Nga një burg në tjetrin, si arriti të mbijeton ish i burgosuri Lulzim Kadriu

04 maj 2021 | 12:16

Shkruan: Lulzim Sahiti

Në vitet e nëntëdhjeta dhuna dhe terrori serb kishte mbërthyer gjithë Kosovën. Kjo bëhej në mënyra të ndryshme por në veçanti përdorej dhuna e terrori në kërkim të armëve. Policia serbe e bënte atë duke përdorur tërë aparatin shtetëror në ndjekje të shqiptarëve kudo që ishin. Një gjë të tillë e përjetuan shumë familje shqiptare, në mesin e të cilave ishte edhe familja Kadriu nga Zborci i Shtimes.

Një ekspeditë e policisë serbe, më 19 mars të vitit 1997, me pretekst të kërkimit të armëve kishte bastisur shtëpitë e familjeve të Kadri, Sadik e Aziz Kadriut në fshatin Zborc. Po atë ditë, policia serbe ua kishte lënë fletëthirrjen që të nesërmen të paraqiten në Stacionin e Policisë në Shtime, Lulzim Kadriut së bashku me nënën e tij, Mevliden. Kjo formë e keqtrajtimit të shqiptarëve të pafajshëm tashmë ishte bërë rutinë për policinë serbe. Mirëpo, për të shpëtuar nga gjenocidi dhe vuajtjet e mëdha që shkaktonte përditë regjimi serb kishte lindur nga gjiri i popullit Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Fryma e luftës çlirimtare kishte përfshirë fillimisht një pjesë të Drenicës dhe Dukagjinit duke u zgjeruar gradualisht edhe në disa zona malore të komunës së Shtimes, ku bënte pjesë edhe vendlindja e Lulzimit, fshati Zborc. Kështu që me organizim të UÇK-së, më 5 korrik 1998, Lulzim Kadriu së bashku me nëntë bashkëfshatarë të tij ishte nisur nga Zborci për të siguruar armatim dhe municion në Republikën e Shqipërisë. Rrugëtimi ka qenë i gjatë dhe i mundimshëm. Për nga shëndeti, rrëfen Lulzimi isha më i dobëti dhe gjatë rrugëtimit kam pasur probleme shëndetësore. Me të mbërritur atje kishte qëndruar pak ditë në fshatin Hoxhaj, ku ishte pajisur me një pushkë gjysmë-automatike njëzetëshe, katër bomba dore dhe 580 fishekë. Më 17 korrik 1998, shënohet kthimi i ushtarëve nga Shqipëria në Zborc.

Për shkaqe shëndetësore, Lulzim Kadriu, armën e vet që kishte sjellë nga Shqipëria, më 20 korrik 1998 i jep xhaxhait të tij, Bajrush Xhemshir Kadriut. Të nesërmen për shkak të dhimbjeve të mëdha në veshkë ishte lajmëruar në shkollën fillore “Idriz Ajeti” në Pjetërshticë te mjeku i luftës, dr. Jakup Ismajli, tek i cili dy herë në ditë kishte marrë ineksione deri në ditën e fillimit të ofensivës së forcave policore dhe ushtarake serbe, më 25 korrik 1998 në fshatin Zborc.

Ishte një barbari e paparë ndonjëherë, tregon Lulzimi për bombardimet dhe gjuajtjet nga të gjitha llojet e armëve që kishte në dispozicion ushtria jugosllave. Si pasojë e granatimeve ishte plagosur, në krahun e majtë, Mevlide Kadriu, nëna e Lulzimit. Ndërsa pjesa tjetër e popullatës, falë maleve që e rrethonin fshatin dhe bunkerëve, të cilët i kishin ndërtuar, lëshuan shtëpitë e tyre, u futën në to dhe shpëtuan pa u vrarë dhe masakruar. Mandej, nëpër male, Lulzimi bashkë me familje kishte shkuar në Pjetërshticë, ku kishte trajtuar plagën e nënës te dr. Jakup Ismajli. Pas ndihmës së parë që ka marrë atje, kanë shkuar në Krojmir duke kaluar në Grykë të Shalës, ku qëndrojnë 3 ditë.

