Si e morëm lajmin për kthimin tonë në Kosovë nga burgu i Nishit në vitin 2002

08 korrik 19:30

Rrëfime nga ish-i burgosuri politik dhe i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani

Zilet paralajmëruese për të rënë në gjumë na trazuan mendimet

Nata ra e trazuar. Ajo ua davariti gjykimet e arsyeshme të burgosurve duke i lënë hapësirë imagjinatës së tyre pas fikjes së dritave për të rënë në gjumë. Ato shqetësime të tyre i vëreje nga lëvizjet e tyre në shtrat. Kishte heshtje, pak fjalë dhe shpresë. Zilet për zgjim dhe për fjetje çdo ditë na kujtonin se kaloi edhe një ditë tjetër në burg. Në burg, gjatë dimrit, dita është e shkurtër, ndërsa nata e gjatë. Pasi binim të flinim, ashtu i shtrirë në shtrat, kujtoja dënimin që na kishte dhënë Serbia në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, me 20 vjet burgim. Ky gjykim kishte ndodhur më 16 dhjetor 1997. Dënimet shprehnin ashpërsinë e pushtetit serb kundër shqiptarëve, por as kjo ashpërsi nuk mund të jepte efekt, as dënimet e shokëve më herët që vetëm na ngritën më shumë dhe na bënë më të vendosur në luftën tonë për liri. Lëvizja jonë thoshte: “Një bie, një mijë ngrehen”. Dënimet tona kishin ngritur në këmbë një popull të tërë me UÇK-në në ballë, në luftë për liri dhe çlirim nga Serbia. Kaloi edhe një ditë tjetër në burg dhe dhjetori po afrohej.

Pritej të na vinin vizita para ndërrimit të motit të vitit 2001. Disa familje ishin më të qeta pas lirimit të një numri goxha të madh të të burgosurve. Disa të burgosur e kishin blerë lirinë me marka nga avokatët dhe gjyqtarët. Kishte raste që as paraja nuk vlente për lirimin e disa të burgosurve, sepse në qarqet shtetërore flihet për përfitime më të mëdha për lirimin e tyre. Kur erdhën familjarët në vizitë, treguan se sa janë duke u përpjekur të gjithë për lirimin e të burgosurve të fundit nga burgjet serbe. Nuk kishim mbetur shumë të burgosur, por ishim të dënuar dhe të nxënë në vijat e frontit në luftimet në mes të UÇK-së dhe policisë dhe ushtrisë serbe. Kishin mbetur në burg të gjithë ata që ishin pjesë e fronteve.

Për të bërë këmbim në mes të të burgosurve nuk kishte asnjë mundësi pasi që në Kosovë nuk kishte serb të burgosur. Kështu që prisnim trysninë ndërkombëtare. Dhe kishim shpresë, pas vizitës që bënin familjarët, që vitin e ri do ta presim në Kosovë. Por, kjo shpresë nuk u bë realitet atë vit, sepse ende nuk ishin arritur pazaret e mjaftueshme në negociata për lirimin tonë! Vizitat për Viti të Ri ishin pak më të gjata se një orë dhe me më shumë ushqime për të burgosurit. Më 31 dhjetor 2001, në burgun e Nishit, në sallën e korridorit kishim një televizor dhe ulëset e drurit dhe disa tavolina që të bënim një përgatitje për Vitin e Ri.

Televizionin na lanë gjatë ndezur deri pas orës 12:00 të natës. Me lëngjet që kishim blerë në kantinë dhe ato të dërguara nga shtëpia, filloi festa e Vitit të Ri në burgun e Nishit. Dikush kishte futur edhe alkool në burg përmes tetrapakëve dhe konservave. Për mua me rëndësi ishte që të burgosurit në këto rrethana të ndihen mirë, sidomos në këto çaste festive. TV-ja jepte programe në serbisht. Tregonte të arriturat e Serbisë. Tregonte edhe humbjet dhe dhunën që përdorej nëpër qytete të Serbisë dhe në kryeqytet, Beograd. Në këto humbje përmendej edhe vrasja e Arkanit, e drejtuesit kryesor të “Tigrave” që kishte bërë krime në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë.

