Në kujtim të heroit të kombit Bahri Fazliu

07 maj 2020 | 13:54

Shkruan: Sabri Kiçmari

Në historinë e Lëvizjes sonë për liri ka një numër veprimtarësh e udhëheqësish të saj që kanë kaluar vite të tëra në ilegalitet. Nuk e di saktë se kush e mban rekordin, por Bahri Fazliu duhet të jetë një nga drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës që ka qëndruar në kohë rekorde si ilegalë, për vite të tëra.

Gjatë kohës së ilegalitetit Bahriu ka lëvizur edhe jashtë vendit. Kur vinte në Gjermani, takoheshim dhe bisedonim me ditë e netë të tëra për luftën dhe lirinë, edhe pse në ndërkohë u takonim dy organizatave të ndryshme.

Dua të ndaj me ju një moment, në lidhje me vendosmërinë e tij. Kishte ardhur te unë në banesë, në Gladbeck të Gjermanisë. Kur hyri brenda dhe i zbathi qorapet pashë gishtrinjtë e tij të lënduar nga mundimet e shumta. Thonjtë i ishin futur në mish. E lutëm së bashku me të vëllain, Nebihun, që ta dërgonim te mjeku në Gjermani. Mezi e bindëm të pranonte.

Të nesërmen shkuam së bashku te mjeku. Unë do t’i përktheja. Mjeku gjerman e kontrolloi dhe i tha:

– Mund të shërohesh, por duhet një program gjashtë-mujor. Një trajtim i kujdesshëm dhe mirë i planifikuar.

U gëzova dhe ia përktheva fjalët e mjekut gjerman. Ai heshti. Fillimisht e shikoi mjekun në sy, pastaj e drejtoi shikimin te unë. Buzëqeshi lehtë dhe tha:

– Nuk kam kohë me prit gjashtë muaj. Do të shkoj brenda dhjetë ditësh. Thuaj, nëse mund të më jep ndonjë bar, për t’i lyer këmbët.

– Është më mirë të shërohesh dhe pastaj të shkosh. Në rast se shërohesh, e ke më lehtë të lëvizësh. Mendoje këtë punë….- i thashë. Kisha qëndruar vet rreth një vit ilegal dhe i kisha të freskëta mundimet fizike dhe emocionale që e përcjellin njeriun në gjendje të tillë veprimi, kur ndiqesh këmba-këmbës.

– Kam obligime të Lëvizjes, në luftën tonë për Liri dhe Bashkim. Nuk mund të qëndroj dot gjashtë muaj…

I thashë mjekut. Ai e shikonte me habi. Nuk e di, nëse e kuptoi ose jo!

Unë e kuptoja fort dhe e çmoja këtë vullnet të çeliktë të tij për të vepruar për çlirim, për liri, për bashkim. Sa më shumë që kalojnë vitet, admirimi për Bahriun mbetet po aq i freskët, për jetën dhe veprën e tij, për rënien e tij, për shëmbëlltyrën e Bahriut tonë!

Lavdi i qoftë!

(Fotografia është e vitit 1994, në banesën time në Gladbeck të Gjermanisë).

(S.Z / “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Indi. Mediet e…