Në pritje të shfaqjes me Drita Krasniqin

15 maj 2023 | 00:01

Shkruan: Prof. Dr. Haqif Mulliqi

Jam rritur duke shikuar në teatër shfaqje të ndryshme me: Shani Pallaskën, Istref Begollin, Hadi Shehun, Katarina Josipin, Melihate Ajetin, Avdush Hasanin, Drita Krasniqin, Jahja Shehun dhe të tjerë.

I ngazëllyer me artin e tyre të aktruari, gjegjësisht me magjinë që krijonin, aty para meje, në skenë, e të cilën vetëm ky lloj arti e ngërthen në vete. Ndërsa atë vetëm krijuesit e mirëfilltë e identifikojnë dhe mund ta bartin tek shikuesit siç jam unë. Ky ngazëllim ky entuziazëm, as sot, nuk më ka braktisur. Të paktën jo, në formën burimore të tij. Ndaj dhe, vazhdoj ta besoj se në shkencën teatrore kam hyrë pikërisht falë aktorëve si këta që i zura n’gojë dhe për ta.

Arti i të aktruarit, është akti më kompleks krijues, prapa të cilit qëndron aktori (qenie e gjallë) në unitetin e trupit dhe të shpirtit të tij, që mua vazhdon të më magjepsë, dhe të më magjepsë, dhe të më magjepsë… Pandërprerë. Në këtë, në veçanti impresion dhe kënaqësinë, me lojën e saj të rrallë dhe të vërtetë aktoreske, më ka krijuar, gjithmonë, sidomos, aktorja dhe mikja ime, Drita. Drita Krasniqi. Drita, aktorja e padrejtësive të mëdha për një artist, e cila është disi krejt e veçantë. Aktore e madhe, e lindur, mbase, për t’i shkrirë në art rolet bartëse në teatër.

Ndaj, menja ma thotë se, Drita Krasniqi është si një divë e teatrit. Një aktore që, prore, mahnitë dhe frymëzon. Për mua, emri i saj në pllakatin e një shfaqjeje teatrore, gjithsesi nënkupton se shfaqja nuk duhet lënë anash. E ky nuk është privilegj i akëcilit aktor.

Sa herë që e shikoj në skenë Dritën, prore rikthehem tek e njëjta bindje se, nuk e besoj që kjo artiste e madhe, ndonjëherë do të ketë dalë në skenë pa atë tensionin e brendshëm dhe mbresëlënës i cili e karakterizon çdo aktor të madh. Pa gëzimin e lojës dhe pa vullnetin për atë fitoren shprehëse të cilën e kanë veçori vetëm aktorët e një formati të tillë.
Kam pasur dhe kam dëshirë që të punoj me Dritën në teatër. Bile, disa herë kemi biseduar edhe për projekte konkrete, por… Të gjithë e dinë se sa e vështirë është të gjesh fonde për një shfaqje te ne. Kishim biseduar që ta inskenonim, bashkë, dramën time “Kurtizanet nga kryeqyteti”, por, fatkeqësisht nuk ndodhi. Mirëpo unë kam vazhduar, thjeshtë, të besoj se me Dritën do të punojmë një ditë.

Më kanë thënë se Drita është shumë e angazhuar në ndërtimin e një roli në shfaqjen teatrore. Është kërkuese dhe imponuese për regjisorin. Por, unë këtu nuk shoh asgjë të keqe. Kjo nuk paraqet asnjë lloj rreziku në procesin krijues në teatër. Të këtillë janë të gjitha aktorët e mëdhenj që i kam njohur dhe që i njoh. Deja vue. Me ta nuk punohet kuturu. Besoj se, aktorët si Drita, madje, që në ndarjen e roleve, që në fillim procesit të bërjes së një vepre skenike, më kërkesat e tyre, kapriçiot, hatërmbetjet dhe shpirtin e madh sa një det, frymëzojnë regjisorët dhe për këtë janë, të thuash, garanci për gjysmën e suksesit të veprës.

Pas njërës prej premierave të sajë (goxha moti), i jam afruar imponueshëm dhe i kam thënë: “Dritë (Hënë), ti je një aktore me radarë”. Kjo do të thotë se ajo më erdhi asaj nate si një etalon për atë se deri ku mund të arrihet në artin teatror. Kjo është e vërtetë. Përndryshe, po nuk funksionoi një aktor kështu, atëherë ai s’është gjë tjetër veçse një mashtrues transparent mbi atë se çfarë është lojë në teatër e çfarë një imitacion i pamundshëm. Një mbimarionetë, siç do ta quante Gordon Craigu. Fundja është një dhunti e natyrës e çfarë sharmi i habitshëm dhe i veçantë të cilin Drita e ka në gjithë “orbitën” e personalitetit të saj ndaj dhe është një aktore kaq klasë.

