Nëse e themelon asociacionin, Kurti tradhton elektoratin

17 dhjetor 2021 | 10:49

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, ka bërë me dije se ka ardhur koha që Kosova ta ketë një qëndrim më të qartë në raport me dialogun me Serbinë. Ajo ka thënë se ky qëndrim nënkupton ndaljen e dialogut teknik dhe fillimin e diskutimit për marrëveshjen finale. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Tahiri ka thënë se nëse kryeministri Albin Kurti do të angazhohet për zbatimin e marrëveshjes së asociacionit, ai do ta tradhtonte elektoratin e tij. Sipas saj, Kurti ka ardhur në pushtet duke krijuar kauza të rrejshme kundër formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe

 

Muhamet KOCI

“Epoka e re”: Znj. Tahiri, në këtë mandat qeverisës janë zhvilluar disa takime të nivelit të lartë dhe të nivelit teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë. Cili është vlerësimi juaj për qasjen e qeverisë Kurti ndaj këtij procesi?
Tahiri: Prej vitit 2017 kur qeveria jonë ka përfunduar mandatin, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë po shkon shumë ngadalë. Në tre vjetët në vazhdim dialogu më shumë ka pushuar sesa që ka pasur rezultate. Këtë vit kemi parë disa takime të nivelit të lartë politik dhe teknik, por nuk po shohim përparim. Mendoj se ka ardhur koha që Kosova ta ketë një qëndrim më të qartë në raport me këtë dialog.

“Epoka e re”: Çfarë nënkupton qëndrimi më i qartë?
Tahiri: Kosova duhet ta bëjë të qartë se nuk ka më bisedime teknike me Serbinë, siç janë bërë bisedat për targat, e gjëra të tjera. Kosova duhet të kërkojë nga Uashingtoni dhe Brukseli që të fillojë menjëherë dialogu final për një marrëveshje përfundimtare e cila do ta përfshinte njohjen reciproke në kufijtë aktualë. Ndërsa marrëveshjet e këtij procesi që nuk janë zbatuar të hyjnë në kuadër të marrëveshjes përfundimtare. Shumica e këtyre marrëveshjeve janë zbatuar, por ka disa marrëveshje nga të dyja palët që nuk janë zbatuar. Humbja e kohës me biseda teknike vetëm sa po i jep mundësi BE-së si ndërmjetësuese të pretendojë se gjoja është duke bërë një aktivitet, ndërsa realisht nuk ka ndonjë përparim.

Gjithashtu, duhet të kihet parasysh se tani është përfshirë në lojërat gjeopolitike edhe Rusia. Kjo duhet të jetë shumë brengosëse, sepse Serbia e ndihmuar nga Rusia ka arritur ta destabilizojë përsëri Bosnjën dhe Hercegovinën. Po ashtu, ka destabilizuar Malin e Zi dhe po përpiqet ta destabilizojë Kosovën, duke e mbajtur ushtrinë afër kufirit të Kosovës. Këto lojëra të mëdha gjeopolitike kërkojnë urgjentisht ndërhyrjen e partnerëve perëndimorë: ShBA-së, BE-së, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe. Nëse nuk ndalen Rusia dhe Serbia, po frikësohem se ndikimi rus mund të krijojë një realitet të hidhur të kufijve të ri gjeopolitikë që përcaktojnë influencat e fuqive të mëdha. Ballkani Perëndimor dhe Kosova është përcaktuar për sferën e influencës së Perëndimit. Pra, nuk duhet të lejohet Serbia ta sjellë Rusinë në Ballkan. Në këtë kuadër, është edhe kjo iniciativa rajonale ‘Ballkani i hapur’ që është një projekt negativ, i cili po shërben për ta krijuar Serbinë e madhe.

“Epoka e re”: Në konferencën e përbashkët për medie pas mbledhjes së fundit të Këshillit Stabilizim Asocimit, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka shprehur mospajtim me kryeministrin Albin Kurti sa i përket obligimit të Kosovës për themelimin e Asociacionit. Si e keni parë këtë qëndrim të BE-së?
Tahiri: Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet duke krijuar kauza të rrejshme kundër formimit të asociacionit dhe kundër demarkacionit me Malin e Zi. Së pari nëse kjo qeveri dhe Albin Kurti zbatojnë marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, atëherë tradhton votuesit e vet. Së dyti, natyrisht se kjo qeveri ka obligime ndërkombëtare. Ne kemi parë se kjo qeveri arriti ta anulojë marrëveshjen e Uashingtonit në Kuvend, pastaj e anuloi projektin për gazsjellësin amerikan. Këto veprime lënë shumë dyshime për orientimin e kësaj qeverie. Tani kjo qeveri nuk bashkëpunon në raport me asociacionin. Unë nuk i jap këshilla kësaj qeverie, por mendoj se në raport me aleatët perëndimorë kjo qeveri duhet të mendojë thellë. Kosova si shtet është i suksesshëm vetëm kur ka politika të brendshme funksionale dhe politika të jashtme funksionale, të cilat forcojnë marrëdhëniet me aleatët strategjikë. Këtu kam parasysh ShBA-në, Gjermaninë, BE-në, NATO-n etj.