Mandej nëpër Blinajë kishin shkuar në Ribar të Madh të Lipjanit, te familja e Muharrem Terpezës dhe pas një jave është vendosur në Bashkësinë e Tretë të Shtimes te miku i tij, Mehdi Tërshana. Aty, Lulzimi bënte jetë ilegale. Meqë ishte i rrezikuar nga policia serbe, për mjekimin e tij në këtë shtëpi kishte shkuar dr. Agim Zejna. Për çështje sigurie, familja Kadriu në tetor të vitit 1998 e ndërrojnë lokacionin e qëndrimit dhe vendosen në një shtëpi të pabanuar në fshatin Davidovc të Shtimes, e cila ishte pronë e Beqë Eminit. Kjo shtëpi ishte në periferi të Davidovcit afër fshatit Rashincë. Me fillimin e bombardimeve të NATO-s, forcat e Ushtrisë Jugosllave bashkë me MUP-in e Serbisë dhe paramilitarët kishin nisur fushatën e egër të spastrimit etnik të popullsisë shqiptare. Krahas rrezikut të përditshëm për jetë, familjes Kadriu kishte nisur t’i harxhohej edhe ushqimi. Nuk kishin sasi të mjaftueshme të miellit, vajit, sheqerit e besa as të ilaçeve, pasiqë askush nuk e kishte paramenduar këtë gjenocid të shpejtë dhe kaq të pamëshirshëm prej „fqinjëve“ të deridjeshëm.

Gjumi nuk na zinte nga frika. Çdoherë kur zbardhte dita, ngriteshim të kënaqur që ende ishim gjallë dhe po e shihnin njëri tjetrin. Për të shpëtuar nga vdekja, deyrohen të gjejnë zgjidhje sa nuk ishte bërë vonë duke marrë rrugën e ikjes biblike. Më 29 prill 1999, rreth orës 9:00, Lulzimi (26-vjeçar) së bashku me nënën, tri motra, vëllain dhe gruan (Mevlide) me dy fëmijë të vegjël (Enisin dy vjeç dhe Fatonin një vjeç). Për t’i ikur njerëzve të çartur kishin vendosur të shkojnë për të pritur në stacionin hekurudhor, në fshatin Bablak të Ferizajt. Treni i cili do të na bartë deri në kufi të Maqedonisë kishte dhjetë vagonë të stërmbushur me njerëz që iknin nga dhuna dhe terrori serb. Brenda vagonëve kishte aq shumë njerëz sa frymë ishte vështirë të merrje. Me një fjalë, ishim shndërruar vetëm si grup trupash të gjallë. Pra, ishim bërë si një kope delesh para ujqërve të çartur e të uritur. Kur kemi mbërri në Stacionin e Trenit në Ferizaj aty është ndalur treni për të marrë të përndjekurit tjerë. Fillimisht kanë hyrë policia për të legjitimuar udhëtarët. Na kaploi tmerri, por nuk kishim më kohë për asgjë.

Me këtë rast, mua më kërkuan letërnjoftimin. Një polic që ishte nga Shtimja po e lexon me zë emrin dhe mbiemrim tim. Gruaja ime e njihte ngase ishte nga lagjja e saj. Me të dëgjuar të emrit tim, inspektori i Sigurimit Shtetëror, Momčilo Šparavalo që ishte me mustaqe ka thënë: “Zvršio” (Mbaroi). Mua më urdhëruan: “Ti zbrit poshtë”. Nëna ime ka tentuar të ndërhyjë mirëpo ia kam bërë me shenjë përmes kokës që mos të flas, meqë e kuptova që kanë të dhëna për mua. Në heshtje nënës i shkonin lotët rrëke nëpër faqe. Si duket i qante zemra nga dhembja e thellë që kaploj. Për të më kujtuar, Mevlides, gruas time ia kam dhënë tri cigare “Bozhur” që kanë qenë në pako. Po i them: “Merre këtë se më nuk shihemi!” Unë për vete llogaritja se këtu do të jetë fundi i jetës time, prandaj ende i ruaj si kujtim këto cigare qysh nga kjo kohë. Me sa më kujtohet, në një veturë civile të tipit “Opel Kadet” që kishte ngjyrë të kuqe më kanë futur mbrapa së bashku me një djalë të ri nga Pjetërshtica, i cili ka pasur mbiemrin Dugolli. Ai duke hyrë në veturë është goditur gojës me një flakareshë. Nuk e di pse!

