Nën përkujdesjen e MKRS-së, organizohet “Sofra e Gurbetqarëve”

09 korrik 2018 | 13:42

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur të hënën në një takim pune përfaqësuesit e Ansamblit “Emin Duraku” nga Zhuri, me të cilët ka biseduar për realizimin organizimit “Sofra e Gurbetqarëve” i cili mbahet për herë të parë si i tillë në Kosovë.

Organizimi planifikohet të mbahet më 31 korrik të këtij viti në Prizren.

Ministri Gashi është pajtuar që ky aktivitet kulturor të organizohet nën përkujdesjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Si shenjë mirënjohjeje, falënderimi dhe mikpritjeje për bashkatdhetarët tonë që jetojnë e veprojnë në Mërgatë, e që vijnë e kryejnë pushimet në vendlindje, pa hezitim kam miratuar kërkesën që organizimi kulturor në fjalë të realizohet nën përkujdesjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporti”, ka thënë ministri Gashi.

Në kuadër të këtij aktiviteti planifikohen të mbahen pika të ndryshme artistike të vlerave të mirëfillta autoktone shqipe por edhe do të shpërndahen mirënjohje për ata që kanë kontribuuar për çështjen e shtetësisë së Kosovës në forma të ndryshme.

Mbështetjen e aktivitetit në fjalë, ministri Gashi e ka vlerësuar edhe si një përkrahje institucionale për organizatat që merren me veprimtari kulturore në Kosovë.

Përfaqësuesit e Ansamblit e falënderuan ministrin për gatishmërinë e treguar dhe e informuan ndër të tjera edhe për punën, planet dhe sfidat me të cilat përballet ansambli.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Belgjikës, Eden Hazard para ndeshjes me Francën, ka…