Në 20-vjetorin e rënies, përkujtohet dëshmori Enver Topalli

19 maj 2019 | 17:12

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me deputetët e PDK-së, Elmi Reçica dhe Mexhide Mjaku-Topalli, kryetarin e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj, Gafurr Bytyçin, kryetarin e OVL-UÇK-së në Ferizaj, Rafiz Sejdiu, familjarë të dëshmorit Enver Topalli dhe qindra qytetarë, kanë vendosur kurora lulesh në varrin e dëshmorit Topalli në 20-vjetorin e rënies së tij, në masakrën e Dubravës.

Me dhembje e pikëllim por edhe krenari, në 20-vjetorin e rënies dëshmorin Topalli e ka përkujtuar biri i tij Edlir Topalli.

“Sot jemi mbledh ta përkujtojmë babanë në 20-vjetorin e rënies në burgun e Dubravës, një ditë e dhimbshme që duhet përkujtuar. Lavdi për të gjithë dëshmorët e Kosovës që kanë rënë e kanë dhënë jetën, që ne sot të jemi të lirë dhe ta gëzojmë lirinë” ka thënë Edliri.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj, Gafurr Bytyçi, e ka vlerësuar lartë heroizmin e dëshmorit të kombit, Enver Topalli, dhe sakrificën e gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë e Kosovës. “Ne si shoqatë e familjeve të dëshmorëve dhe si komb patjetër se krenohemi me jetën dhe veprimtarinë e Enver Topallit i cili nuk kurseu asgjë nga jeta për kombin dhe atdheun”, ka thënë Bytyçi.

Përkujtimi për dëshmorin Topalli ka vazhduar edhe në Greme në shkollën e fshatit që mban emrin e tij.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Gjilanit ka nisur aktivitetet në shënimin e 20-vjetorit…