Nga këtu na kanë dërguar në bodrum të kafes “Pranvera” në Ferizaj. Aty kishin qenë nja 12 veta nga të cilët kam njohur: Sefë Xhemajlin nga Belinci, Brahim Krasniqin, Rifat Godenin, Mehdi Godenin, Qazim Krasniqin, Fehmi Krasniqin, Ejup Krasniqin, Musë Krasniqin, Elmi Bajramin dhe Bajram Iballin, të gjithë nga Shtimja. Shumica prej tyre kishin qenë të rrahur rëndë e të torturuar në mënyrën më barbare. Dy duart i mbanin vazhdimisht përmbi gjunj nga dhimbjet që kishin. Aty kam parë edhe një të arrestuar që quhej Bajram nga Nerodimja. Mandej pas dy dite e kanë sjellë edhe një ushtar të ri të UÇK-së, i cili përfundi teshave e kishte pasur të veshur një gjykësore ushtarake që shërbente për vendosjen e municionit dhe bombave. Ky djalosh kishte ardhur nga vijat e frontit në qytet për të parë familjen mirëpo kishte rënë në duar të policisë serbe.

Tash e kishte kapur panuku për gjykësoren dhe nuk dinte si t’ja bënte. Një bombolë e gazit ka qenë ratë në podrum dhe më ka shkuar mendja me e futur përfundi saj. Ashtu siç menduam edhe kemi vepruar. Ushtari një fjalë, kishte qenë shumë i zgjuar dhe për të shpëtuar më tregoj se do të shtirej sikur është i sëmurë. Për një çast ai filloj të dridhej dhe bëhej sikur është i sëmurë nga epilepsia. Kemi kërkuar ndihmë nga policët që ishin përjashta. Erdhën dhe e kanë marrë. Pas një kohe ka ardh një mjek me uniformë ushtarake, të cilin e kontrolloi në oborr dhe pas nja 10-15 minutave e liruan.

Bodrumi ka qenë i shtruar me beton dhe sipërfaqja e tij ishte mbushur me një shtresë të ujit të pistë që kundërmonte erë të keqe. Këtu kam qëndruar katër ditë. Pas dy dite më kanë marrë në pyetje. Po sa më dërguan në zyrën lartë mbi bodrum, rreth orës 11:00, bandat e sadistëve serbë i kanë sjellë dy veta nga Kaçaniku, për të cilët më vonë mora vesh se ishin: Idriz Guri dhe Xhevdet Guri. Njërit ia kishin zënë një revole. Kishin qenë aq shumë të dërrmuar nga rrahjet saqë për krahësh i kanë nxjerrë nga vetura në oborr.

I kam parë nga dritarja kur barbarët e çmendur ia thyen këmbën e majtë Xhevdetit me një të goditur me dru të gomarit. Këmbën ia mbante vetëm lëkura. Krime të tilla mbahen mend vetëm në kohën e inkvizicionit. Idriz Gurin e futën në bodrum, kurse këtë tjetrin e morën dhe nuk e di as vet kah e kanë dërguar. Këta policia serbe i kishte zënë duke vëzhguar terrenin si pjesëtarë të UÇK-së. Në ato çaste, Serboljub Vojinović më tha: “Shikoje listën që e kam para vete që keni qenë në Shqipëri. O ke me pranuar që ke qenë atje o përndryshe këqyre se çka i bënë atij të UÇK-së. Tash të kemi në dorë”. Më dërguan në podrum duke më thënë: “Kujtohu mirë qysh keni qenë në Shqipëri”.

