Nga suksesi në Evropë në humanizëm kombëtare – Urime Sami Mustafës për themelimin e Fondacionit ‘Sami Ambrella’
Shkruan: Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB)
Kur suksesi takohet me humanizmin!
Me kënaqësi të veçantë mora lajmin për themelimin e Fondacionit “Sami Ambrella”, një nismë fisnike e mikut tim të çmuar, Sami Mustafa, e cila buron nga vlerat familjare, humanizmi dhe përkushtimi i tij shumëvjeçar ndaj njerëzve në nevojë.
Në emrin tim personal dhe në emër të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), e përgëzoj përzemërsisht për këtë hap të rëndësishëm, i cili do të shërbejë si një urë shprese dhe mbështetjeje për shumë familje, të rinj, studentë dhe sportistë.
Sami Mustafa ka dëshmuar ndër vite se suksesi merr kuptimin e tij më të plotë kur ndahet me të tjerët. Fondacioni “Sami Ambrella” është vazhdimësi e këtij misioni human dhe një shembull i shkëlqyer se si biznesi dhe solidariteti mund të bashkohen në shërbim të shoqërisë.
Vlen të theksohet se kompania Ambrella nga Kumanova përfaqëson një nga historitë më të suksesshme të biznesit shqiptar në rajon. Si kompani e specializuar në prodhimin e roletave dhe sistemeve të aluminit, ajo ka arritur të depërtojë fuqishëm në tregjet ndërkombëtare, ku rreth 90% e prodhimit të saj eksportohet në vendet e Bashkimit Evropian, veçanërisht në Zvicër. Ky sukses është dëshmi e vizionit, profesionalizmit dhe përkushtimit të Sami Mustafës dhe ekipit të tij, duke e bërë Ambrellën një ambasadore të denjë të sipërmarrjes shqiptare në Evropë.
Me këtë veprim fisnik, ai jo vetëm që lartëson emrin e tij, por nderon familjen, miqtë, komunitetin e biznesit dhe mbarë shoqërinë. Si mik i çmuar, mbështetës i vazhdueshëm i AKB-së dhe kontribuues i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik kombëtar, ai ka dëshmuar se vlerat njerëzore janë pasuria më e madhe që mund të lërë një njeri.
Jemi me fat që e kemi mik, bashkëpunëtor dhe shembull të përgjegjësisë shoqërore. Veprimtaria e tij humanitare është frymëzim për bizneset dhe qytetarët që të kontribuojnë për një shoqëri më të drejtë, më humane dhe më solidare.
I uroj suksese të pafundme në këtë rrugëtim fisnik dhe jam i bindur se Fondacioni “Sami Ambrella” do të lërë gjurmë të thella në jetën e shumë njerëzve, duke sjellë shpresë dhe mundësi aty ku ato nevojiten më së shumti.
Zoti e bekoftë këtë mision human dhe të gjithë ata që do të përfitojnë prej tij.