Ushtarët e tij ishin të njohur për krimet dhe vrasjet makabre në këto shtete, që kishin vrarë burra, gra dhe pleq. Kjo vrasje ma kujtoi një takim ballë për ballë me të në burgun e Mitrovicës së Sremit. Ai kishte ardhur në burg për të na vizituar dhe për të na parë kush jemi.

Së bashku me drejtorin e burgut, Trifun Ivkoviq, ai erdhi në korridorin e pavijonit numër dy të Sremit. Me urdhër të drejtorit ne dolëm në anën përballë tyre. Ai së bashku me drejtorin na pyeste kush jemi dhe sa jemi të dënuar.

Të burgosurit shqiptar në burgun e Sremit.

Në rend, përballë Arkanit, ishim unë, Ukshin Hoti, Agim Makolli, Besim Rama, Idriz Asllani, Agim Hulaj dhe Hasan Zeneli. Pas deklarimeve se kush jemi, treguam secili për dënimin tonë. Ai (Arkani) na shikonte me egërsi, sidomos kur i tregonim sa vite burg jemi dënuar. Unë i thashë se jam dënuar sipas nenit 136, lidhur me nenin 47, me 20 vjet burgim, për themelimin e UÇK-së. Më shikoi nga këmbët deri te flokët. Në shkurt të vitit 1999, pas negociatave të Rambujesë në mes të përfaqësuesve, delegacioneve të UÇK-së dhe të shtetit serb, ai sërish na vizitoi. U paraqit edhe Besim Rama, i cili tha se jam i dënuar 20 vjet me grupin e Adem Jasharit, i cili vinte nga Prekazi i Epërm dhe ishte bashkëluftëtar i Adem Jasharit. Pastaj Idriz Asllani, i dënuar 15 vjet burgim, po ashtu me grupin e Adem Jasharit. Hasan Zeneli, 15 vjet burgim me grupin tonë të UÇK-së. Agim Makolli, i dënuar 19 vjet me grupin tonë të UÇK-së. Agim Hulaj, i dënuar 10 vjet burgim me grupin tonë të UÇK-së nga Deçani dhe Ukshin Hoti, i dënuar pesë vjet burgim si intelektual. Arkani bëri kinse s’na njihte, por ai e dinte shumë mirë kush ishim. Ardhja e tij në burg nuk ishte lajm i mirë. Ishte lajm i sjelljes së vdekjes. Por, ne ishim të vdekur për çdo ditë, kështu që vdekja ishte shpëtim për ne.

Duke parë televizion, duke dëgjuar lajmin për vrasjen e Arkanit, mendja më vajti në Mitrovicë të Sremit, kur Arkani na kishte vizituar në shkurt të vitit 1999. Ai ishte vrarë nga klanet kriminale serbe. Ai kishte marrë dënimin e merituar jo për krimet që kishte bërë në Kosovë, por për krimet në mes të bandave.

Viti i Ri erdhi me shpresa të reja. Të burgosurit uruan njëri-tjetrin për lirim sa më të shpejtë nga burgjet dhe ngrehëm dolli në emër të lirimit tonë, kurse në qytet dëgjoheshin krismat e fishekzjarrëve që lëshonin në ajër qytetarët serbë. 130 vjet më parë, këtu e kishte pritur Vitin e Ri edhe Idriz Seferi, një nga drejtuesit e Lëvizjes për Pavarësi të Shqipërisë më 1912. Edhe ai ishte liruar nga ky burg edhe pse kishte qenë i dënuar me 101 vjet burgim nga Sulltani. Nishi në atë kohë ishte i tëri me shqiptarë dhe këtu ishte edhe Molla e Kuqe. Tashmë edhe ne ishim në këtë burg.

