Qytetarët hezitojnë ta marrin AstraZenecën, ajo është e sigurt dhe efektive

08 korrik 2021 | 18:57

Një numër i madh i qytetarëve të Kosovës po hezitojnë ta marrin vaksinën e AstraZenecas.

Kjo vaksinë konsiderohet si vaksinë e sigurt dhe shumë efektive ndaj COVID-19. Është rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) dhe aprovuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA). Vaksina është efektive edhe ndaj varianteve të reja të këtij virusi.

Ministria e Shëndetësisë ua ka ndaluar nga 7 korriku qendrave të vaksinimit dhënien e vaksinës Pfizer për personat që kanë aplikuar për të marrë dozën e parë të vaksinës. Me t’u marrë ky vendim, shumë qytetarë janë kthyer prapa pa u vaksinuar, pasi që kanë hezituar ta marrin vaksinën e AstraZenecas.

Ekziston një hezitim i qytetarëve për t’u vaksinuar me AstraZeneca, por këtë vaksinë sot e ka marrë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai dje në Kuvend dhe vazhdimisht gjatë këtyre ditëve u ka bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen me Astra Zeneca, pasi është e sigurt, efektive dhe e aprovuar nga EMA.

është e sigurt kjo vaksinë?

Vaksina e AstraZeneca-s vepron duke aktivizuar sistemin imunitar kundër COVID-19. Vaksina është e krijuar nga një virus tjetër i cili është modifikuar që të krijojë antitrupa kundër virusit SARS-CoV-2.

Vaksina e AstraZeneca-s është testuar në mijëra persona si pjesë e provava klinike dhe ka rezultuar në përputhje me standartet rigoroze të sigurisë, efektshmërisë e cilësisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar përdorimin e kësaj vaksine për njerëzit nga mosha 18 vjeç e lart.

Mbrojtja kundër COVID-19, pas vaksinimit me AstraZeneca vlerësohet se fillon 3 javë pas marrjes së dozës së parë.

Marrja e një doze të kësaj vaksine, mund të ofrojë mbrojtje deri në rreth 12 javë.

Më marrjen e dozës së dytë të saj, rriten nivelet e antitrupave dhe kohëzgjatja e mbrojtjes.

Ndryshe nga vaksinat BioNTech-Pfizer dhe Moderna, vaksina e AstraZeneca’s nuk ka pse të ruhet në temperatura të ulëta. Vaksina mund të ruhet, transportohet dhe trajtohet në temperatura normale të ftohjes.

Vaksinimi me AstraZeneca në Kosovë

Deri tani në Kosovë nuk është raportuar asnjë rast me efekte serioze pas vaksinimit me AstraZeneca.

I pari që është vaksinuar me vaksinën e AstraZenecas në vend ka qenë kryeministri Albin Kurti.

Ndërsa, pas tij me të është vaksinuar edhe një pjesë e punëtorëve shëndetësorë.

Vaksinën e AstraZenecas sot e ka marrë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Me këtë rast Vitia ka thënë se të gjitha vaksinat që ka në dispozicion Kosova janë të sigurta, përfshirë edhe ato të AstraZenecas.

Vitia ka kërkuar nga qytetarët që të mos hezitojnë e të vaksinohen me këtë vaksinë, e cila sipas tij është e aprovuar dhe efektive.

Ndërsa me këtë vaksinë është vaksinuar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Mikrobiologu Lul Raka, ka deklaruar se si vaksina AstraZeneca ashtu edhe ajo e Pfizer janë të sigurta dhe shpëtojnë jetë.

Ai është shprehur se i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratura nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e  Barnave është Kosova.

Sipas tij, vaksinat e AstraZenecas kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan.

Cilat janë efektet anësore të vaksinës AstraZeneca?

Ashtu si edhe vaksinat tjera edhe ajo e AstraZeneca’s mund të shkaktoj disa efekte anësore.

Megjithëse këto efekte vlerësohen të lehta dhe afatshkurta.

Efektet më të shpeshta janë: dhimbje në vendin ku është dhënë vaksina, ethe, temperaturë, dhimbje e nyjeve dhe muskujve.

Ndërsa, kjo vaksinë në raste shumë të rralla ka shkaktuar edhe mpiksje të gjakut.

Agjencia Evropiane e Barnave tani e ka renditur këtë si një efekt anësor të rrallë të mundshëm të vaksinës.

Ndërsa, shkalla e vdekjes për shkak të mpiksjes së gjakut nga AstraZeneca vlerësohet të jetë shumë e ulët, rreth një rast në çdo 350,000 njerëz të vaksinuar .

Në përgjithësi, edhe personat që kanë një histori të mpiksjes së gjakut, mund ta marrin vaksinën Oxford / AstraZeneca.

Personat që kanë dhimbje të fortë të kokës, skuqje në lëkurë, dhimbje gjoksi e gulçim pas vaksinimit me këtë vaksinë rekomandohet të shkojnë për kontroll te mjeku.

A është efektive kundër variantit Delta dhe varianteve tjera vaksina e AstraZenecas?

Varianti Delta i COVID-19 i cili po vlerësohet më problematik se variantet tjera tashmë është i pranishëm edhe në Kosovë.

Për t’u mbrojtur nga ky variant i cili është edhe më i transmetueshëm, është i nevojshëm vaksinimi i popullsisë.

Të dhënat tregojnë po ashtu se vaksina ka treguar 92 për qind efektivitet kundër shtrimeve në spital për shkak të këtij varianti.

Kjo vaksinë gjithashtu thuhet se tregoi një nivel të lartë të efektivitetit kundër variantit Alpha (B.1.1.7; më parë varianti ‘Kent’) me një ulje prej 86% të shtrimeve në spital dhe duke mos shënuar asnjë viktimë.

Kërkimet sugjerojnë që vaksina Oxford / AstraZeneca është efektive kundër variantit Alpha, veçanërisht pas dy dozave.Gazetaexpress.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Biletat për finalen ndërmjet Italisë dhe Anglisë, që do të…