Ndotja e ajrit në Kosovë: Avokati i Popullit publikon raportin dhe kërkon veprime nga institucionet
Avokati i Popullit ka publikuar raportin për cilësinë e ajrit në Republikën e Kosovës nga perspektiva e të drejtave të njeriut, të cilin ua ka adresuar Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
Sipas komunikatës, raporti është hartuar në kuadër të hetimeve të iniciuara me vetiniciativë, bazuar në raportimet institucionale dhe mediale për ndotjen e ajrit në vend.
Qëllimi i tij, siç thuhet në njoftim, është vlerësimi i gjendjes së cilësisë së ajrit, i kornizës ligjore dhe institucionale, si dhe i efektivitetit të masave të ndërmarra nga autoritetet publike për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, në përputhje me standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Nga shqyrtimi i të dhënave të institucioneve kompetente, Avokati i Popullit ka evidentuar se ndotja e ajrit vazhdon të përbëjë një ndër sfidat kryesore mjedisore dhe të shëndetit publik në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), gjatë vitit 2025 janë regjistruar 171 ditë me tejkalime të vlerës kufitare ditore të grimcave PM₁₀ në rrjetin shtetëror të monitorimit, me përqendrim të ndotjes kryesisht gjatë sezonit dimëror”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, sipas komunikatës, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka vlerësuar se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
“Raporti trajton gjithashtu sfidat në zbatimin e legjislacionit, mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme njerëzore dhe teknike për mbikëqyrjen inspektuese, nevojën për forcimin e monitorimit dhe koordinimit ndërinstitucional, si dhe rëndësinë e miratimit të politikave dhe masave të qëndrueshme për reduktimin e ndotjes.
Duke u mbështetur në standardet e zhvilluara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Avokati i Popullit ka theksuar se mbrojtja e të drejtave të njeriut nga pasojat e ndotjes mjedisore kërkon përmbushjen e detyrimeve pozitive të shtetit për ndërmarrjen e masave parandaluese dhe efektive, veçanërisht kur autoritetet janë në dijeni për rreziqet që ndotja paraqet për jetën, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet më tej në komunikatë.
Avokati i Popullit, sipas komunikatës, u ka adresuar institucioneve përgjegjëse rekomandime që synojnë forcimin e mekanizmave institucionalë, zbatimin efektiv të legjislacionit, avancimin e politikave publike dhe ndërmarrjen e masave të koordinuara e të qëndrueshme për reduktimin e ndotjes së ajrit.
Këto rekomandime kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe garantimin e gëzimit efektiv të të drejtave të njeriut në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm.



