Nesër fillon dëgjimi i dëshmitarit të fundit të prokurorisë ndaj Salih Mustafës

31 janar 2022 | 13:23

Në gjykimin për krime lufte ndaj Salih Mustafës në Hagë, të martën pritet të fillojë dëshminë e tij dëshmitari i fundit i thirrur nga prokuroria.

Këtë javë, për këtë rast pritet të mbahen tri seanca, të martën, mërkurën dhe enjten.

Ndërkaq, javën e kaluar e ka përfunduar dëshminë e tij Sejdi Veseli, ish-anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili dëshmoi pa masa mbrojtëse.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Formula 1 ka vendosur që i gjithë personeli që merr…