Netanyahu diagnostikohet me kancer në fazë të hershme
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu iu nënshtrua në heshtje trajtimit për kancerin e prostatës, njoftoi vetë ai, ndërsa publikoi rezultatet e ekzaminimit të tij vjetor mjekësor.
Netanyahu, 76 vjeç, tha se e vonoi publikimin e raportit të tij vjetor mjekësor, i cili zbuloi se ai ishte diagnostikuar me kancer për herë të parë – me dy muaj në mënyrë që të mos përdorej si propagandë nga Irani.
Udhëheqësi me mandatin më të gjatë në historinë e Izraelit iu nënshtrua një operacioni në dhjetor të 2024-s, një operacion që Zyra e Kryeministrit e bëri të ditur publikisht në atë kohë.
Në kontrollin e fundit pas operacionit, Netanyahu deklaroi se mjekët zbuluan një tumor malinj në prostatën e tij me madhësi më të vogël se një centimetër.
Zyra e Kryeministrit publikoi gjithashtu dy letra nga mjekët e tij për të shoqëruar zbulimin.
Ai nuk thotë se kur ka qenë kontrolli i fundit, por një burim izraelit i njohur me çështjen i tha CNN se kanceri u diagnostikua disa muaj më parë.
Ndryshe, Netanyahu filloi t’i nënshtrohej radioterapisë rreth dy muaj e gjysmë më parë, sipas burimit, dhe e kishte përfunduar së fundmi
trajtimin.
Lideri izraelit thotë se mori vendimin për t’iu nënshtruar radioterapisë dhe “njolla u zhduk plotësisht”. “Falë Zotit, jam mirë”, shkroi ai në X.
“Pata një problem të vogël mjekësor me prostatën që u trajtua plotësisht”, shtoi ai.