Të nesërmen, në mëngjes sërish më ftojnë për të më intervistuar. Kërkuan që të pranoj se kam qenë në Shqipëri. Fillova të refuzoj. Nuk e kanë zgjatur shumë, më kanë lidhë dy tela, njërin në gishtin tregues dhe tjetrin në gishtin e vogël të dorës së majtë. E kanë lëshuar rrymën dhe njëri më godiste shpinës me një shkop të drurit. Momčilo ishte kriminel i pamëshirshëm dhe urdhëronte: “Jače” (Më fortë). Kjo torturë ishte e padurueshme. Rryma më shkaktonte mundime dhe vuajtje të mëdha saqë nuk mund të përballoja tutje. Vendosa të pranoj që kam qenë në Shqipëri, pastaj që kam bërë roje me pushkë të gjuetisë në hyrje të fshatit Zborc, te lagjja Badra.

Madje, pranova një akuzë që baba im nuk e kishte bërë, ku thuhej se Kadri Xhemshir Kadriu i ka rregulluar pesë pushkë. Vertet babai im kishte bërë dy vite që nuk kishte ardhur nga Zvicra në Kosovë, por insistimi i tyre ishte të pranoja këtë akuzë. Në fshatin tonë është edhe një person me emër dhe mbiemër të njëjtë si të babait tim por që jeton në Lagjen e Gjinovcëve. Ai është mjeshtër i mirë, i cili ishte në gjendje të bënte edhe rregullimin e armëve. Prandaj, policia serbe gjithmonë aludonin në te. Në fund i shtyrë nga dhuna, kam nënshkruar deklaratën, konform kërkesës së tyre.

Në ditën e tretë, një polici të ri ia kemi dhënë 10 marka gjermane me na blerë bukë dhe ujë. Ky djali i ri ndjente dhimbje për ne kur na shihte që ishim në gjendje të mjerushme. Ai, na kishte blerë 4 kilogramë bukë dhe dy shishe ujë, të cilat na i solli në bodrum.

Më 2 maj 1999, rreth orës 14:00 dy policë me uniformë më kanë marrë nga bodrumi dhe më kanë lidhë duart me pranga mbrapa. Më kanë futur në një veturë civile. Njëri ngiste veturën, kurse tjetri që ishte mbrapa me mua më ka futur kokën në mes të këmbëve të tij. Tërhoqi karikatorin e revolës dhe gjatë gjithë rrugës më ka goditur me revole. Gjak prej goje kam qitë deri sa kam mbërri në Prishtinë. Kur bërtisja nga goditjet që merrja, polici që ngiste veturën më thoshte në gjuhën shqipe: “Shuaj, shuaj se ti je UÇK”. Më dërguan në Burg të Prishtinës.

Aq shumë që më rrahu ky kriminel, nuk kam mundur të eci. Më kanë kapur për tesha dhe zvarrë më kanë tërhequr në brendi të burgut. Nuk kënaqeshin me kaq këta sadistë, por personelit të burgut po i thonë: “Ky është UÇK, ju dini çka bëni me te!” Menjëherë më dërguan në katin e parë të qelisë, ku kishin qenë disa shqiptarë nga komuna e Podujevës. Mbas nja gjysmë ore, gardianët më kanë nxjerrë për të më dërguar te “brica” (floktari) që kishte qenë në katin përdhes. Gjatë ecjes nëpër korridor më grushtonin e sillnin me shqelma deri te floktari, madje edhe ai “brica” më godiste kokës me makinën e tij qethëse. Përsëri më kthyen në dhomë.

Ishin bërë pesë ditë që nuk kisha ngrënë bukë. Tërë natën i kemi dëgjuar britmat e shqiptarëve duke i rrahur mizorisht. Tmerr i madh ka qenë vetëm me i dëgjuar ato britma e lëre më me i përjetuar.

Më 3 maj 1999, në mëngjes na kanë marrë me një kamion që zakonisht në jetën e përditshme barten kafshë. Na kanë hipër të gjithë të burgosurit që ishin në Burgun e Prishtinës dhe na kanë dërguar në Burgun e Lipjanit. Kamioni ka qenë i mbushur përplot me të burgosur shqiptarë. Atje në oborr të Burgut të Lipjanit na kanë lidhur duart mbrapa duke na detyruar të ulemi në dy gjunjë me fytyrë nga muri. Na mëshonin me kërbaç shpinës dhe pas një ore na kanë dërguar në dhoma. Mua më dërguan në katin përdhes, në pavijonin e katërt.

