Nënshkruhet marrëveshja për menaxhimin e spitaleve sipas praktikave ndërkombëtare

15 maj 2019 | 16:54

Ministria e Shëndetësisë përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare në kuadër të huamarrjes nga Banka Botërore, ka nënshkruar kontratë me kompaninë e njohur gjermane ICME për menaxhim spitalor të spitaleve kosovare.

Në bazë të kësaj marrëveshje, kompania gjermane ICME do të angazhohet në tri shtylla kryesore që do të ndikojnë drejtpërdrejt në inxhinierimin e proceseve kyçe të menaxhimit sipas përvojave ndërkombëtare.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se QKUK-ja dhe spitalet e përgjithshme kanë pasur mungesë të theksuar të menaxhimit të mirëfilltë spitalor ku si pasojë këtë situatë e kanë vuajtur pacientët, por edhe vet profesionistët shëndetësor. “Rrjedhimisht spitalet kanë ofruar më pak shërbime për qytetarët, ka pasur më pak llogaridhënie, si dhe më pak efikasitet”, ka thënë ministri Ismaili, duke shtuar se për shkak të mungesës së harmonizimit me praktika ndërkombëtare menaxhimi i këtyre komponentëve kryesore për funksionimin efikas të spitaleve nuk ka funksionuar. “Prandaj, kontrata e nënshkruar sot me kompaninë gjermane do të jetë kyçe për të na ndihmuar të identifikojmë problemet dhe të krijojmë zgjidhje të qëndrueshme dhe të bazuara në praktika ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Gjatë konferencës për media, ministri Ismaili ka thënë se pritet edhe funksionalizimi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Në këtë drejtim, ai ka thënë se spitalet tona duhet të jenë në gjendje të kontraktojnë me Fondin.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ka pohuar se kompania gjermane do të prodhojë rezultate në arritjen e një menaxhimi të institucioneve shëndetësore, ndërkohë që vlerësoi përkushtimin personal të ministrit Ismaili në përmirësimin e sektorit shëndetësor.

Ndërkaq, drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, u shpreh i kënaqur për partneritetin me MSh-në dhe Fondin, duke shtuar se angazhimi i kompanisë gjermane do të jetë në funksion të ngritjes së kapaciteteve dhe  menaxhimit sa më efikas të institucioneve shëndetësore.

Drejtori i kompanisë gjermane ICME, Holger Micheel-Sprenger u shpreh i lumtur që kompanisë gjermane me renome i është besuar një marrëveshje përmes së cilës priten rezultate konkrete në menaxhimin spitalor në Kosovë.

Kontrata e nënshkruar të mërkurën është në kuadër të Projektit të Shëndetësisë Kosovare me Bankën Botërore dhe do të zgjasë gjashtë muaj me mundësi vazhdimi.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nesër (e enjte) do ta…