Nga lufta në Kosovë te shkëlqimi në Serinë A

06 prill 2021 | 20:57

Mbrojtësi i Kombëtares, Ardian Ismajli po kalon në formë shumë të mirë te skuadra e Spezias në Seria A, edhe pse e ka pasur të vështirë që të fitojë hapësira.

Pas muajve të parë të vështirë deri sa u ambientua, tashmë Ismajli është kthyer në një titullar të padiskutueshëm me skuadrën italiane, ku vazhdon të tregojë paraqitje të shkëlqyera. Në një intervistë të dhënë së fundmi për “La Nazione La Spezia”, mbrojtësi ka treguar vuajtjet e luftës në Kosovë, shembullin që ndjek në futboll, pro edhe ëndrrën e tij që ka pasur.

“Kam luajtur për shumë sezone te Hajduku i Splitit, në ligën kroate dhe pas një sezoni shume të mirë, tërhoqa vëmendjen e shumë ekipeve. Mora disa oferta, por zgjodha të kaloja te Spazia, pasi më bindi projekti i këtyre dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur për t’u rritur akoma më shumë.

Futbolli ka qenë pasioni im që i vogël. Dashurinë për futbollin e kam të trashëguar nga babai im, i cili ka luajtur kur ishte i ri. Shembulli im në karrierë është mbrojtësi i Realit, Sergio Ramos. Ëndrra ime gjithmonë ka qenë të luaj në një nga 5 kampionatet më të forta, veçanërisht Serinë A, të cilën e kam ndjekur që i vogël. Pasi debutova në këtë kampionat me Spezian, mund të them se ishte si një ëndërr e realizuar. Pas disa muajve, tani mund të them se jam me të vërtetë i lumtur.

Kombëtarja? Të luash për ekipin kombëtar shqiptar është një ëndërr e madhe sepse ekipi kombëtar përfaqëson të gjithë shqiptarët që u ndanë pas luftës në 6 vende të ish Jugosllavisë dhe ata që padyshim jetojnë në pjesë të tjera të botës. Ndërsa ekipi kombëtar i Kosovës përfaqëson vetëm Kosovën. Të luash për ekipin kombëtar shqiptar është një privilegj, por unë ende ndjek me shumë dashuri edhe Kosovën ku kam lindur dhe jam rritur. Shqipëria në 10 vitet e fundit është rritur shumë. Kemi lojtarë shumë të mirë të cilët luajnë edhe në Itali. Mund të themi këtu, Etrit Berisha te Spali, Hysaj te Napoli, Kumbulla te Roma dhe Gjimshiti te Atalanta.

Gjatë luftës në Kosovë isha i vogël, por ende mbaj mend praninë e ushtrisë, policisë dhe paraushtarakëve në Kosovë. Ishin vite të tmerrshme dhe unë jetova me muaj me frikën se mund të ndodhte diçka e keqe në familjen time. Kjo dhunë dhe frika më bëri më të fortë dhe që të rritem më shpejt. Ne kemi përjetuar skena të tmerrshme në lëkurën tonë që nuk dëshiroj që askush t’i përjetojë”, u shpreh Ismajli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i LDP-së, Ćedomir Jovanoviç ka reaguar pas urdhër arrestit…