Megjithkëto, a mund të përkufizojmë atë se çfarë është imagjinata e çfarë është vetëm një improvizim sharlatanësh në skenë. Po. Gjithsesi. Këtë e vë re është shikuesi më i rëndomtë i teatrit. Por, Drita është e paepur në profesionalizmin e saj dhe dëshirën që të shndërrohet në një mbretëreshë skene nuk e ka fshehur asnjëherë. Dhe, sot është e tillë: gracioze, me plotë vetëbesim dhe, disi, aristokrate e dërrasave që kanë kuptimin e jetës.

Kjo është diçka që nuk mësohet dot.

Diku më lartë e thashë se Dritën e kisha quajtur se ishte aktore me radar edhe nga fakti se, që në bashkëbisedimin e parë me të për ndonjë projekt, ajo është në gjendje që ta lexojë dhe vlerësojë qëllimin regjisorial, idetë dhe të gjitha shtigjet nga do ta përvijosh veprën deri në premierë. Radarë edhe për atë se ka aftësi që ta vë re talentin edhe tek fillestari i talentuar i cili as që është vënë re nga të tjerët më parë. Dhe është e gatshme t’i ndihmojë me dijen he përvojën që ka.

Drita është e madhe, paçka se, shpesh, është trajtuar ashtu siç nuk duhet të trajtohen artistët e formatit të sajë në një vend dhe në një kulturë siç është kjo e jona. Ashtu siç i trajtojnë artistët te ne. Aktore e cila, si asnjë tjetër, ia doli t’i deshifrojë, madje, edhe nuancat më të thella psikologjike dhe më të mistershme të karaktereve që i mishëron.

Për veten time, janë pak aktorë të cilët i njoh e të cilëve aq shumë u kishte apo edhe u ka hije skena, si Drita Krasniqit. Sepse, kjo, pra Drita, në skenë, të paktën unë kështu mendoj bënë dritë vetë. Ka nur.

Nuk e besoj se e mbaj mend se cila ishte shfaqja e parë në të cilën e kam parë Drita Krasniqin dhe shkëlqimin e saj në skenë, kur, këtyre ditëve po i mbush plotë dyzet vjet që shkoj, rregullisht, për të parë shfaqje në teatër.

Dita tek unë “erdhi” sidomos me shfaqjen eksperimentale, “Raketat e bardha fluturojnë mbi Amsterdam” të autorit slloven, Vitomil Zupan në regji të një artisti të ri (dikur) dhe paralajmërues për sjelljen e risive në skenën tonë teatrore, Fadil Hysajt. Edhe në atë shfaqje, sikundër në të gjitha tjerat më herët e më pas, më të rëndësishmet ishin shenjat që Drita po linte në skenë dhe arti që e kisha përkufizuar si: aktrimi i Dritës.

“Teatri iluminon, fisnikëron dhe na krijon shprehi të reja dhe të qëndrueshme qytetarie”, ma ka thënë me dhjetëra herë Drita, mbase duke mos e kujtuar sot se, sa herë ma ka përsëritur atë mendim. Kreacionet e saja brilante tek “Raketat…”, apo tek “Konfiteori” i Shnajderit, tek “Varreza për Boris Davidoviçin” të Danillo Kishit e deri tek realizimet më te fundit, e kanë krijuar profilin e artistes emblemë. Të artistes, për mua, më të madhe teatrore që kishim, dhe jo vetëm të brezave që u takon.

Aktorja që u ngrit mbi zhgënjimet e mëdha që i shkaktuan në botën e teatrit dhe filmit, dhe e cila, do mbetet, një radarë për aktoret më të reja, se nga dhe deri ku duhet udhëtuar në këtë art që të jesh në maja dhe mbretëreshë e pakontestuar. Mikja ime aktorja Drita Krasniqi, me të cilën, megjithatë besojë se do ta bëjmë shfaqjen tonë: as të parën e as të fundit.

Apo, mbase, kjo është vetëm një utopi imja prej artisti. Kush e id!?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona e ka fituar titullin e 27 në La Liga,…