Në kërkim të ëndrrave

08 qershor 2020 | 19:26

Zyrafete Shala

(Vështrim mbi antologjinë Ku janë ëndrrat të Hajro Ulqinakut)

Pas botimit të Librit për Detin (2018), ku është përmbledhur pjesa më e rëndësishme e krijimtarisë së Hajro Ulqinakut, Klubi letrar “De Rada” në Ferizaj këtë herë ua ofron lexuesve antologjinë Ku janë ëndrrat, ku përfshihen poezi dhe tregime për fëmijë të shkrimtarëve të Kosovës përzgjedhur nga Hajro Ulqinaku që, edhe pse tani ndodhet në dekadën e nëntë të jetës, vazhdon t’i qëndrojë besnik letërsisë për fëmijë, qoftë me krijimtarinë e tij, apo me ofrimin e shkrimeve më të bukura nga autorët e tjerë. Emri i Hajro Ulqinakut është i njohur për breza të tërë të lexuesve shqiptarë, prandaj krahas vlerësimit të lartë që kritika letrare shqipe i bën veprës së tij, besoj që vlerësimin më të çmuar i kanë bërë vetë fëmijët, me pranimin e kësaj vepre në botën e çiltër të tyre dhe me lidhjen emocionale që kanë krijuar me të.

E them këtë duke u kthyer disa dekada prapa, kur po i mbushja pesë vjeç dhe mësova para kohe të shkruaj e të lexoj; Çelësi i artë i Hajro Ulqinakut ishte libri i parë që lexova. Përveç lehtësisë së komunikimit dhe kënaqësisë që më ofroi, ky libër u kthye vërtetë në një ‘çelës të artë’ me të cilin hapa portën e botës së pafund të letërsisë. Sa herë që e kam marrë në duar këtë libër, në faza të ndryshme të jetës, përveç nostalgjisë për ‘parajsën e humbur’, ai më ka bërë të mendoj se sa e vështirë është t’u flasësh fëmijëve me gjuhën e tyre dhe sa e vështirë është të gjesh shtegun për të arritur tek ata sepse, siç thotë Niçe, fëmijët janë të vetmit që e jetojnë vërtet të tashmen, pa u vënë poshtë nga gërmadhat e së shkuarës dhe pa pasur frikë nga të papriturat e së ardhmes.

Në antologjinë Ku janë ëndrrat, përfshihen poezi dhe tregime nga dymbëdhjetë autorë, të cilët tërë krijimtarinë e tyre, ose një pjesë të mirë të saj, u kanë dedikuar fëmijëve. Shikuar në aspektin e shtrirjes kohore, kjo antologji përfshin krijime të botuara që nga vitet ’60 të shekullit të kaluar, e deri në fund të dhjetëvjetëshit të parë të shekullit tonë. Marrë në tërësi, kjo përmbledhje sjell poezitë dhe tregimet e krijuara përgjatë pesë dekadave, nga autorët më të njohur të letërsisë shqipe për fëmijë në Kosovë. Secilit autor i është dhënë një hapësirë e veçantë brenda librit, që do të thotë se krijimtaria e tyre nuk paraqitet e copëzuar, por e përmbledhur në një vend, gjë që krijon mundësinë e vendosjes së një relacioni më të plotë mes lexuesit dhe autorit, për t’u njohur kështu më lehtë me stilin, figuracionin, gjuhën dhe veçoritë e tjera estetike të krijimeve të tyre. Ndërsa radhitja e autorëve ndjek kriterin kronologjik të krijimtarisë, me vetëm një përjashtim, që mund të interpretohet si veprim modest i autorit Hajro Ulqinaku, që e vendos veten në fund të librit.

Edhe pse përfaqësojnë një periudhë të gjatë kohore, gjysmëshekullore, dhe janë nga krijues të profileve dhe interesimeve të ndryshme, poezitë dhe tregimet e kësaj antologjie, krahas shumësisë së temave dhe motiveve, përvijojnë kufijtë e një bote unike, tipike për fëmijët. Kjo botë, në aspektin hapësinor është shumë e gjerë, nis nga toka me zogjtë, lulet, kafshët, detin, lumenjtë, përrenjtë, shtëpitë dhe shtrihet deri në qiell me diellin, hënën, yjet, shiun, borën. Po aq e pasur ajo shfaqet edhe në rrafshin imagjinativ me dëshirat, kureshtjen, ëndrrat; por edhe në rrafshin emocional përmes relacioneve me njerëzit, objektet dhe gjallesat e shumta që tërheqin vëmendjen e fëmijëve. Dashurinë për prindërit, gjyshërit, atdheun dhe natyrën, e gjejmë pothuajse në krijimet e të dymbëdhjetë autorëve, por te secili prej tyre ajo shfaqet me kolorit e me figura të pasura nga më të ndryshmet. Kur kemi parasysh faktin se motivi dhe tema e detit janë nga më intrigueset për krijimtarinë e Hajro Ulqinakut, nuk është për t’u habitur, që një numër i madh i krijimeve të kësaj antologjie trajtojnë pikërisht këtë temë, e cila përveç që ndërlidhet me dashurinë e fëmijëve për të, në rrafshin simbolik jep edhe përmasat e universit pa fund dhe mistereve të jetës që ndodhen përpara tyre.

Me antologjinë Ku janë ëndrrat, që botohet me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Klubit letrar “De Rada” në Ferizaj, autori Hajro Ulqinaku hartoi një palimpsest të fjalës së bukur shqipe për fëmijë, që u ofrohet jo vetëm fëmijëve, por edhe prindërve, mësuesve, studentëve dhe lexuesve të tjerë, të cilët janë të interesuar për rrjedhat e kësaj fushe të krijimtarisë. Duke shkëputur pjesët më të realizuara të krijimtarisë së shkrimtarëve që e pasuruan letërsinë shqipe për fëmijë me vlera të mirëfillta artistike, ai krijoi një mozaik individualitetesh letrare e talentesh krijuese, që komunikuan me shumë breza lexuesish të vegjël dhe do të vazhdojnë edhe më tutje t’u ofrojnë atyre një mundësi të veçantë të njohjes së jetës, zgjerimit të kufijve të imagjinatës, bashkimit të realitetit me të bukurën në art, formimit etik e intelektual, identifikimit të së mirës dhe së keqes, e të gjitha këto i ofrojnë përmes këshillave e udhëzimeve që asnjëherë nuk marrin konotacion moralizues. Hajro Ulqinaku në simfoninë e tij për Detin, mallin e vendlindjes, i bashkoi edhe shumë zëra të tjerë me ndjeshmëri dhe ngjyra të ndryshme, që të gjithë së bashku e krijojnë simfoninë e botës së fëmijërisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka tërhequr gjithmonë vëmendjen për bukurinë dhe format fizike që…