Më 15 janar 2002 unë e kisha datëlindjen. Shokët e dhomës më uruan ditëlindjen dhe lirimin nga burgu. Datëlindjet i festonim me shokët e dhomave. Datëlindjet tregonin sa të pjekur e sa në moshë ishim. Kishte shokë tanë të burgosur që kishin lëshuar mustaqe dhe i numëronin muajt e vitet në burgje, ndërsa mustaqet nuk i hiqnin. Ata thoshin se që nga ditëlindja s’i kam hequr mustaqet dhe kështu do t’i mbaj derisa të lirohem etj. Me disa prej tyre luanim shah, sidomos kur lodheshim duke lexuar. Loja e shahut me disa kishte kuptim pasi nuk pranonin humbjen dhe hidhëroheshin. Televizioni dhe ndonjë gazetë në serbisht dhe shqip na vinte kohë pas kohe. Për të kaluar kohën sa më shpejt dhe lehtë, argëtoheshim me shah, domino dhe lexonim, besa flisnim në telefon me familjarë dhe shokë nga Kosova.

Në foto Nait Hasani

Në një mbrëmje më merr në telefon Muhamet Mavraj, gazetar dhe botues i gazetës “Epoka e re”. Pas bisedës që zhvilluam bashkë, më thotë se këto ditë do të liroheni nga burgu të gjithë. Me Muhametin biseduam për daljen tonë, biseduam që pas daljes nga burgu vizitën e parë duhej bërë në Prekaz te varri i Adem Jasharit, pastaj në TMK, tek ish-ushtarët e UÇK-së, nëpër shokë dhe bashkëluftëtarë, nëpër familjet që kanë dhënë të dashurit e tyre për lirinë e Kosovës.

Si çdo ditë tjetër, edhe 26 marsi ishte i njëjtë në atë mëngjes. Rreth mesditës hynë gardianët në korridor dhe u dha urdhri që të gjithë t’i përgatitim teshat dhe të dalim një nga një në korridor. Disa të burgosur mendonin se po na dërgojnë në një burg tjetër diku në Serbi, disa të tjerë ashtu e disa të tjerë kështu. Unë e dija se burgu kishte marrë fund, prandaj u thashë shokëve se burgut i erdhi fundi. Teksa bëheshim gati, gardianët dolën jashtë të na pritnin. Dikush, në këtë kohë, sa ata ishin jashtë, kishte telefonuar në Prishtinë dhe kishte marrë lajmin se autobusët e UNMIK-ut janë nisur për të na marrë nga burgjet. Ky lajm u përhap shpejt te të gjithë të burgosurit. Ky lajm tregonte përfundimin e vuajtjeve të bashkëvuajtësve të mi nëpër burgjet e Serbisë. Ky lajm tregonte se më nuk do të ketë të burgosur politikë shqiptarë në burgjet e Serbisë. Të gjitha burgimet për njëqind vjet përfundonin sot për shqiptarët në burgjet serbe. Sa vrasjet, sa vuajtjet, sa tortura ishin bërë nëpër këto burgje kundër shqiptarëve për t’i mbajtur të nënshtruar. Kishte ndodhur që këto burgje nuk i nxinin shqiptarët sepse kishte shumë të burgosur. Por, sot vuajtjet tona morën fund. I mblodhëm rrobat dhe dolëm. Të gjithëve na kontrolluan një nga një trupin dhe pakot me rroba. Gardianët disa të burgosurve u zunë telefonat që i kishin fshehur në tesha dhe ua morën. Pas këtij kontrolli të rreptë, vetëm pritnim transferimin tonë. Derisa prisnim me shokë bisedonim për këtë rrugëtim të fundit. Thoshim se do të na lirojnë në Merdar ose në Prishtinë. Sa gëzim që shprehnin fytyrat tona. Ishin plot hare. Së bashku me Isakun, Naimin dhe Vebiun dhe me bashkëvendësin tim Hasan Hasanin, babë dëshmori, të cilit i ishte vrarë djali, Masari, me uniformë të UÇK-së, rrinim qetë.

