Në Kalanë e Ulqinit kërkohet që të vendoset shtatorja e “Mbretëreshës Teutë”

09 shtator 2018 | 12:37

Klubi i Grave Shqiptare nga Kroacia “Mbretëresha Teutë” në takimin mbarëkombëtar “Ditët e Mbretëreshës Teutë në Ulqin” 2018, ka festuar 15-vjetorin e shoqatës me shpresën që së shpejti ta shohin shtatoren e Teutës në Ulqin.

Ky manifestim që për 14 vjet është organizuar në Zagreb, Zare dhe Shibnik, kësaj herë është mbajtur në Ulqin në bashkëpunim me Shoqatën “Anima” dhe “Labeatët”.

“Ditët e Mbretëreshës Teutë” filluan me mbrëmjen festive në Galerinë e Qendrës së Kulturës në Ulqin, ku u mblidhen përfaqësues të grave shqiptare nga e mbarë bota, ShBA-ja, Kanada, Kroacia, Kalabria, Gjermania, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Argjentina.

Anëtare të klubit të takimit mbarëkombëtar “Mbretëresha Teutë” janë gra të shquara nga mbarë bota.

Në përfundim të Ditëve të “Mbretëreshës Teutë” në Ulqin është përkrahur edhe një rezolutë e kryetares së Shoqatës “Anima” Zylfije Gjoni – Duraku, përmes së cilës kërkohet që shtatorja e “Mbretëreshës Teutë” të vendoset në Kalanë e Ulqinit.

Ideja  e shtatores është përkrahur nga Klubi i grave shqiptare nga Kroacia “Mbretëresha Teutë” që drejtohet nga kryetarja Shenida Bilalli, cila ka iniciuar këtë ide në Zagreb.

Ajo ka thënë se misioni i “Mbretëresha Teutës” është në përkrahje të kësaj ideje që shtatorja Teutës të vendoset në Ulqin.

“Besoj se do ta shohim shtatoren Mbretëreshë Teutë në Kalanë e Ulqinit”, ka thënë Shenida Bilalli, e cila ka falënderuar Zylfije Gjoni – Duraku për inicimin e kësaj kërkese që të realizohet ky projekt.

Kërkesa për vendosjen e shtatores së Mbretëreshës Teutë është përkrahur edhe nga ministri të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Mehmet Zenka, dhe nga kryetari i qytetit të Ulqinit.

Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Mehmet Zenka, ka thënë se kjo ide është shumë e qëlluar dhe se do ta përkrahë.

Manifestimin mbarëkombëtar “Ditët e Mbretëreshës Teutë në Ulqin”  2018  e kanë sponsorizuar Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Komuna e Ulqinit, Ambasada e Kosovës dhe Shqipërisë në Podgoricë dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve.

Në fund të programit kryetarja e Klubit të Grave Shqiptare nga Kroacia “Mbretëresha Teutë”, gazetarja  dhe regjisorja e mirënjohur, Shenida Bilalli, edhe këtë vit ka ndarë disa çmime, medalje dhe  mirënjohje.

Me  çmimin “Mbretëresha Teutë”  janë shpërblyer:  Dr. Zylfije Gjoni-Duraku, për kontributin e çmuar në integrimin e femrës shqiptare në Mal të Zi dhe mbarëkombëtar, po ashtu edhe si mjeke e parë shqipëtare në Mal të Zi dhe për punën humanitare dhe kombëtare gjatë luftës në Kosovë; Shpresa Gashit iu nda çmimi me motivacionin për vlerat e veçanta si artiste e shquar për interpretimin mjeshtëror të këngës klasike, artistike dhe shqiptare; Alida Hiskut iu nda çmimi për kontributin e çmuar në muzikën shqiptare dhe luftën për të drejtat e njeriut dhe të gruas në veçanti si dhe përballimin e sfidave në sistemin totalitar në Shqipëri; Stanislava Krivokapic, i është ndarë medalja e dhënë në ruajtjen e figurës së Mbretëreshës Teutë në punën e saj artistike.

Po ashtu, u nda mirënjohje shoqatës “Anima” dhe “Labeatët” nga Ulqini për kontributin e dhënë në organizimin e ditëve të Mbretëreshës Teutë si mirënjohje shoqatës së grave të Risanit.

Në programin  e pasur që ishte përgatitur enkas për këtë manifestim mbarëkombëtar u prezantua grupi vajzave vallëzuese ilire në koreografinë e zonjës Bilalli.

Gjithashtu këngëtare të mirënjohura nga Shqipëria dhe Kosova interpretuan me mjeshtëri të rrallë, si Shpresa Gashi, Alida Hisku, Myferete Laze si dhe Kori “Nexhmije Pagarusha” i cili zgjojë shumë emocione te publiku.

Ditët e Teutës vazhduan ditën e dytë në Risan, ku zonjat nga tërë bota vizituan Muzeun e Mbretëreshës Teutë dhe Kalanë e Ulqinit, me ç’rast u pritën nga Shoqata e Gruas Risane e cila edhe shtroi drekë për to.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
US Open i femrave është mbyllur me një rezultat befasues,…