Në fshatin Gllarevë zbulohet lapidari i dëshmorit të kombit, Haki Morina

21 tetor 2018 | 17:42

Më 20 tetor (e shtunë) në fshatin Gllarevë të Klinës është bërë zbulimi i lapidarit të dëshmorit të kombit, Haki Morina.

Zbulimi i këtij lapidari është bërë me rastin e 27-vjetorit të rënies së tij në Osojnik afër Dubrovnikut në Kroaci, ku luftoi kundër pushtuesit serb.

Ndërkaq në përkujdesje të kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj dhe organizim të Shoqatave të dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Klinë, është mbajtur akademi përkujtimore kushtuar dëshmorit të kombit, Haki Dinë Morina.

Akademia është mbajtur në fshatin Gllarevë, ku me një fjalë rasti, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka thënë se Haki Dinë Morina, ishte shembull për të gjithë ata që besuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe lirinë e këtij vendi. “Po ashtu, sot, në këtë vend, jemi tubuar për ta rilindur në lapidar këtë dëshmor të atdheut tonë të shtrenjtë, i cili do të rrezatojë dritë përjetësie dhe dritë ardhmërie për brezat që vijnë. Lufta  për lirinë e këtij vendi është e hershme sa edhe përpjekjet e këtij populli për lirinë e Atdheut.  Tempulli i lirisë së Kosovës ka qenë i gjerë për t’u mbushur me gjakun e bijave dhe bijve më të shtrenjtë të këtij kombi. Tempulli i lirisë ka qenë vendi ku janë bashkuar emrat e më të  shtrenjtëve të Kosovës, ata u dolën zot vatrave tona, kësaj toke që e kanë trashëguar nga të parët tanë. Prandaj, këtij ideali shumë herët i është bashkuar edhe Dëshmori i Kombit, biri i këtij vendi, Haki Dinë Morina, duke bërë veprën më sublime, në moshën më të re atdheut të tij duke ia falë jetën”, ka thënë Elezaj.

Ai ka shtuar se ky lapidar që po lartësohet sot në Gllarevë dëshmon çmimin e lirisë së Kosovës. “Ky lapidar është simbol që i jep dinjitet për jetët e ndërprera  në fillim të tyre. Një tokë që mban mbi vete këtë lapidar, dhe të shumë idealistëve të tjerë, që jetën e tyre e dhanë për  idealin e lirisë së Kosovës, e ka të sigurt një të ardhme të ndritshme”, ka thënë kryetari Elezaj.

Ai ka shtuar se Hakiu dhe gjithë bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët e tij, tërësisht ishin të vetëdijshëm  se një ditë  gjaku dhe sakrifica do të kulmojnë  me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, aspiratën e tij dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë së këtij vendi. “Pra, nga rrënjët e gjakut të këtij dëshmori të kombit dhe gjithë dëshmorëve dhe martirëve të tjerë, u lind shteti i Kosovës, të cilin sot po e ndërtojmë dhe po e forcojmë në përpjekje që të gjejë një vend nën kulmin e shteteve demokratike, po ashtu edhe strukturat tjera të Aleancës Veri-atlantike”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj.

Veprimtari Ismet Sylejmani ka thënë se Hakiu bashkë me vëllezërit e tij, ka qenë pjesë aktive e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës e cila në vitin 1994 bëhet themeluesja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Populli shqiptar luftës për liri e çlirim ia ka dhënë bijat dhe bijtë më të mirë, por edhe lufta ia ka marrë më të mirët, me luftarakët, ata të çeliktët e i tillë, ndonëse i ri në moshë, thonë se ishte edhe dëshmori Haki Morina, të cilit po i përulemi dhe i bëjmë nderime sot”, ka thënë Sylejmani.

Ai ka shtuar se rënia e Hakiut është heroike, sepse ka rënë duke luftuar i vetëm kundër një ushtrie të tërë në Osojnik afër Dubrovnikut në Kroaci! “E ke gjetur vdekja të rrethuar nga ushtarë e paramilitarë serb, periudhë kjo kur artileria serbe granatonte e bombardonte qytetin e lashtë të Dubrovnikut! Prandaj shpallja dëshmor i kombit është nderim dhe respekt, mirënjohje e përulje, pasi edhe larg Kosovës, në Kroacinë aleate të popullit shqiptar, luftoi kundër të njëjtit pushtues Serbisë”, ka thënë Sylejmani.

Vëllai i dëshmorit Haki Morina, Gani Morina, ka falënderuar të gjithë ata që gjeten kohë të marrin pjesë në zbulimin e lapidarit të vëllait të tyre. “Po ashtu, më lejoni të falënderoj qytetarët e Gllarevës, Klinës me rrethinë dhe gjithë Kosovës, si dhe gjithë aktivistët e asaj kohe, pa dallim, për organizimin e pashembullt shtetëror të ceremonisë së varrimit të dëshmorit, Haki Morina, tash e 27 vite më parë, meqë nuk kemi pasur rastin t’i falënderojmë kështu publikisht”, ka thënë Gani Morina.

Ai gjithashtu ka falënderuar të gjithë ata djem dhe vajza që për vite të tëra, në rrethana të rënda të okupimit mbajtën gjallë Shoqërinë Kulturore-Artistike, që u themelua më 1993-n, e që mban emrin Haki Morina. “Më lejoni që ta falënderoj Kuvendin Komunal të Klinës, që në vitin 2015 dha lejen për ngritjen e këtij lapidari, këtu në pronën e komunës. Po ashtu Kuvendin Komunal të Klinës në shenjë nderimi e respekti për veprën e dëshmorit ka emërtuar rrugën që shtrihet nga magjistralja Prishtinë-Pejë në drejtim të lagjes ku u lind dhe u rrit Haki Morina. Falënderojmë të gjithë ata që ofruan ndihmë, sado simbolike, për ngritjen e lapidarit, emrat e të cilëve do të zënë vend në një libër që do të botohet për veprën e Hakiut, si dhe një dokumentar, i cili së shpejti do të realizohet, e ku do të flasin dëshmitarë okularë e ku do të zbardhen shumë gjëra të pathëna”, ka thënë Gani Morina.

 

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar shkarkimin e Musa…