Në atë dhomë kemi qenë 13 veta. Përgjegjës i dhomës ishte Nazif Potoku, 73-vjeçar nga ana e Podujevës. Nga ky është kërkuar që të më mësonte serbisht të them: “Ja sam Lulzim Kadriu odgovoran prema članu 125 za terorizam” (Unë jam Lulzim Kadriu përgjegjës sipas nenit 125 për terrorizëm). Ngjashëm duhej t’i mësonte edhe të tjerët, përveç emrit dhe mbiemrit të tyre. Mezi e kam mësuar këtë fjali, meqë unë gjuhën serbe nuk e njihja fare.

Kështu duhej të vepronim sa herë që vinte ndokush nga guardianët. Të ngritemi në këmbë, me kokë të ulur e fytyrë nga muri.

Nga goditjet e pësuara, gjakpirësit serbë njërin e mbytën në mëngjesin e 19 majit të vitit 1999. Nga pavijoni përballë neve, e kanë nxjerrë të vdekur me batanije mësuesin nga Slivova e Ferizajt, Haki Kadriun. Ne emrin dhe mbiemrin e tij e mësuam nga guardianët, të cilët dëgjoheshin përjashta duke diskutuar ndërmjet vete për këtë rast tragjik.

Pas një jave më kanë dërguar te Gjyqtari Hetues në Prishtinë. Më akuzonin si “Najveći terorist” (Terroristi më i madh). Mirëpo, një ditë para se me shkuar te gjykatësi hetues, kanë ardhur katër policë. Filluan të na pyesin prej nga vijmë. Kur më erdh radha mua, unë ju thash se jam nga Shtimja. Qëllimisht e bëra këtë ngase e dija se çka më pret po ta përmendja fshatin nga vija. Nuk ishin të kënaqur me përgjigjen time, insistuan të dinë se nga cili fshat isha. U mbështeta për muri, nuk kisha zgjidhje tjetër pos tu them se jam nga Zborci! Më urdhëruan të dalë përjashta. Dola në korridor. Tashmë e dija çka më gjeti. Më pyetën: “Gde te je policija uhvatila?” (Ku të kanë kap policia?)

Nuk e kuptoja gjuhën serbe dhe vetëm rrudhja krahët. Më thanë zhveshi teshat? Duke i zhveshur rrobat më shanin: “Terroristin e nënës, këqyre sa trash është veshur për të qëndruar në mal!”. Tortura nisi duke më rrahur duarve me kërbaç të gjatë nga i cili kishim dhimbje marramendëse. Duart mu ënjten shumë. Pastaj, më thanë: “Kthehu me fytyrë nga muri”. Isha pa asnjë rrobë në trup. Më kanë goditur aq shumë duke filluar nga koka deri në fund të këmbëve. Më është nxirë krejt trupi dhe dikur më ka rënë të fikët.

Më e keqja ka qenë se britma ime nga rrahja e madhe që më bënë i ka tronditur edhe të burgosurit tjerë. Dikur kur e kanë parë se është bërë boll më kanë tërhequr zvarrë duke më përplasur në dhomë. Nga shokët e dhomës, lypja ujë por nuk kishte. Aq shumë kisha temperaturë të madhe sa që kam kërkuar nga shokët kovën me urinë të më freskojnë trupin. Shokët nuk e bënë këtë edhe pse unë insistoja. Atyre ju vinte keq. Të vetmen ndihmë më bënë duke më mbështetur trupin për muri. Kështu më kanë freskuar trupin që më digjej flakë nga temperatura.

Të nesërmen kisha me shkuar te gjykatësi hetues. Këmba-dorës u ngrita. Kur më dërguan atje, përkthyesi është munduar aq shumë për të më ndihmuar saqë përmes gjesteve e me lëvizjen e duarve dhe të kokës, më bënte me shenjë që të mos pranoja aktakuzën. Mirëpo unë isha dërrmuar dhe si më kanë lexuar aktakuzën ju thash troç: “Po krejt kështu është”. Më kthyen sërish në Lipjan. Për ushqim këtu na jepnin vetëm një rriskë të hollë bukë në mëngjes dhe në mbrëmje. Një gotë të vogël me pak supë, ku mund ta ngjyej vetëm një kafshatë dhe harxhohej menjëherë. Zorin më të madh e kemi pas qysh mu ngopë me bukë e ujë sepse na jepnin vetëm sa për të mbetur gjallë.

