Nga taksa 100 për qind, Kosova ka përfituar 7 milionë euro nga të hyrat doganore

24 korrik 2019 | 13:31

Në debatin e organizuar me temën “Taksa 100 për qind, kush fitoi, e kush humbi dhe çfarë?”, kryetari i Asociacionit të Afaristëve serb në Kosovë, Sasha Sekuliq, ka thënë se me taksën e vendosur sektori i tregtisë ka pasur më së shumti probleme.

Sipas tij, nga 1 000 artikuj sa kanë qenë në qarkullim shumica prej tyre mungojnë.

Problem tjetër, sipas Sekuliqit, është edhe mungesa e produkteve bujqësore. “Kemi menduar se taksa shumë shpejt do të hiqet, ndërsa tash me dorëheqjen e kryeministrit dhe me mbajtjen e zgjedhjeve të reja taksa shtyhet”, ka deklaruar Sekuliq.

Zëvendësministri në detyrë i Financave, Fatmir Gashi, se vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’u vendosur taksë mallrave serbe kishte për qëllim ta ndalojë agresivitetin e Serbisë ndaj Kosovës.

“Kosova ka përfituar 7 milionë euro nga të hyrat doganore. Buxheti i Kosovës s’ka humbur asgjë vetëm ka përfituar. Zëvendësimi i produkteve serbe është bërë nga shtetet fqinjë dhe BE-ja. Qeveria ka pasur një mori arsye për mbajtjen në fuqi të taksës”, ka thënë Gashi, duke shtuar se humbës nga taksa janë vetëm bizneset në Serbi.

Ndërsa, Nenad Radosavleviq, iniciues i “Lidhjes për Serbi”, ka thënë se taksa 100 për qind është një marrëzi, dhe siç tha ai, me këtë vendim është e pakuptimtë të pritet njohja nga Serbia.

“Humbës janë banorët e Kosovës që të furnizohen me mallra cilësore nga Serbia. Përfitues janë tregtarët nga vendet e tjera që kanë furnizuar. Fitues po ashtu është Ramush Haradinaj, ndërsa humbës nga taksa është presidenti Hashim Thaçi, i cili nuk arriti ta realizojë idenë e tij për kufijtë. Andaj, taksa është një marrëzi, përfitues janë individë në skenën politike”, u shpreh Radosavleviq.

Sipas tij, katastrofa humanitare ka qenë e inskenuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ndaj deklaratës së Nenad Radosavleviqit ka reaguar zëvendësministri Gashi, i cili ka thënë se nuk është marrëzi të marrësh masa ndaj një shteti që nuk e njeh Kosovën dhe produktet e saj.

Kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka thënë se taksa 100 për qind për produktet e Serbisë nuk është marrë në bashkëpunim me konsumatorët, dhe sipas tij, asnjë herë nuk është thënë nga Qeveria se kjo taksë është në dobi të tyre. “Ne e përkrahim masën ndaj Serbisë edhe pse nuk u pyetëm. Ne kemi qenë gjithherë që të respektohen kontratat për plotësimin e direktivave evropiane. Qytetari taksapagues është gjenerues i buxhetit dhe shteti ka obligime shtesë ndaj tyre”, ka deklaruar Kaçaniku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boris Johnson do të marrë edhe zyrtarisht pozitën e kryeministrit…