Nga nesër ashpërsohet udhëtimi në mes të Francës dhe Gjermanisë

01 mars 2021 | 11:11

Në Gjermani rajoni kufitar me Francën Moselle është shpallur zonë me mutacion të koronavirusit dhe janë vendosur kontrolle kufiri me këtë rajon. Francezët e konsiderojnë këtë vendim “të njëanshëm” dhe “brutal”.

Prej ditësh kjo temë po diskutohej. Në rajonin kufitar të Francës me Gjermaninë, Moselle është përhapur varianti afrikan i koronavirusit (B1351).

Sipas të dhënave të kryeministrit francez, Jean Castex me këtë variant janë konstatuar 60 për qind e rasteve pozitive në Moselle.

Në Gjermani kjo kuotë është, sipas të dhënave zyrtare, vetëm një përqind. Edhe incidenca shtatë ditore (numri i infeksioneve për 100 000 banorë në shtatë ditë) është afërsisht 300, shumë më e lartë se në anën tjetër të kufirit, në Saarland të Gjermanisë që ka një kuotë incidence 73, ndërsa në landin fqinjë, Renani-Palatinata kuota është vetëm 49.

Tani departamenti në zonën Moselle në Francë me rreth një milionë banorë është klasifikuar si zonë e ashtuquajtur me variant të virusit.

Nga dita e martë vlejnë si rrjedhojë rregulla të ashpërsuara udhëtimi midis dy vendeve në këtë pikëkalim.

Kush do të vijë në Gjermani, duhet të paraqesë një test negativ të koronavirusit, jo më të vjetër se 48 orë dhe duhet të regjistrohet online përpara se të kalojë kufirin.

Shoqëritë ajrore si dhe sipërmarrjet e autobusëve nuk lejohen të trasnportojnë pasagjerë nga Moselle për në Gjermani.

Nga ky rregull përjashtohen shtetasit gjermanë si dhe të huajt, që jetojnë në Gjermani. Po ashtu edhe qarkullimi i mallrave dhe qarkullimi individual nuk preket nga rregullorja.

Sidoqoftë kontrollet në këtë pikë kufitare do të jenë në formë sondazhi, jo aq të rrepta sa në kurifin me Çekinë dhe rajonin e Tirolit në Austri.

Të shtunën (27.02) ministrat e Jashtëm, ai gjerman Heiko Maas dhe homologu francez Jean-Yves Le Drian dhanë udhëzimet, në mënyrë që të hënën (01.03) ministrat për Europën të të dy vendeve të thërrasin këshillin ndërkufitar për konsultime për zbatimin dhe koordinimin e rregullores së re. Sidoqoftë kufiri gjermano-francez nuk do të bllokohet si në periudhën e mbylljes në pranverën e vitit 2020.

Sekretari për Evropën në Francë, Clément Beaune, ka thënë se synimi është që pasojat të jenë sa më minimale.

Ai ka shprehur megjithatë keqardhjen për vendimin e qeverisë gjermane, duke u shprehur se ky vendim përmban “masa të vështira”.

Gjithashtu, Beaune ka shprehur se ka besim, që do të arrihet të ketë një koordinimin në frymën e bashkëpunimit gjermano-francez në mënyrë që të mund të shmanget një situatë si ajo e një viti më parë. Me fillimin e pandemisë më 2020 Gjermania rivendosi kontrollet kufitare, gjë që krijoi pakënaqësi në raportet gjermano-franceze në rajonet kufitare.

 

Në rajonin Moselle aktualisht ka indinjatë, presidenti i rajonit Grand Est ku bën pjesë edhe Moselle, Jean Rottner, ka thënë në medien franceze “Franceinfo”, se kemi pasur në fakt përshtypjen që autoritetet e të dyja vendeve po bashkëpunonin në mënyrë të frytshme. Por tani ky vendim është “brutal” dhe i “njëanshëm”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Elife LUZHA Për vetminë e Robinson Krussos Foli papagalli mbrëmë…