NË GRYKË TË VUÇAKUT

15 nëntor 2020 | 09:16

BERAT ARMAGEDONI

 

NË GRYKË TË VUÇAKUT

 

Ecja dhe ecnim drejt grykës

me sy bërë sa të kaut

me lot ndër sy e me lodhje trupi e dërrmim

rrëzohu e çohu e lëndohu

herë nana

herë gjyshja

herë motrat e herë unë

 

dhe pos nesh

edhe të tjerë mbanin në duar

foshnja

fëmijë

gra

pleq

edhe ndonjë qese me

ndonjë copë bukë e kripë e djathë

 

një loke

skaj rruge

e kërrusur dhe e lodhur

ishte ulur në një gur dhe me kule të mëndafshta

kishte mbështjellë një foshnje

dhe qante për nënën që ia kishin vrarë

ata që na vinin pas

me armë dhe artileri

dhe me egërsi

milici dhe ushtri serbe e gjithë fusha mbushur ishte

mbushur me ta ishte edhe i gjithë mali

edhe ato pak rreze dielli na kishin zënë me avionë

shpresë kishim vetëm te Zoti

se NATO s’shihej askund

 

o sa e keqe ishte dita që u bë natë papritur

nga tymi i djegies së shatorëve, traktorëve, veturave

era stërvinë vinte në gjithë grykën sa nga kafshët e mbytura

sa nga njerëzit e therur e të vrarë e të lënë mbi dhe

donin të më vrisnin edhe mua milicët

ma drejtuan 47-shin dhe vetëm një herë më thanë “Stoj”

menjëherë u çova nga shtrati si nga varri

i bërë akull

me luftën në mendje dhe trup

 

(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik njofton se në Kosovë, situatë e ngjashme meteorologjike…