“Epoka e re”: Sipas jush, cila duhet të jetë qasja e kësaj qeverie ndaj asociacionit të komunave me shumicë serbe?
Tahiri: Nuk e këshilloj për asgjë këtë qeveri. Në kohën kur unë kam qenë kryenegociatore, pra gjatë qeverisë Thaçi dhe qeverisë Mustafa, praktikisht kemi bashkëpunuar në këtë temë. Asociacioni nuk ka lindur në Bruksel. Ai ka lindur në bisedimet për marrëveshjen e Vjenës. Pra, me Planin e Ahtisarit delegacioni i Kosovës ka pranuar që në Kosovë mund të ketë më shumë se një asociacion. Pastaj Ligji për Vetëqeverisje Lokale në Kosovë e thekson këtë. Edhe në takimet që kemi pasur në Bruksel dhe Uashington na kanë thënë se këtë e keni në ligjet e juaja. Tani i takon kësaj qeverie të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë. Nëse nuk i zbaton obligimet ndërkombëtare mund të ketë pasoja kjo qeveri.

“Epoka e re”: Së fundi edhe përfaqësuesit e ShBA-së kanë kërkuar rezultate konkrete në procesin e dialogut, duke kërkuar zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin. Mosdëgjimi i këtyre kërkesave mund ta izolojë Kosovën?
Tahiri: Kryeministri Kurti duhet të udhëtojë në ShBA. E di që ka vështirësi ta bëjë këtë gjë, por duhet të gjejë mënyrë për ta realizuar një vizitë të tillë. Pra, ai duhet të shkojë në Uashington dhe të takohet me zyrtarët më të lartë amerikanë për të kërkuar që dialogu të ndërmjetësohet nga ShBA-ja dhe BE-ja. Nuk mjafton vetëm fuqia e BE-së për ta shtyrë drejt finales dialogun. Ka ardhur koha që të bashkohet blloku euro-amerikan për të finalizuar këtë proces. Kryeministri Kurti duhet të kërkojë që marrëveshja të finalizohet me njohje reciproke duke propozuar që marrëveshjet e pazbatuara të hyjnë në kuadër të marrëveshjes së përgjithshme dhe t’i ndalë bisedimet teknike që po i shërbejnë Serbisë për të blerë kohë për ta bërë Serbinë e madhe.

“Epoka e re”: Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Stabilizim Asocimit në Bruksel, Kosova u përfaqësua me fusnotë. Z. Kurti dhe partia e tij ju kanë kritikuar juve për arritjen e marrëveshjes së fusnotës. Keni ndonjë vlerësim për këtë përfaqësim?
Tahiri: Ky është një tregues se Kurti po e sheh realitetin. Dhe realiteti është se pesë vendet anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën. Fusnota është një mekanizëm në mënyrë që Kosova të mos mbetet e izoluar. Nëse kryeministri do ta refuzonte këtë fusnotë, ai do të mund të rrinte në shtëpi. Në këtë mënyrë do ta izolonte edhe Kosovën. Kjo fusnotë nuk është bërë prej dëshirës, por për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga këto pesë vende. Të gjithë e dimë se Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe krejt dokumentet e OKB-së për Kosovën janë me fusnotë prej vitit 1999 sepse ne nuk arritëm që ta kompletojmë njohjen e të gjitha shteteve. Kjo qeveri një prej pikave strategjike duhet ta ketë lobizimin për njohjen nga këto pesë vende. Mirëpo, ajo që po shoh nga Ministria e Jashtme e Kosovës është se është e tëra në defanzivë. Ajo është në një gjumë dimëror dhe gjatë këtyre tetë  muajve nuk kam parë ndonjë  aktivitet  lobues te këto pesë shtete.

E kam thënë atëherë se fusnota do të shkrihet me njohjen nga këto pesë vendet e BE-së. Qeveria duhet të angazhohet për këtë punë. Të krijojë grupe strategjike lobuese në kryeqendrat e Spanjës, Rumanisë, Greqisë, Sllovakisë dhe Qipros.

Gjithashtu, Kosova ka hyrë në rrugën zyrtare të integrimeve evropiane, duke nënshkruar MSA-në në vitin 2016. Kjo ka ndodhur me marrëveshjen për fusnotën, sepse këto pesë vende nuk e kanë bllokuar integrimin evropian të Kosovës. Ne si udhëheqje e Kosovës nuk e lejuam izolimin e Kosovës, por e hapëm rrugën që Kosova të jetë në rrugën zyrtare të integrimit evropian me nënshkrimin e MSA-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Christian Eriksen ka ndërprerë bashkëpunimin në mënyrë konsensuale me skuadrën…