Në prill Kosova importoi rreth 300 milionë euro mallra, kurse eksportoi 36.9 milionë

24 maj 2019 | 16:36

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhën e eksportit dhe importit për muajin prill të këtij viti, ku vlerësohet se eksporti i mallrave kishte vlerën 36.9 milionë euro, ndërsa importi 295.4 milionë euro, që është një rritje prej 44.7 për qind për eksport dhe 9.3 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Sipas ASK-së, të dhënat nga tregtia e jashtme të mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 5.6% në muajin prill 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 258.5 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 244.7 milionë euro në vitin 2018. Eksporti mbulon importin me 12.5%.

Në njoftim thuhet se, eksporti i mallrave në muajin prill 2019 kishte vlerën 36.9 milionë euro, ndërsa importi 295.4 milionë euro, që është një rritje prej 44.7% për eksport dhe 9.3% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 42.8% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 15.5% e përbëjnë prodhimet minerale, 11.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 8.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 3.8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 2.9% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij, 2.7% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike”, është thënë në raportin e ASK-së.

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, 14.2% e përbëjnë prodhimet minerale, 12.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 12.4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 8 .6% e përbëjnë mjetet e transportit, 7.4% e përbëjnë prodhimet e industrisë kimike, 6.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre”.

Sipas të dhënave të ASK-së, eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.3 milionë euro, ose rreth 33.4% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 51.9%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë, Italia 9.6%, Gjermania 5.3%, Holanda 3.9%, Sllovenia 3.8, Britania e Madhe 2.0%.

Sipas ASK-së importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 156.3 milionë euro, ose 52.9% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 35.4%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.5%), Greqia (7.8%), Italia (5.9%), Sllovenia (3.2%), etj.

“Në muajin prill 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 15.6 milionë euro, ose 42.4% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 13.2%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s, janë Shqipëria 16.4%, Maqedonia 10.8%, Serbia 9.7%, Mali i Zi 4.1%. Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin prill 2018, arritën në 47.7 milionë euro, ose 16.1% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej -34.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Shqipëria 8.1%, Maqedonia 7.0% dhe Serbia 0.2 %. Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8.9 milionë euro, ose 24.2%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport, vlen të përmenden India 13.6% Zvicra 6.8%”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e tjera të botës arritën në 91.4 milionë euro, ose 30.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia me 12.7% dhe Kina 7.7%.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka raportuar se dje në fshatin Begracë…