Nënshkruhen kontratat e përfituesve të granteve të ofruara nga Help Kosova dhe komuna e Drenasit

07 korrik 2020 | 14:13

Me financim të Organizatës “Help Kosovo” dhe komunës së Drenasit, 35 biznese të kësaj komune të cilat janë shpallur përfituese të granteve kanë nënshkruar kontratat, shuma e të cilave kap vlerën e 60 mijë eurove.

Në ceremoninë e organizuar për nënshkrim të marrëveshjeve me bizneset përfituese, nënkryetari i Drenasit, Nazmi Hasi dhe drejtoresha e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, Egzona Jetullahu kanë përgëzuar përfituesit e këtyre granteve, të përzgjedhur pas një procesi strikt me shpresën se ata do të arsyetojnë përzgjedhjen e tyre dhe duke uruar që projekte të tilla të kemi edhe në të ardhmen për komunën e Drenasit.

Ndërsa drejtoresha e “Help”-it, Shqipe Breznica, duke falënderuar komunën e Drenasit për bashkëpunim të mirëfilltë dhe profesional, ka uruar përfituesit, duke i njoftuar ata për hapat e mëtutjeshëm të projektit.

Këto grante janë pjesë e marrëveshjes ndërmjet komunës së Drenasit, konkretisht Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Organizatës “Help” për mbështetjen e bizneseve me grante në kuadër të projektit “Mbështetje stabilitetit socio-ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor 2019-2020”.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Financave Hykmete Bajrami priti në takim kryetarin e…