Në shkurt të vitit 2021, me zgjedhjen e Lumir Abdixhikut si kryetar i LDK-së, Alush Gashi ishte rizgjedhur edhe për një mandat si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Ai ishte anëtari më i vjetër i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, parti në të cilën ishte që nga dita e themelimit. Në qershor të vitit 2021, Gashi kishte themeluar Institutin për Marrëdhënie me Jashtë (Institute of Foreign Relations), ku mbante pozitën e kryesuesit të bordit. Instituti për Marrëdhënie me Jashtë është institucioni i parë i llojit të tillë, i cili si synim ka të nxisë një debat intensiv mbi politikën e jashtme të Kosovës. Abdixhiku se fundi e kishte emëruar Gashin si anëtar të Kryesisë së LDK-së.