Ditëve në vazhdim, gjegjësisht më 14 maj 1999 në dhomën tonë e kanë sjellë, Ramush Avdyl Mujotën nga Mollopolci, të cilin pas trajtimit brutal në kafen “Pranvera” e sjellin në burgun e Lipjant. Vetëm një javë para arrestimit, Ramushi më 6 maj 1999 nga minahedhësi i forcave armike kishte humbur motrën Drita Mujotën (1980), kurse plagë të rënda kishte pësuar edhe motra tjetër, Sanije Mujota, të cilat së bashku kishin qenë të strehuara në bodrumin e shtëpisë së tyre në Mollopolc.

May be an image of 1 person

Në mbrëmjen e 9 qershorit të vitit 1999 është nënshkruar Marrëveshja e Kumanovës, ndërsa neve më 10 qershor, rreth orës 1:00 të natës, na kanë zgjuar të gjithëve. Kanë filluar për të na dhënë depozitat tona: Rripin e pantallonave, tojat e këpucëve, të hollat dhe gjësende tjera, të cilat na janë marrë në kohën e arrestimit tonë. Një armë kundërajrore vazhdimisht i gjuante aeroplanët e NATO-s. Kjo ka ndodhë për çdo natë sa kam qenë në Burgun e Lipjanit. Kësaj radhe dëgjoheshin edhe krismat e armëve të tjera përmes të cilave forcat serbe festonin që përfundoj lufta. Meqë ishte kryer lufta, të burgosurit po e urojnë njëri-tjetrit. Tash shumica ishin të bindur që po lirohen, kurse mua më kishte hyrë një mendje se nuk do të më lëshojnë të gjallë. Shokët po më thonë ti je çmendur nga rrahjet që të kanë bërë.

Rreth orës 4:30 në mëngjes kanë ardhur autobusët e “Nish-Express”-it. Kanë hyrë policët brenda dhe na kanë rrahur me kërbaç, shqelma, grushte… Na kanë urdhëruar të mbajmë fytyrën drejt murit e duart mbrapa. Na lidhën duart me sixhima. Dikund kah ora 8:00 na kanë hipur nëpër autobusë. Ishte vapë e madhe. Ulemi nëpër karrige dhe urdhëri ishte të mos shikonim majtas as djathtas dhe kokën ta mbanim ulur. Prej Lipjanit deri në Nish në anën e djathtë të rrugës kam parë kolonën e gjatë të automjeteve të ndryshme luftarake që tërhiqeshin nga Kosova. Fehmi Krasniqin nga Prishtina gjatë rrugës e kanë torturuar tejmase. Donin ta mbysin. E shtrinë në mes të karrigeve dhe me këmbë shkelnin mbi të. Ishte trishtim me parë, pa pasur mundësi ti ndihmoje. Këtë e bënin vetëm se ky ndërhyri në një rast kur e rrihnin shumë një të burgosur nga Drenica.

Gjatë tërë rrugës deri sa kemi mbërri në Nish, na kanë rrahur me një shufër metalike që përdoret për të pastruar pushkën. Të gjithë kemi qenë të përgjakur. Në hyrje të Nishit edhe civilët serbë i kanë gjuajtur me gurë autobusët. Në oborrin e Burgut të Nishit kemi hyrë me autobusë. Aty kanë thënë që nuk ka vend dhe na kanë nisur për Pozharevc. Në dalje nga Nishi, paramilitarët serbë me shamia në kokë kanë dashur të na mbysin. Tentuan të hyjnë brenda mirëpo nuk arritën por në pjesën anësore ia thyen xhamin autobusit. Kur kemi mbërri në Pozharevc ka qenë mesi i natës. Në burg ju thanë se “terroristët” e kanë thyer xhamin e autobusit duke tentuar të ikin.

