Në mungesë të konfrontimit me opozitën ashpërsohet konflikti me sindikatat!

06 tetor 14:36

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka komentuar situatën e fundit në vend mes Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) si dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, Gërxhaliu ka thënë se këto raporte mes qeverisë dhe sindikatave janë duke dëmtuar Kosovën në dimensione të ndryshme.

“Raportet e krijuara mes Qeverisë së Kosovës dhe sindikatave janë duke dëmtuar Kosovën në fusha të shumta, në shumë dimensione. Shumë herë analizohet një raport i tillë dhe një situatë e krijuar në aspektin politik dhe të arsimit. Askush nuk e analizon aspektin ekonomik dhe dëmet që shkaktohen në aspektin emocional të nxënësit dhe të mësimdhënësit. Duhet të kuptohet se arsimi është arma më e fuqishme e një shteti”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka theksuar se nëse vazhdohet me një konfrontim të tillë do të dëmtohet ardhmëria e arsimit. “Pra, do të ngufatet ardhmëria dhe perspektiva e Republikës së Kosovës. Prandaj, po dëshmohet se në Kosovë mungon një dialog i mirëfilltë publiko-privat, sepse nuk ka gatishmëri për të debatuar në mënyrë të argumentuar. Për fat të keq çdo gjë është politizuar”, ka thënë ai.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka theksuar se në këtë drejtim qeveria aktuale po e ndjen mungesën e një konfrontimi me një opozitë të mirëfilltë politike.

“Opozita për momentin është inegzistente dhe është hapur front konfrontimi me sindikatat. Një dialog – konfrontim i tillë nuk i bënë nder Kosovës dhe ardhmërisë së saj. Në veçanti kam drojën se po denigrohet vlera e të qenit mësimdhënës dhe profesor në Kosovë. Duhet të kuptohet se themelet e shtetit i ka vënë arsimi. Para luftës dhe gjatë luftës mësimdhënësit kanë qenë të cilët e kanë mbajtur arsimin mbi supet e veta dhe kanë rrezikuar vetën për vite të tëra vetëm për ta ngritur edukimin. Nëse e bëjmë një analizë, punëtorët e arsimit më së shumti janë rrahur nga forcat policore në Kosovë gjatë okupimit, prandaj arsimi e meriton një dialog të mirëfilltë dhe nuk duhet që të tentohet të zëvendësohet roli i sindikatave në mungesën e opozitës në Kosovë”, është shprehur Gërxhaliu.

“Në këtë rast është duke u goditur shtresa e mesme e qytetarëve. Në një shtet ku varroset dhe shkatërrohet shtresa e mesme, atëherë kemi të bëjmë me një situatë alarmante. Dhe është duke u goditur më së shumti gjinia femërore, sepse nëse janë diku 70 deri në 80 për qind femra në arsim, atëherë po shkelen shumë konventa dhe premtime. Dhe çështje tjetër është se shumë prej mësimdhënësve janë në kredi. Paramendojeni si e ndien ata vetën kur do të hyjnë në lista të zeza të bankave në kohën kur inflacioni në Kosovë është 19.2 për qind duke u bazuar në raportet e Fondit Monetar të Bankës Botërore. Nuk bënë të luhet me emocionet e mësimdhënësve. Si e ndien vetën nxënësi në shkollë kur mësimdhënësi nuk e ka marrë pagën. Çfarë performance mund të presim prej mësimdhënësve përball nxënësve”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka theksuar se është obligative për hir të aspektit moral, kombëtar dhe për hir të rëndësisë së arsimit që mësimdhënësit t’i marrin sa më shpejt pagat.

“Sindikatat nuk e kanë të drejtën të shndërrohen në opozitë politike, sepse ato janë zëri i arsyes për të mbrojtur interesat e mësimdhënësve dhe jo të shndërrohen në parti politike. Gabimi më i madh që nuk duhet të promovohet ka të bëjë me atë se nuk duhet të ketë zëvendësim të orëve të humbura. Prandaj bëjë thirrje për maturi në deklarata”, është shprehur ai, duke shtuar se duhet motivim për t’i ulur këto raporte konfrontuese.

“Të gjendet modaliteti për avancimin e arsimit. Çdo marrëveshje mes Sindikatës së Arsimit dhe Qeverisë mos të konsiderohet fituese për njërën palë. Në këtë rast fiton progresi dhe ardhmëria. Është koha kur duhet reflektim dhe jo politizim. Pra, edhe një herë po e ritheksojë se nuk duhet që të trajtohen sindikatat si opozitë, por të ketë unitet dhe të dominojë arsyeja. Kosova është duke u dëmtuar në fusha të shumta, ne veçanti kur në këtë kohë na pret një dialog i ashpër dhe një agresivitet i Serbisë ndaj Kosovës. Në këtë kohë kur kriza ekonomike dhe sociale është në rritje e sipër, dhe në këtë kohë kur shumë vende bëjnë çmos për ta mbështetur arsimin ne dëshirojmë ta dëmtojmë. Andaj është koha për veprim dhe duhet të mendojmë drejtë ardhmërisë”, ka thënë Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) në një ceremoni solemne ka…