Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës

20 prill 2021 | 11:57

Është nënshkruar kontrata për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Kontrata është nënshkruar nga Emin Pacolli, përfaqësues i kompanisë “Mabetex Group” dhe qeverisë së Shqipërisë me në krye ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Kompania “Mabetex Group” do ta ndërtojë aeroportin e Vlorës në bashkëpunim me kompaninë “Yda Group”.

Në ceremoninë e nënshkrimit të pranishëm ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.

“Më në fund rrugë ndërtimi i një tjetër porte të qiellit të Shqipërisë, Aeroporti i Ndërkombëtar i Vlorës, i cili do të jetë një tjetër motor i ri i ekonomisë shqiptare përtej pandemisë. Nënshkruhet kontrata e shumëpritur pas një pune të gjatë këmbëngulëse dhe brenda mandatit të tretë kjo portë e re do të hapet për shqiptarët e për turistët nga mbarë bota”, ka shkruar Rama në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ndërkaq Behgjet Pacolli ka thënë se ka nderin që është pjesë direkte e kësaj vepre madhështore.

“Kjo kontratë sigurisht ka rëndësinë e vet për arsye se ndodh pas shumë kohe dhe një mori dëshirash që unë i pata që një investim i tillë të ndodh këtu, në trojet tona. Është një rast jashtëzakonisht i mirë edhe për mua, edhe për kompaninë dhe partnerët e mi që bashkëveprojmë në këtë projekt. Jam krenar që këtë e bëj për kombin, për popullin tim”, ka deklaruar Pacolli.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është zbuluar një lloj i ri i insektit për shkencën…