Nga 1 janari Dragashi nis zbatimin e Ligjit mbi tatimin në pronën

18 nëntor 2018 | 15:36

Drejtoria për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim e Komunës së Dragashit, ka bërë me dije së nga 1 janari i vitit 2019 do të fillojë zbatimi i Ligjit mbi tatimin në pronën e paluajtshme, i cili është i kategorizuar në pronë bujqësore, banesore, komerciale, pyjore, industriale dhe publike.

“Në harmoni me Ligjin mbi tatimin në pronën e paluajtshme nr. 06/L-005, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 26 janar 2018, ju njoftojmë se nga data 1 janar e vitit 2019 do të fillojë zbatimi i Ligjit mbi tatimin në pronën e paluajtshme, i cili është i kategorizuar në pronë bujqësore, banesore, komerciale, pyjore, industriale dhe publike. Për herë të parë do të aplikohet dhe tatimi në pronë bujqësore dhe pyjore. Vitin e parë, gjatë vitit 2019 do të tatimohet 20 për qind e vlerës së pronave (bujqësore dhe pyjore) dhe do të llogaritet tatimi në vlerën më të ulët të mundshme 0. 15 për qind, që mos te rrezikohet gjendja financiare e banoreve në komunën tonë”, ka njoftuar Komuna e Dragashit.

Kjo komunë ka theksuar se të gjitha mjetet e inkasuara nga tatimi në pronë do të shfrytëzohen për rregullimin dhe përmirësimin e infrastrukturës në Komunën e Dragashit.

“Tatimi do të paguhet në dy këste dhe atë: kësti i parë deri më 30 prill 2019 dhe kësti i dytë deri më 30 shtator 2019 Ju njoftojmë se obligimet që kanë dalë nga Ligji për tatimin në pronën e paluajtshme t’i paguani në afatet e parapara me ligj në mënyrë që të mos paguani kamatë dhe ndëshkime të ndryshme për mospagesë të tatimeve. Mjetet e grumbulluara nga tatimi në pronë do të përdoren për mirëqenien e banorëve të komunës tonë”, është thënë në njoftimin për medie.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka vizituar fshatin…