Nga plagët e luftës te sfidat e paqes: rrëfimi i Ferat Ademajt në përvjetorin e Koshares
Në 27-vjetorin e Betejës së Koshares, ish-deputeti Hisen Berisha ka ndarë një rrëfim prekës për luftëtarin Ferat Ademaj, i cili në këtë betejë humbi të dyja këmbët në luftën për liri.
Berisha kujton momentin e rëndë të plagosjes, kur mes dhimbjes dhe krenarisë i ishte drejtuar me fjalët: “Përhajër plagët – vëlla i armës”, duke e cilësuar sakrificën e tij si simbol të qëndresës dhe dinjitetit.
Sipas tij, sot Ferat Ademaj nuk përfaqëson vetëm plagët e luftës, por një shembull të fuqishëm të një njeriu që nuk u dorëzua kurrë.
Ai ka jetuar me ndershmëri nga puna e tij, ka përballuar sfidat e përditshme dhe ka rritur katër fëmijë me dinjitet, pavarësisht vështirësive.
Berisha thekson gjithashtu rolin e bashkëshortes së tij, Florije Sallahu-Ademaj, e cila, sipas tij, me përkushtim të jashtëzakonshëm ka qëndruar pranë tij, duke u bërë mbështetje e pandashme në përballje me sfidat e jetës.
Në këtë përvjetor, gjatë vizitës në Kompleksin Memorial të Koshares, Ademaj ka shprehur dhimbjen e tij për realitetin e pasluftës. Para varreve të dëshmorëve, ai është shprehur: “Atëherë kishim vështirësitë e luftës për liri, por vështirësitë e paqes qenkan edhe më lënduese.”
Ky mesazh, sipas Berishës, është një thirrje për reflektim mbi mënyrën se si shoqëria dhe shteti kujdesen për ata që sakrifikuan për lirinë e vendit.
Në fund, ai thekson se sakrifica e luftëtarëve mbetet nder dhe obligim për të gjithë, që të mos harrohet kurrë rruga e vështirë drejt lirisë.