Ata që kishin folur në telefon me Prishtinë, treguan se në Merdar kanë dalë të na presin familjarët dhe shumë qytetarë. Pas disa orëve kontroll, morëm urdhër të ecnim drejt autobusëve që na pritnin. Aty i pritnim edhe autobusët nga Mitrovica e Sremit që kishin shkuar për t’i marrë të burgosurit shqiptarë. Pasi mbërritën ata, na hipën në autobusë.

Moti në Nish ishte vranët. Gardianët na thanë të mbajmë kokën ulur, mos të shikojmë rrugës, por askush nuk e mbante kokën ulur. Secili kërkonte të shikonte daljen nga ky ferr. Dalja nga ky ferr ishte shpëtim për ne. Ishte ikje nga purgatori i rrathëve të Dantës. Të zitë e ullirit e kishim kaluar dhe sot ishim duke u kthyer për atdhe, për Kosovën tonë që na mungonte shumë, të cilën e kishim lënë të okupuar, por tani do ta gjenim të çliruar falë sakrificës së ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe miqve tanë ndërkombëtarë të mbështetur nga NATO. U mbyllën dyert e autobusëve, lëvizën rrotat e tyre që dukej se po tërhiqni zvarrë një shekull jetë dhe na dukej se toka po ndahej në dysh.

Në foto Zhelko Razhnajtoviç Arkani me drejtorin e burgut të Sremit, gjatë vizitës që u ka bërë të burgosurve shqiptar në shkurt të vitit 1999, e që pas kësaj vizite ka pasuar rrahja brutale ndaj të burgosurve

Dolëm në rrugën drejt Kosovës, lamë mbrapa burgun dhe kujtimet për dhunën e përdorur ndaj nesh. E mbyllëm atë dritare historike dhe hapëm një dritare të re të jetës sonë në Kosovë.

Autobusët udhëtonin, ne mendonim dhe ndienim mall të madh për atdheun, për familjen dhe për shokët. E kaluam Prokuplën diqysh ngadalë. Lexonim në tabela emra shqip të fshatrave. Sapo nata po binte, hymë në Kurshumli. Radioja filloi transmetimin e muzikës shqip. Këndonte Shaqir Cërvadiku një këngë që nuk e kisha dëgjuar kohë të gjatë. Më ngjalli mall kënga e tij. Më dha emocion. Asnjëherë më i bukur se sot nuk më dukej zëri i tij. Sapo u errësua mbërritëm në Merdar. Autobusët u ndalën, jashtë tij dolën gardianët serbë. Mbetëm brenda ne e hynë brenda gardianët shqiptarë autobusë. E kaluam pikën e kontrollit në Merdar. Sa mendoja se autobusët do të ndalen që të përshëndetemi me familjarë dhe shokë dhe me të gjithë ata që kishin dalë të na pritnin, shoferët i dhanë gaz furishëm autobusëve dhe s’i ndalën. Vetëm i pashë njerëzit e shumtë që kishin dalë të na pritnin. Thërritnin emrat tanë. Kishin marrë me vete flamurin kombëtar të cilin e valëvitnin dhe, po ashtu, fotografitë tona. Në veturën e dikujt pashë një fotografi timen prapa grilave.

Autobusët kaluan mes turmës të qytetarëve dhe të familjarëve që kishin dalë të na pritnin dhe brohoritnin pa ndal “UÇK, UÇK, UÇK”. Donim të ndaleshim aty, të përqafoheshim, të gëzoheshim, të qeshnim dhe të qanim, por planifikimi ishte bërë nga tjetërkush. Shoferët e autobusëve vazhduan udhëtimin ashtu sikurse u kishte kërkuar UNMIK-u, drejt Kosovës, drejt tokës së lirë. (Vijon)

Në foto Nait Hasani në burgun e Sremit

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një numër i madh i qytetarëve të Kosovës po hezitojnë…