Nga 1 nëntori përformuesit e kulturës dhe punëtorët profesional do t’i marrin pagat me rritje

13 shtator 2018 | 17:29

Në mbledhjen e Qeverisë të enjten është miratuar koncept dokumenti për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe përformuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në ekspozenë e tij ka treguar se koncept dokumenti ka për qëllim krijimin dhe zhvillimin e politikave kulturore, ambientin dhe mekanizmat e përshtatshëm për promovimin e kulturës, e cila konsiderohet një prej çështjeve më të rëndësishme.

Në këtë kuadër, koncept dokumenti parasheh mbështetjen e kapaciteteve njerëzore në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore, sigurimi i një trajtimi të dinjitetshëm dhe meritor për këtë kategori të rëndësishme të shoqërisë, me qëllim të ngritjes së performancës institucionale dhe pasurimit të jetës kulturore dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në vendin tonë.

“Pagat dhe gradimi i punonjësve të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore janë rregulluar me Rregulloren nr. 05/2011 për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore, rregullore kjo e cila ka bërë një rregullim adekuat dhe meritor, por me kalimin e kohës janë hasur probleme me çështjen e gradimit të punonjësve të fushës së kulturës dhe trashëgimisë kulturore, në lidhje me gradat joadekuate; statusi dhe pozicionimi jo adekuat profesional; problemi i pagave të ulëta jokonkurruese me rajonin; dhe trajtimi i pabarabartë i punonjësve brenda institucioneve”, ka thënë ministri Gashi, duke shtuar se me sigurimin e një page bazë konkurruese me rajonin do të kontribuojmë në konkurrencë dhe interesim më të madh të punëtorëve profesionistë të kulturës për angazhim në institucionet publike të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore.

“Me miratimin e Rregullores, kemi dhënë përgjigjen e duhur dhe meritore, për çështjet e sistematizimit të pagave, gradimit dhe kategorizimit të krijueseve, performuesëve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore, me këtë rregullore kemi krijuar parakushtet për të arritur objektivat e përcaktuara në politikat programore për kulturë e trashëgimi kulturore”, ka thënë ministri Gashi.

Ai ka uruar të gjithë krijuesit, përformuesit dhe punonjësit e trashëgimisë kulturore rritjen e pagave.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ai kurrë nuk ka pasur frikë të tregoj fizikun e…