Nënshkruhet memorandumi që i hap rrugë investitorëve të huaj

07 tetor 2021 | 14:00

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,  Faton Peci së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë nënshkruar të enjten një  memorandum mirëkuptimi me drejtorin e përgjithshëm të Integrated Agriculture Technology Agency, Selim Erdem.

Përmes këtij memorandumi pritet të hapën rrugët e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe IATP-KOS dhe investimeve që ky investitor synon që t’i realizojë në Kosovë.

Ky investim ka për qëllim zhvillimin ekonomik të zonave rurale, investimin në infrastrukturë bujqësore e të ngjashme duke prioritizuar punësimin e të rinjve, grave dhe personave me nevoja të veçanta konform programit qeveritar 2021-2025.

Ky investim ka vlera shumëmilionëshe dhe planifikohet që të realizohet për një periudhë trevjeçare me qëllim të krijimit të 55 serrave hidroponike në 38 komunat e Republikës së Kosovës.

Në bazë të këtij projekti parashihet që të punësohen një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës, ndër ta 50 për qind gra, së paku 30 për qind të rinj dhe një numër i konsiderueshëm i personave me nevoja të veçanta.

Duke pasur parasysh pozitën strategjike të Kosovës dhe potencialin që ofron për zhvillim ekonomik, ministri Faton Peci dhe ministri Elbert Krasniqi, kanë thënë se mirëpresin të gjithë investitorët e interesuar për investim në Republikën e Kosovës, në sektorin e bujqësisë dhe më gjerë. Lidhur me këtë memorandum, Peci, Krasniqi dhe Erdemi kanë shprehur mbështetjen e ndërsjellë për realizimin e objektivave të parapara me këtë memorandum të mirëkuptimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka komentuar fushatën e deritanishme zgjedhore…