Nervozohet politikani serb: Vuçiqi do ta nënshkruajë njohjen e Kosovës, ia kërkoi ShBA-ja

11 maj 2021 | 13:52

Presidenti i lëvizjes “Çlirimi” në Serbi, Mllagjan Gjorgjeviq, ka vlerësuar se marrëdhëniet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq me administratën e Donald Trumpit do t’i kushtojnë Serbisë.

Sipas tij, kjo mund të shihet nga njoftimi i ambasadës amerikane në Beograd, e cila mbështet marrëveshjen e Uashingtonit me Kosovën.

“Ne e theksuam këtë kur e nënshkruan këtë dokument. Marrëveshja e Uashingtonit është e dëmshme sepse praktikisht heq të gjitha pengesat në rrugën e njohjes së të ashtuquajturës pavarësi të Kosovës”, ka thënë Gjorgjeviq, duke shtuar se marrëveshja e Uashingtonit dhe Shengeni i vogël nuk janë vetëm rruga për njohjen e Kosovës, por edhe për krijimin e një “Shqipërie të Madhe”.

“Ambasada amerikane tani po na informon se ky proces do të çojë në një marrëveshje të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, në qendër të së cilës është njohja reciproke. Ata vizatuan për ne në të zezë dhe të bardhë atë që Vuçiqi e nënshkroi në Uashington dhe atë që ai do ta nënshkruajë më tej”, ka thënë Gjorgjeviqi.

Më tutje, ka thënë se deklarata e Ambasadës së ShBA-së ka theksuar diversifikimin e energjisë si një qëllim të rëndësishëm nga marrëveshja.

“Në praktikë, kjo do të thotë një largim nga bashkëpunimi i energjisë me Rusinë dhe blerja e energjisë nga Shtetet e Bashkuara. Pra, ne duhet të rrezikojmë marrëdhëniet me mikun tonë historik dhe garantuesin më të madh të Rezolutës 1244, për hir të interesave të kompanive amerikane të naftës”, ka shpjeguar Gjorgjeviqi.

Po ashtu, presidenti i lëvizjes “Çlirimi” ka thënë se asnjë “njohje e ndërsjellë” nuk do ta ndihmonte stabilitetin rajonal.

“Shtetet e Bashkuara pushtuan në mënyrë të paligjshme Kosovën dhe Metohinë me bazën Bondsteel dhe është koha që Serbia t’ua mohojë atyre mikpritjen në territorin e saj”, ka thënë Gjorgjeviqi.

Ai ka shtuar se lëvizja e tij politike do t’u jepte fund të gjitha marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë deri tash, përfshirë Marrëveshjen e Uashingtonit dhe iniciativën e Shengenit të Vogël dhe se “do ta informonte Ambasadën e ShBA-së se trupat e tyre nuk janë të mirëseardhura në territorin e Republikës së Serbisë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Behxhet Sh. SHALA, drejtor ekzekutiv Valentina DEMOLLI - KOLIQI,…