Në laboratorin e QKMF-së në Podujevë kryhen testet për Covid-19

01 korrik 2020 | 15:18

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e së mërkurës është informuar për gjendjen e sigurisë në komunë si edhe me gjendjen e krijuar nga pandemia Covid-19 dhe ka shqyrtuar çështje të tjera, që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve. Lidhur me gjendjen e sigurisë në komunën e Podujevës, komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, kapiteni Bekim Zogiani, ka thënë se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë dhe se situata gjatë pandemisë me Covid-19 është duke u menaxhuar mirë, falë bashkëpunimit me të gjitha organet dhe institucionet komunale.

Gjendjen e sigurisë e kanë vlerësuar të mirë edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së. Përfaqësuesi i KFOR-it ka lavdëruar punën e mirë të Policisë së Kosovës dhe institucioneve shëndetësore.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Zaim Thaçi, duke raportuar për gjendjen aktuale me pandeminë Covid-19, ka thënë se që nga paraqitja e rasteve të para, deri më tani në komunën e Podujevës, janë kryer mbi 300 teste për Covid-19, prej të cilave kanë rezultuar pozitivë 48 persona, prej tyre 23 janë shëruar, kurse një person ka ndërruar jetë.

Drejtori Thaçi ka pohuar se në të gjitha rastet që kanë rezultuar pozitivë, ekipi emergjent, bashkë me policinë i ka vizituar familjet, ku është kryer kontrolli mjekësor dhe është bërë dezinfektimi i objekteve të banimit.

Më tej ai ka thënë se ekipi emergjent i asistencës sociale është përkujdesur që të sigurojë pako ushqimore dhe higjienike për familjet e prekur me Covid-19.

Ndërkaq, nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se lajm i mirë për qytetarët e kësaj komune është se prej të mërkurës më nuk do të kenë nevojë të shkojnë në Prishtinë për kryerjen e testeve për Covid-19, pasi që për të gjitha rastet e dyshuara mostrat e testit do të merren në laboratorin e QKMF-së në Podujevë.

Rudari duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e treguar në menaxhimin e deritashëm të situatës me Covid-19, apeloi që të zbatojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të IKSHPK-së për aplikimin masave mbrojtëse, të përfshira edhe në Manualin për mbrojtje nga ky virus.

(Qendresa Rama / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Turqia do të përgatisë një projektligj për të kontrolluar platformat…