Viktimat e dhunës seksuale të luftës kërkojnë drejtësi
Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë kërkojnë që kryesit e veprave të ndëshkohen.
Ky është elementi kryesor që do t’u ndihmonte atyre të qetësojnë shpirtin dhe të luftojnë paragjykimet në shoqëri.
Këtë e kanë treguar vet viktimat që kanë marrë pjesë në një anketë të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e cila është publikuar të premten në Prishtinë.
Në anketën “Hulumtimi i opinionit të qytetarëve të Kosovës në lidhje me stigmën rreth dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, përveç viktimave, janë përgjigjur edhe një numër i qytetarëve të Kosovës.
Shumë prej qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se viktimat e dhunës seksuale në Kosovë nuk përkrahen dhe vazhdojnë të jenë të paragjykuara në shoqëri.
Madje, sipas tyre, viktimat nuk e kanë as përkrahjen e familjes, në shumë prej rasteve.
Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se po mundohen që bashkë me institucionet të fuqizojnë viktimat, duke larguar kështu stigmën dhe të gjitha paragjykimet që u bëhen.
Një prej elementeve më të rëndësishme që e kanë paraqitur viktimat në raport me qetësinë shpirtërore ka qenë qasja në drejtësi.
Për viktimat, drejtësia është me e rëndësishme se çdo veprim tjetër që mund të ndërmerret në çështjen e tyre.
Nga hulumtimi të cilin e ka prezantuar Sebahate Pacolli nga QKRMT-ja, ka dalë se 60 për qind e viktimave e ndjejnë vetëm me më shumë vetëbesim dhe janë përgatitur për procedurat e aplikimit për njohjen e statusit, pa u frikësuar nga komuniteti.
Qëllimi i hulumtimit ka qenë analizimi i nivelit të vetëdijes së popullatës së Kosovës dhe njohurive që i kanë për gjendjen aktuale te të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe cilat janë nevojat e tyre.
Hulumtimi ka përfshirë shtatë rajone dhe është realizuar me 164 respodentë gjatë periudhës janar-mars 2019. /Kosovapress/