May be an image of 3 njerëz, people standing dhe ambiente të jashtme

Në të dy anët e shtegut, ku pritej të hynin të burgosurit ishte bërë një gardh i gjatë me gardianë. Në mes të tyre duhej të kalonim të burgosurit një nga një. I gjatë kishte qenë ai korridor saqë dukej sikur nuk do të përfundonte kurrë, e kur arritëm ne u ndodhëm para dyerve të një godine, ku nga tmerri e britmat që dëgjoheshin atë mbrëmje ishte një kaos i vërtetë, kudo britma tona dhe të tyre. Këtu na kanë rrahur aq shumë saqë edhe sot e kësaj dite më dhemb shpina nga kjo rrahje që na kanë bërë në Pozharevc. Pastaj hapën derën e godinës dhe na futen brenda ashtu të dërrmuar. Në burgun izolues më futën në pavijonin nr. 7. Kah ora 2:00 e natës na i kanë zgjidh duart. Me brisk më kanë prerë sixhimin. Krejt duart gjak na ishin bërë.

Kishim etje të madhe, s’kishim pirë për 15 orë të tëra. Në këtë pavijon fillimisht kemi qenë gjashtë veta me katër shtretër për fjetje. Me mua ka qenë: Sabri Bekolli nga Vranidolli, Lutfi Xhaferi nga Dobrolluka, Naim Peci nga Zhabari, Rrahim Limani nga Drenasi dhe Sadri Tërdevci. Këtu ushqim ka pasur boll por kuptohet me mish të derrit. Kushtet e burgut kanë qenë të tmerrshme, kishim parazitë, morra në trup e batanije. Laheshim jashtë e me ujë të ftohtë shpesh. Duhej të laheshim shpejt se përndryshe na rrihnin, madje dikush mbetej pa u veshur. Në këtë pavijon jam takuar me të burgosurin e Procesit të Parqinit, Rizah Xhaklin, pastaj Albin Kurtin, Abaz Mustaf Mujotën nga Mollopolci e të tjerë.

Në burgun e Pozharevcit, më 16 korrik 1999 për herë të parë na kanë vizituar delegatët e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të cilët na kanë regjistruar në listat e tyre dhe janë interesuar për kushtet dhe trajtimin tonë. Vizita të tilla kemi pasur disa herë me radhë, përmes të cilëve kemi pasur edhe letërkëmbim me familje.

Në Gjykatën e Qarkut në Nish, më 24 nëntor 1999 ka nisur procesi gjyqësor ndaj meje dhe ka vazhduar dy-tri seanca tjera, ku më kanë dënuar me kohëzgjatje 5 vjet burg. Falë zbatimit të amnistisë, ku kontribut të veçantë kishte dhënë Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, Lulzimi kishte mbajtur 1 vit e dhjetë muaj e 17 ditë në burgun e Prishtinës, Lipjanit, Pozharevcit, Nishit dhe Vranjës. Më 13 mars të vitit 2001, ai është liruar nga Burgu i Vranjës së bashku me Nexhat Gashin e Vushtrrisë.

Siç dihet mirëfilli më 3 prill 2014 është miratuar Ligji nr. 04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo për çudi Lulzim Kadriu as sot e kësaj dite nuk e gëzon asnjë status konform këtij ligji…!

Përndryshe, në vitin 2010, familja Kadriu ka emigruar në Francë, kurse Lulzimi iu bashkua familjes së ngushtë më 2011 ku aktualisht jeton në qytetin e vogël Cluny, 100 kilometra larg Lyonit.

No photo description available.

P.S. Përmes këtyre dy fotografive të realizuara në Prishtinë, më 13 mars 2001, shihet Lulzimi i veshur me tuta bashkë me familjarë e miq të tij, në ditën historike të lirimit nga burgu i Vranjës (Serbi). Ndërsa, fotografia tjetër me pakon e cigareve “Bozhur” simbolizon ditën e arrestimit të tij, më 29 prill 1999 në Stacionin e Trenit në Ferizaj.

 

May be an image of 4 njerëz, people standing dhe military uniform

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i PSG-së, Neymar ka thënë se është i gatshëm…